Sot në Kuvend u mbajt seanca inauguruese për Grupin Ndërpartiak Parlamentar për ndjekjen e Strategjisë Nacionale Zhvillimore. Me seancën kryesoi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Afrim Gashi, i cili është iniciator për formimin e këtij Grupi. Në seancë, përveç anëtarëve, morën pjesë edhe bashkëkryesuesit e Grupit dhe koordinatorët e grupeve parlamentare të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, Nikolla Micevski dhe Oliver Spasovski, si dhe sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev, dhe përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Armend Grigoryan.
Në fjalimin e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev, e theksoi kënaqësinë për këtë iniciativë:
Me kënaqësi e përshëndes iniciativën për formimin e Grupit Ndërparlamentar për ndjekjen dhe avancimin e Strategjisë Nacionale Zhvillimore 2024–2044, e cila u miratua nga Kuvendi me një mbështetje të gjerë politike. Strategjia paraqet një dokument kyç për zhvillimin gjithëpërfshirës, të qëndrueshëm dhe të përshpejtuar të shtetit, në përputhje me synimet për anëtarësim në BE dhe Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm. Gjatë periudhës së kaluar, janë mbajtur një sërë takimesh të Këshillit Nacional për Zhvillim, Bordit Drejtues dhe Komitetit të Punës, në të cilat janë trajtuar tema të rëndësishme si sundimi i ligjit, infrastruktura, energjetika, digjitalizimi, siguria dhe integrimi i refugjatëve. Përmes koordinimit me ministritë dhe konsultimeve me mbi 450 pjesëmarrës, janë propozuar 47 masa që i janë dorëzuar Qeverisë. Është krijuar një sistem për ndjekje përmes Panelit dixhital të kontrollit në www.nrs.mk, ndërsa në bashkëpunim me MANU-në dhe Universitetin e Denverit po zhvillohen skenarë dhe indikatorë për vlerësimin e përparimit. Qeveria do të dorëzojë raporte vjetore në Kuvend, dhe po punohet edhe në një Hartë Investimesh si pjesë e modelit reformues për zhvillim. Vazhdojmë me zbatim dinamik, me falënderim për partnerët UNDP dhe Ministrinë e Financave të Sllovakisë.
Në fjalimin e tij, kryetari Gashi theksoi se iniciativën për formimin e këtij Grupi Ndërpartiak e ka ndërmarrë i udhëhequr nga rëndësia që ka Strategjia Nacionale Zhvillimore për Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga përmasat e reformave që priten të zbatohen përmes saj, roli kyç i Kuvendit në procesin e marrjes së vendimeve dhe përfshirja aktive e tij në koordinimin e proceseve në nivel shtetëror, si dhe roli mbikëqyrës i Kuvendit ndaj pushtetit ekzekutiv. Ai theksoi se Strategjia Nacionale Zhvillimore është dokumenti strategjik kyç që përcakton vizionin për zhvillimin e shtetit dhe bazohet në tre synime kombëtare të zhvillimit: forcimi i konkurrueshmërisë së ekonomisë, modele të hapura të qeverisjes dhe përfshirje sociale. Kjo strategji siguron kohezion; rigjallërim demografik, zhvillim social dhe kulturor; një shoqëri të sigurt, të mbrojtur dhe të qëndrueshme; sundim të ligjit dhe qeverisje të mirë, si dhe transformim të gjelbër.
Bashkëkryesuesi Micevski theksoi se në kohë sfidash globale gjeopolitike, klimatike dhe politike, ndryshimesh të shpejta teknologjike dhe pabarazive sociale në rritje, Maqedonia meriton dhe ka nevojë për një vizion të qartë, gjithëpërfshirës dhe afatgjatë. Strategjia Nacionale Zhvillimore është dokument shtetëror që është shumë i lidhur ngushtë me qëllimin tonë strategjik - integrimin në Bashkimin Evropian. Shumë nga prioritetet e përmbajtura në Strategji — sundimi i së drejtës, transformimi ekologjik, digjitalizimi, përfshirja sociale — janë vlera dhe standarde evropiane. Me këtë strategji, Maqedonia tregon se është e gatshme jo vetëm t’i afrohet Bashkimit Evropian, por edhe të zbatojë në mënyrë thelbësore vlerat evropiane.
Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Grigorian, tha se themelimi i këtij Grupi Parlamentar Ndërpartiak është një hap strategjik që paraqet konsensus të fortë nacional mbi rëndësinë e mbikëqyrjes, transparencës dhe zbatimit gjithëpërfshirës të Strategjisë Nacionale Zhvillimore. E zhvilluar dhe e miratuar përmes procesit të gjerë dhe pjesëmarrës, duke bashkuar zëra nga të gjithë sektorët e shoqërisë dhe politikës për të krijuar së bashku një të ardhme me zgjidhje të qëndrueshme. UNDP-ja është e përkushtuar të ndihmojë në zbatimin e saj duke ofruar mbështetje teknike, zhvillim kapacitetesh dhe ndjekje dhe harmonizim efektiv me prioritetet e anëtarësimit në BE dhe Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Të pranishmit iu referuan edhe sistemit të vendosur për ndjekjen e SNZH-së përmes panel kontrollit digjital në www.nrs.mk dhe në bashkëpunim me ASHAM-in dhe Universitetin e Denverit, po zhvillohen skenarë dhe tregues për vlerësimin e progresit. Me mbështetjen e partnerëve, UNDP-së dhe Ministrisë së Financave të Sllovakisë, zbatimi i Strategjisë Nacionale Zhvillimore do të zbatohet në periudhën e ardhshme me pjesëmarrjen aktive të të gjitha palëve të interesuara.