Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në seancën mbikëqyrëse në Kuvend, e dedikuar për mjedisin jetësor, në pyetjen nëse do të zbatohet digjitalizimi në shëndetësi dhe nëse do të krijojmë një sistem shëndetësor që do të reagojë në mënyrë të përshtatshme, theksoi se kjo është një nga prioritetet dhe shpreson që në periudhën që vjen, veçanërisht në fushën e digjitalizimit, do të kemi përparim. Mickoski theksoi se efektet e ndotjes, gjegjësisht mjedisi jetësor i paorganizuar, ndikojnë më së shumti në shëndetësi dhe në shërbimet shëndetësore. Nëse do të kishim një mjedis jetësor më cilësor dhe më të organizuar, atëherë qytetarët do të kishin më pak nevojë për shërbime shëndetësore. Kryetari i Qeverisë theksoi se Buxheti i Fondit të Shëndetësisë është historikisht më i madh deri tani, 53 miliardë denarë, nëse e krahasojmë me vitet e kaluara, kemi 300 milionë euro më shumë në këtë buxhet krahasuar me ato në të kaluarën. Mjedisi jetësor është pjesë e parandalimit, për të cilin është bërë shumë pak në të kaluarën. Por, ky është një proces dhe nuk do të përfundojë shpejt, një proces që do të zgjasë me vite, ndoshta edhe me dekada. Mickoski edhe një herë theksoi se fatkeqësisht shumë gjëra duhet t’i fillojmë tani, ndër to edhe kjo, por kjo ishte gjendja me të cilën u përballëm gati para një viti.