Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, priti sot një delegacion të Partneritetit për Qeverisje të Hapur (OGP), i udhëhequr nga Paul Braithwaite, menaxher rajonal për Evropën. Gjatë takimit u diskutua mbi luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e transparencës si themel i një qeverisjeje të mirë.
Zëvendëskryeministri Fetai prezantoi prioritetet e kabinetit të tij, me theks të veçantë në udhëheqjen e Trupit Ndër-resorial për Koordinimin e Luftës kundër korrupsionit dhe ndjekjen e rezultateve konkrete institucionale. Ai theksoi rëndësinë e rritjes së transparencës, veçanërisht sa i përket qasjes në të dhënat mbi pronësinë reale të kompanive.
Nga ana e tij, z. Braithwaite shprehu mbështetjen e platformës OGP për reformat qeveritare përmes ndarjes së praktikave të mira dhe ekspertizës ndërkombëtare. Palët u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit, me qëllim krijimin e bazës për ndjekjen efektive të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe për gjetjen e një zgjidhjeje ligjore që mundëson publikimin e pronarëve të vërtetë të kompanive që përfitojnë nga tenderët publikë, në përputhje me praktikat më të mira evropiane.