Kryeministri Hristijan Mickoski, në podkastin “Ku janë paratë”, duke folur për realizimin e investimeve kapitale, theksoi se niveli i tyre është më i lartë në krahasim me vitin e kaluar, kur qeveria e mëparshme i regjistronte si investime kapitale edhe transferet sociale dhe dotacionet për ndërmarrjet publike.
“Gjendjen reale me investimet kapitale duhet ta ndajmë në dy pjesë. Pse? Sepse në të kaluarën si investime kapitale regjistroheshin ndonjëherë transfertat sociale, ndonjëherë dotacionet për ndërmarrjet publike dhe shoqëritë aksionare për kërkesa të maturuara. Qoftë ato kredi apo kërkesa të maturuara ndaj furnizuesve, gjithçka regjistrohej – siç thonë në ministri – ‘mbi vijë’, pra në pjesën e investimeve kapitale,” theksoi Mickoski, duke shtuar se, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, në krahasim me vitin e kaluar kur kushtet ishin më të favorshme, janë realizuar më shumë investime kapitale.
“Edhe pse këtë vit kushtet ishin më të vështira në krahasim me vitin e kaluar – po flas për borën etj. – megjithatë kemi një nivel më të lartë të realizimit të investimeve kapitale me atë që investimet kapitale që janë financuar nga ndërmarrjet publike dhe institucione të tjera me kredi, regjistrohen ‘nën vijë’. Ato janë dotacione për kërkesa të maturuara. Të themi, Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore realizon një investim kapital – një autostradë, por ai investim kapital realizohet me mbështetje nga një kredi. Ndërmarrja publike nuk është në gjendje ta shlyejë atë kredi dhe meqenëse shteti ka dhënë garanci shtetërore, kredinë për realizimin e asaj rruge e paguan Ministria e Financave. Më parë, kjo regjistrohej si investim kapital i realizuar 'mbi vijë', pra në pjesën e investimeve kapitale," theksoi Mickoski.
Ai gjithashtu shpjegoi me shembull se si qeveria e mëparshme i përllogariste investimet kapitale dhe shtoi se nëse sot do të përdoreshin të njëjtat metoda, përqindja do të dilte dy herë më e lartë, pra diku mes 18 dhe 20%.
"Ja rruga Gradsko-Drenovë-Farish – rruga është ndërtuar, është mbështetur me kredi, Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore nuk ka arritur ta shlyejë kredinë, Ministria e ka shlyer atë dhe në vend që të regjistrohet siç bënte qeveria e mëparshme si investim kapital në pjesën e investimeve kapitale, tani regjistrohet ‘nën vijë’. Kur i mbledhim këto dy shifra – njëra është, mendoj, deri më 15-16 prill, diku rreth 90 milionë euro dhe tjetra është 85, atëherë arrijmë deri në 175, ose për 20 milionë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur, për shkak të zgjedhjeve, shumë punë u përshpejtuan dhe u pagua ai avansi i madh për Bechtel dhe Enka, do të arrijmë në një shumë më të madhe sesa ajo e vitit të kaluar," theksoi Mickoski.