Një delegacion i Qeverisë, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski, i shoqëruar nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti dhe ministri i Drejtësisë Igor Filkov, vendosi sot një kurorë me lule të freskëta në përmendoren e Varrezave Partizane në Butel të Shkupit, me rastin e shënimit të Ditës së Fitores mbi Fashizmin dhe Ditës së Evropës.
Në përmendoren përkujtimore, kurora me lule të freskëta vendosën edhe delegacione nga Lidhja e Luftëtarëve të Luftës Nacionalçlirimtare Antifashiste, nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga Kabineti i Presidentes dhe Komandantes Supreme të Armatës, nga Armata, si dhe delegacione nga ambasadat e Austrisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Malit të Zi, Spanjës, Ukrainës dhe organizata e shoqata të tjera.
Në kuadër të shënimit të sotëm, ministri Misajllovski iu drejtua të pranishmëve, duke theksuar vetësakrifikimin e luftëtarëve për një Maqedoni të lirë dhe të pavarur. „Ata janë heronj që, duke ndjekur idealet e ilindenasve tanë për një Maqedoni të lirë, për dinjitet dhe një të ardhme pa tirani, dhanë jetën për këtë qëllim të lartë. Sakrifica e tyre nuk është vetëm e regjistruar në librat e historisë — ajo është pjesë e identitetit tonë. Ky vend për ne është asgjë më pak se një vend i shenjtë, sepse këtu ne nderojmë ata që ndihmuan në ndaljen e tmerreve të Luftës së Dytë Botërore“, tha Misajllovski dhe shtoi se liria, drejtësia, e vërteta dhe të drejtat e njeriut nuk janë dhuratë — ato janë edhe zgjedhje, edhe luftë.
Me rastin e shënimit të sotëm edhe të Ditës së Evropës, ministri Misajllovski theksoi se në këtë kohë kur të gjitha vendet në Evropë bëjnë gjithçka që paqja dhe siguria të jenë realitet në të gjithë kontinentin, Evropa duhet të jetë e fortë, e bashkuar, ashtu siç ishte në vetë fillimin e idesë evropiane, për të qëndruar së bashku me guxim kundër të gjitha kërcënimeve.
Në këtë kontekst, ai shtoi se qytetarët maqedonas nuk kërkojnë rrugë të shkurtra apo proteksionizëm për anëtarësim, por kërkojnë një qasje të drejtë dhe mundësi. „Ne kërkojmë që ajo që është e gdhendur në thelbin e Bashkimit Evropian të jetë kriteri i vetëm për gatishmërinë tonë për të qenë pjesë e kësaj familjeje të madhe. Kërkojmë që reformat tona dhe besimi ynë i palëkundur në idenë evropiane të njihen — sepse ne jemi evropianë, në përkushtimin tonë ndaj drejtësisë, në vlerat tona, në shpirtin tonë“, theksoi ministri Misajllovski.
Në ngjarjen e sotme, fjalim mbajti edhe zëvendëskryeministri për sistem politik, Ljupço Dimovski, i cili theksoi: „Me dinjitet të madh, me mirënjohje të thellë dhe të sinqertë, ne u përulemi luftëtarëve dhe partizanëve maqedonas që dhanë jetën e tyre për të fituar lirinë, të cilën populli maqedonas dhe të gjitha kombësitë e këtyre trojeve e kanë dëshiruar me shekuj.
Ata janë themeli i shtetit tonë, dinjitetit dhe ekzistencës sonë si popull, të vetëdijshëm për madhështinë e tyre, sepse maqedonasit, me ndershmërinë, drejtësinë dhe shpirtin e tyre liridashës, në periudhën më të errët të ekzistencës së tyre, qëndruan në anën e duhur bashkë me aleatët dhe të gjitha popujt përparimtarë, duke u kundërvënë okupatorit fashist.
9 Maji është kurora e idesë maqedonase për një shtet të vetin, dita kur u realizuan të gjitha shpresat për të qenë të lirë dhe të pavarur në tokën tonë.
Kjo ditë fitimtare përfaqëson përmbylljen e vuajtjeve dhe sakrificave nga epopeja e Ilindenit dhe të gjitha betejat që populli maqedonas i ka zhvilluar në historinë e vet.
Kjo ditë përfaqëson realizimin e idesë sonë për një Maqedoni të pavarur. Është ideja që ka qenë motivi kryesor për të gjithë pjesëmarrësit maqedonas në vorbullën e luftës, ideja që i ka mbajtur të fortë përmes të gjitha sprovave, sfidave dhe betejave."
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, në fjalimin e tij theksoi: „9 Maji nuk është thjesht një tjetër datë në kalendar. Është dita kur njerëzimi vendosi të mos pajtohet me errësirën. Dita kur sakrifica e miliona njerëzve ndriçoi shtegun drejt një fillimi të ri, ndërsa ne, si shtet, ishim pjesë e asaj lufte. Vendi ynë dha jetët e veta, historitë e veta, heronjtë e vet. Prandaj sot qëndrojmë pikërisht këtu, jo para monumenteve të zakonshme, por para dëshmisë së një historie që formësoi thelbin e asaj që sot e quajmë liri.
Këtu, në këtë vend të heshtjes dhe dinjitetit, ne jo vetëm që kujtojmë të kaluarën, por edhe vlerat që na bashkojnë edhe sot. 9 Maji është një ditë me simbolikë të thellë: fitore mbi fashizmin, por edhe lindja e idesë për një Evropë të bashkuar dhe paqësore.
Si Ministër për Çështje Evropiane, dua të përcjell mesazhin: e ardhmja jonë evropiane nuk është një deklaratë, ajo është një vendim. Është një zgjedhje për një aleancë që na bashkon rreth paqes, lirisë dhe drejtësisë. Evropa nuk është vetëm gjeografike, ajo është një hapësirë morale, e krijuar pikërisht për shkak të sakrificave të heronjve, të cilëve sot u vendosim lule.“