Nikolloski: Marrëveshjen Qeveri me Qeveri do ta nënshkruajm të enjten në Londër. Maqedonia përfiton historikisht shumën më të madhe të mjeteve për realizimin e projekteve kapitale

Një nga vendimet në mbledhje është që Qeveria e Republikës së Maqedonisë të pranojë Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar lidhur me partneritetin për realizimin e projekteve infrastrukturore, pra Marrëveshjen Qeveri me Qeveri.

Qëllimi i Marrëveshjes është të vendosë partneritet për mbështetjen e realizimit të projekteve infrastrukturore në sektorët e shëndetësisë, transportit, teknologjisë, energjetikës, transformimit digjital dhe sektorëve të tjerë kritikë në Republikën e Maqedonisë.

Grupi fillestar i projekteve është përmendur tashmë në opinion në pjesën e shëndetësisë dhe të transportit. Gjithashtu shumë me rëndësi për mua është të shkëmbehen njohuri dhe praktika duke përdorur ekspertizën nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe nga subjektet afariste britanike për të mbështetur realizimin e projekteve, por gjithashtu edhe transformimin e administratës publike dhe sektorin privat me ekspertizën nga komuniteti i biznesit britanik, por edhe nga agjencitë qeveritare.

Do të shkëmbehen njohuri në fushën e shëndetësisë, transportit, teknologjisë, energjetikës dhe sektorëve kritikë, ndërsa për ndërtimin e kapaciteteve të Qeverisë së Maqedonisë do të përdoret ekspertiza nga Mbretëria e Bashkuar. Ky bashkëpunim do të jetë në përputhje me legjislacionin në fuqi, rregullat dhe politikat e të dyja vendeve. Pjesëmarrësit do të punojnë së bashku për të eksploruar mundësitë për mobilizimin e mjeteve për financimin e projekteve dhe ajo që është shumë e rëndësishme, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar konfirmon interesin dhe kapacitetin përmes Instrumentit për Financimin e Eksportit – UKEF, me ç’rast vihen në dispozicion 5 miliardë paund apo 6 miliardë euro për realizimin e projekteve në Maqedoni. Theksoj se ky do të jetë financim projektesh dhe financim që do të realizohet ekskluzivisht përmes projekteve. Kjo është kornizë që nuk do të thotë se do të shfrytëzohet e tëra, por është një kornizë në dispozicion që mund ta përdorim.

Ajo që më bën krenar është që kemi pranuar ftesë zyrtare nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe një ftesë për mua, për të nënshkruar këtë Marrëveshje Qeveri me Qeveri më 22 maj, që është këtë të enjte dhe mund t’ju informoj se Qeveria më ka autorizuar ta nënshkruaj këtë marrëveshje. Do të udhëheq një delegacion qeveritar që përveç meje do të përfshijë edhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin për mjedis jetësor Izet Mexhitin, ministren e arsimit Vesna Janevskën, drejtorin e NP për Infrastrukturë Hekurudhore Sinisha Ivanovski dhe bashkëpunëtorë të tjerë dhe mendoj se do të kemi dy ditë të frytshme bashkëpunimi. Nesër kemi takime me ministrin e punëve të brendshme të Mbretërisë së Bashkuar dhe me ministrin e mbrojtjes, si dhe takime me përfaqësues nga Instrumenti për Financim. Të enjten është ceremonia kryesore dhe po ashtu të enjten do të kem takim edhe me drejtorin e "Ryanair", prej ku pres të dalin edhe fluturime të reja drejt Shkupit.

Vlerësoj se bëhet fjalë për një moment historik, për një datë që do të mbetet në analet e historisë maqedonase, 22 maji do të jetë një datë që do të përmendet gjatë në historinë maqedonase sepse bëhet fjalë për marrëveshjen më të madhe që Maqedonia ka arritur ndonjëherë me ndonjë shtet.

Nuk bëhet fjalë për një shtet të zakonshëm, por për fuqinë e dytë botërore, një shtet me të cilin kemi bashkëpunim të shkëlqyer brenda Aleancës së NATO-s, pjesë e civilizimit perëndimor, që vë në dispozicion më shumë mjete dhe për mua më i rëndësishmi është momenti politik, sepse po hyjmë në partneritet me një aleat kyç perëndimor që qartë e përcakton politikën e Qeverisë, por gjithashtu edhe pozitën e Maqedonisë si një shtet i orientuar pro-perëndimor dhe shtet që respekton vlerat euroatlantike. Jam gjithashtu i lumtur që Mbretëria e Bashkuar ka shpallur se ka arritur marrëveshje me BE-në, që do të thotë se në një paketë kemi tre aleatët kyç të Maqedonisë, e ato janë BE-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja” – theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.