Zëvendësministri Risteski kryeson delegacionin maqedonas në China-CEEC Expo 2025 në Ningbo

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës Marjan Risteski është kryesuesi i delegacionit maqedonas që merr pjesë në Panairin e katërt për bashkëpunim të Kinës me shtetet e Evropë Qendrore dhe Lindore për shkëmbimin e mallrave dhe tregti (China-CEEC Expo 2025), i cili mbahet nga 22 deri më 25 maj në qytetin Ningbo. 

Përveç Risteskit, delegacioni maqedonas përbëhet nga përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, si dhe 14 kompani maqedonase që marrin pjesë në panairin. 

Panairi China-CEEC Expo 2025 sivjet mbahet me titullin “Vizion i ri për të ardhmen”, në kuadër të të cilit do të mbahen  më shumë se 100 ngjarje të veçanta, ndërsa qëllimi është zhvillimi i bashkëpunimit tregtar midis Kinës dhe shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe prezantimi i mundësive për investime. 

Në kuadër të vizitës, Risteski realizoi takim me zëvendësministrin e Tregtisë të Republikës Popullore të Kinës, përgjegjës për Tregtinë e Jashtme, z. Ling Xhi (Ling Ji), ku diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm ekonomik midis dy shteteve. 

Zëvendësministrat Risteski dhe Xhi u pajtuan se bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve është në nivel të lartë dhe se ka potencial dhe mundësi të mëdha për zgjerimin e tij. Ata u angazhuan të punojnë në mënyrë aktive për të forcuar komunikimin për zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare midis dy shteteve. 

Mekanizmi i bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL) ekziston që nga viti 2012 dhe deri më tani ka dhënë rezultate të shkëlqyera, e në tre panairet e fundit tregtare më shumë se 3.000 kompani nga EQL prezantuan produktet e tyre.