Nikolloski nga Londra: Fillojmë histori të re për zhvillimin e Maqedonisë, Marrëveshja me Mbretërinë e Bashkuar do të sjell bum ekonomik

Është me të vërtetë një privilegj dhe nder të jesh këtu me delegacionin nga Qeveria e Maqedonisë. Sot me mua janë zëvendëskryeministri dhe ministër për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, drejtori i Hekurudhave, këshilltar nga kabineti i kryeministrit dhe përfaqësues nga kabineti im dhe me të vërtetë ndihemi të nderuar që, jo vetëm që jemi në Londër dhe në Ministrinë për Tregti dhe Biznes, por edhe në këtë hapësirë historike, “Dhoma e Çërçillit”. Konsideroj se kjo është një shenjë dhe sinjal i fuqishëm për partneritetin tonë, është privilegj të jesh pikërisht në këtë dhomë dhe të nënshkruhet marrëveshja ndërqeveritare pikërisht në këtë hapësirë.

Partneritetin strategjik me Mbretërinë e Bashkuar e shohim si diçka që do ta çojë Maqedoninë në një nivel të ri. Sot po nënshkruajmë një Marrëveshje Qeveri me Qeveri për projekte zhvillimore-infrastrukturore në sektorë kyç, siç janë: transporti, arsimi, mjedisi jetësor, teknologjia e informatikës, si dhe sektorë të tjerë që do t’i zhvillojmë – këtu përfshihet shëndetësia, por edhe arsimi – dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në periudhën që vjen.

Jemi me të vërtetë mirënjohës që Mbretëria e Bashkuar, përmes Instrumentit të saj për mbështetje të financimit të jashtëm, ka vendosur një kornizë prej 5 miliardë paund, që është marrëveshja më e madhe që Maqedonia ka nënshkruar ndonjëherë në historinë e saj në aspektin ekonomik. Jemi me të vërtetë falënderues për këtë dhe e shohim si një mundësi të shkëlqyer për zhvillimin e tërë shtetit.

Tashmë kemi tre projekte që janë të përgatitura. Projekti për hekurudhën e shpejtë në Korridorin 10, projekti shëndetësor për spitalet, dhe sigurisht projekti arsimor për Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa periudhën e ardhshme do të kërkojmë projekte të reja në sektorët e energjetikës dhe mjedisit jetësor, por sigurisht edhe projekte të tjera.

Ajo që është edhe më e rëndësishme për ne është se do ta shfrytëzojmë përvojën, por edhe ekspertizën më të mirë nga administrata publike britanike, si dhe nga sektori i biznesit britanik, me çka administrata jonë dhe sektori ynë i biznesit do të arrijnë një nivel krejtësisht të ri. Do të dëshiroja të ju falënderoj personalisht ju, ministër, për angazhimet gjatë muajve të kaluar, të falënderoj Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, si dhe Kryeministrin Starmer, të cilin e takuam javën e kaluar.

Me të vërtetë presim me padurim nënshkrimin e Marrëveshjes për partneritet strategjik dhe, së bashku me këto dy marrëveshje, ne do të vendosim marrëdhënie krejtësisht të reja midis dy vendeve tona. Ne jemi aleatë në NATO, por këto marrëveshje dypalëshe do të na çojnë në një nivel tërësisht të ri të bashkëpunimit tonë dhe jam me të vërtetë mirënjohës që jemi shteti i parë që nënshkruan një marrëveshje të këtij lloji,” – deklaroi zëvendëskryeministri Nikolloski pas nënshkrimit.