Vitin e kaluar, tre avionët që i kemi në dispozicion për fikjen e zjarreve ishin në tokë, nuk ishin servisuar dhe nuk kishin leje përdorimi për t’u pilotuar.
Fatkeqësisht, pilotët ishin të pakënaqur dhe në pension dhe na u desh t’i rikthenim dhe sigurisht nuk kishte asnjë protokoll zyrtar se si funksionon hierarkia vertikale e komandës për t’u përballur me zjarret, deklaroi Kryeministri Hristijan Mickoski në debatin mbikëqyrës për ndotjen e ajrit në Kuvend, duke theksuar se këtë vit ka plan dhe shteti është më i përgatitur të përballet me zjarret nëse ka. Kryeministri Mickoski theksoi se një nga problemet, fatkeqësisht, është dualizmi në dy institucione dhe jo vetëm kaq, në shumë nivele ka mungesë koordinimi në politikën komanduese për përballjen me zjarret. Konkretisht, kemi Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Qendrën për Menaxhim të Krizave, dhe kjo po ndryshohet. Si Qeveri, kemi dhënë detyrë diku nga tetori të fillojmë procesin e bashkimit të këtyre dy institucioneve në një të vetëm dhe kjo është edhe kërkesë e NATO-s si reformë. Të dimë cili është ai institucion që njofton, ndërhyn dhe mban përgjegjësi vertikale. Po ashtu, edhe komunat, zjarrfikësit, por edhe shoqatat vullnetare që shpesh aktivizohen dhe për këtë marrin honorare. Nëse i gjithë ky sistem funksionon pa probleme, ne nuk do të kemi nevojë për ndërhyrjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme apo Armatës. Natyrisht, gjatë sezonit duhet të dimë se kush lëviz në pyje, të njohim njerëzit dhe ku ka përgjegjësi në rast se ndodh zjarr. Këtë vit do të ketë ndalim për lëvizjen në pyje, dhe kushdo që dëshiron të lëvizë, të bëjë sport apo të ngjitet në mal, do të mund të marrë një leje të përshtatshme. Nga ana tjetër, ai që është përgjegjës për infrastrukturën, rrugët hyrëse në pyje, është Pyjet Kombëtare, vitin e kaluar ata kishin punonjës të demotivuar dhe pagat e papaguara dhe u punësuan prerës druri që nuk ishin të përgatitur për punën që duhej të bënin, nuk kishte naftë, automjetet ishin të garazhuara, ishte e vështirë të kalohej gjithçka. Ne ndërhymë hap pas hapi”, theksoi Kryeministri Mickoski.
Mickoski shtoi se po bëhen përgatitjet e fundit, ekziston edhe një trup i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Ljupço Dimovski, ku janë ministrat dhe drejtorët përkatës të institucioneve. Jemi të përgatitur të ndërhyjmë në një mënyrë më të organizuar këtë vit. Kemi një plan, do të dimë saktësisht se kush është në pyje, vlerësoj se këtë vit nuk do të doja të kishte zjarre, por jemi shumë më të përgatitur, potencoi kryeministri Mickoski.