Ligji për energjetikë u votua në Kuvend! Maqedonia fiton ligj evropian për një të ardhme energjetike të pastër, të drejtë dhe të qëndrueshme

"Ligji për energjetikë – u votua në Kuvend! Maqedonia fiton një ligj evropian për një të ardhme energjetike të pastër, të drejtë dhe të qëndrueshme"

Sot, në Kuvend u miratua Ligji i ri për energjetikë – një Ligj sistematik, gjithëpërfshirës dhe reformues që vendos themelet e politikës së re energjetike të vendit. Me këtë, Maqedonia më në fund fiton një kornizë ligjore të qartë, moderne dhe të harmonizuar me standardet evropiane për zhvillimin e sektorit të energjetikës.

Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, në fjalimin e saj përmbyllës para deputetëve theksoi:

"Ligji që miratuam sot përfaqëson një vizion për të ardhmen dhe është themeli i transformimit tonë nacional drejt një të ardhmeje energjetike të pastër, të qëndrueshme dhe të drejtë. Ky është një Ligj që krijon mundësi, por edhe kërkon përgjegjësi."

Ligji është përgatitur përmes një procesi të gjerë dhe gjithëpërfshirës që përfshiu institucione, ekspertë, sektorin e biznesit, operatorë, rregullatorin dhe palë të tjera të interesuara. Përmes më shumë se 61 amendamenteve gjatë procedurës së rregullt ligjvënëse, është arritur një zgjidhje që përmirëson cilësinë, saktësinë dhe zbatueshmërinë e ligjit.

Ligji i ri për energjetikë është në përputhje me Agjendën Reformuese për Ballkanin Perëndimor dhe direktivat evropiane dhe përmban disa shtylla kyçe:

Rritje të ndjeshme të pjesëmarrjes së burimeve të rinovueshme në konsumin final;

Efikasitet më i lartë energjetik dhe reduktim i humbjeve;

Treg i hapur i energjisë ku qytetarët bëhen aktorë aktivë – prodhues, shitës, anëtarë të komuniteteve energjetike.

Kujdes i veçantë i është kushtuar drejtësisë sociale – zgjidhjet ligjore përfshijnë mbrojtjen e kategorive të cenueshme, mbështetje për varfërinë energjetike dhe qasje të drejtë në energji për të gjithë.

Ligji ofron një kornizë stabile, transparente dhe të parashikueshme për investitorët vendas dhe të huaj. Forcon kapacitetet e rregullatorit dhe operatorëve, krijon kushte për integrim më të madh me rrjetet energjetike rajonale dhe evropiane dhe mundëson investime të reja në burime të rinovueshme si dielli, era, në sistemet e ngrohjes, gazifikimit, magazinimit dhe infrastrukturës së rrjetit të digjitalizuar.

"Energjia nuk është vetëm motor i ekonomisë, ajo është bazë për një jetë cilësore. Me këtë Ligj po e hapim derën për një Maqedoni energjetikisht sovrane, të gjelbër dhe evropiane," theksoi ministrja Bozhinovska.

Ky ligj është më shumë se një akt normativ – ai është një udhërrëfyes për të ardhmen. Një mundësi që, siç tha ministrja, nuk duhet ta humbasim.

Ministria do të vazhdojë me zbatim aktiv dhe të përgjegjshëm të ligjit, me fokus të fortë në rezultate që do të ndihen drejtpërdrejt nga qytetarët dhe ekonomia. Ligji është miratuar – tani vijon zbatimi.

Me respekt,

Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale