Mickoski: Qeveria miratoi Plan Operativ për punësim me vlerë prej 40 milionë eurosh, i cili përfshin mbi 16.000 qytetarë

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Zonja dhe zotërinj,

Një nga prioritetet kryesore të Qeverisë në këtë mandat është rritja e mirëqenies së qytetarëve, ulja e papunësisë dhe krijimi i masave që do të synojnë një treg pune të balancuar dhe efektiv.

Së bashku luftojmë për një të ardhme të përbashkët, për një jetë më të mirë për qytetarët.

Të mos harrohet se gjetëm një kaos – punëtorë që nuk merrnin rroga rregullisht, të rinj që shihnin mungesë perspektive, prodhim industrial me bilanc negativ dhe inflacion të madh.

Me këtë u përballëm çdo ditë gjatë pothuajse një viti pune të kësaj Qeverie.

Prandaj, në mbledhjen e fundit formuluam një plan operativ për punësim, masa dhe programe që do të ofrojnë punë dhe mbështetje në punësim me vlerë prej 40 milionë eurosh, me të cilat do të përfshihen mbi 16 mijë bashkëqytetarë tanë.

Përsëris se në planin operativ për programet dhe masat aktive për punësim dhe shërbimet në tregun e punës për vitin 2025, përcaktohen programet, masat dhe shërbimet për punësim që do të mundësojnë krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e punësimit të personave të papunë, veçanërisht të të rinjve, të papunëve afatgjatë dhe përfituesve të ndihmës minimale të garantuar.

Sipas Planit Operativ për vitin 2025, është parashikuar të përfshihen gjithsej 16.057 persona të papunë, nga të cilët 12.537 persona në masa aktive për punësim dhe 3.520 persona në shërbime për punësim.

Ky plan përfshin dy pika kryesore.

E para është mbështetja direkte për biznese start-up nga të rinjtë, që ishte edhe një nga premtimet e mia për të rinjtë.

Puna e dytë është një qasje e organizuar në luftën kundër zjarreve, një problem veçanërisht i theksuar gjatë periudhës së verës, për çka do të punësohen 400 zjarrfikës që do të jenë në dispozicion të komunave ku do të ketë nevojë, si dhe punësimi i 600 personave të papunë që do të angazhohen në punë publike dhe projekte komunale në fushën e infrastrukturës dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor në nivel lokal.

Për herë të parë shteti angazhon një numër kaq të madh të personave që do të ndihmojnë në përballimin me zjarret, pasi që e gjetëm të shkatërruar të gjithë sistemin për menaxhimin e zjarreve. Në këtë mënyrë po përgatitemi për sfidat që na presin këtë verë dhe po ndërmarrim veprime me të cilat do të jemi të gatshëm.

Sa i përket masave për të rinjtë.

Pritet që rreth 65% e personave të përfshirë të jenë të rinj deri në moshën 29 vjeç, veçanërisht sepse të gjitha masat janë krijuar kryesisht për të përfshirë këtë kategori dhe gjithashtu ekzistojnë masa që synojnë posaçërisht këtë grup qytetarësh. Të rinjtë janë vënë në fokus me qëllim të ndalimit të largimit të të rinjve nga vendi dhe fuqisë punëtore, pasi ata janë e ardhmja e shtetit dhe strategjitë ekonomike të çdo shteti serioz duhet të ndërtohen mbi bazën e mundësive dhe kapaciteteve të të rinjve. Si pjesë e këtij seti masash do të veçonim dhe nëse më lejoni, do t’i shpjegoj shkurtimisht:

- Mbështetja për vetëpunësim – për të rinjtë e papunë deri në moshën 29 vjeç, që sipas projeksioneve përfshin rreth 720 persona. Me këtë masë, personat e papunë marrin mbështetje për të nisur ose për të formalizuar biznesin e tyre, me kusht që të jenë të regjistruar në APRMV dhe të kenë përfunduar së paku arsimin fillor. Shuma e mbështetjes financiare është 615.000 denarë (mjete të pakthyeshme për themelimin e biznesit) dhe 3.000 denarë për mbulimin e një pjese të shpenzimeve për regjistrimin e subjektit juridik.

- Pastaj, mbështetje për vetëpunësim - përmes bashkimit në një SHPK, që parashikohet të përfshijë 400 persona, nga të cilët 220 të rinj deri në moshën 29 vjeç, e cila synon të mundësojë që të papunët të fillojnë ose të formalizojnë biznesin e tyre, me kusht që të jenë të regjistruar në APRMV dhe të kenë të paktën arsim fillor të përfunduar. Shuma e mbështetjes financiare varion nga 861.000 denarë deri në 1.230.000 denarë (subjekt juridik me dy ortakë). Shuma më e ulët prej 861.000 denarësh vlen për dy ortakë mbi moshën 29 vjeç, ndërsa shuma më e lartë prej 1.230.000 denarësh vlen për dy ortakë nën moshën 29 vjeç. Gjithashtu, ortakët mund të jenë një person nën 29 vjeç dhe një mbi 29 vjeç. Parashikohen gjithashtu edhe 3.000 denarë për mbulimin e një pjese të kostos për regjistrimin e subjektit juridik.

- Pastaj, masa për praktikantë, qëllimi i së cilës është të përfshijë 1.352 të rinjve deri në moshën 29 vjeç për të fituar njohuri dhe aftësi praktike të nevojshme për kryerjen e detyrave të caktuara të punës, me një nga kushtet që të kenë të paktën arsim të mesëm të përfunduar.

- Shtesa për të rinj për 3.500 persona deri në moshën 23 vjeç që do të punësohen ose janë të punësuar në sektorin e prodhimit. Kjo masë synon forcimin e kapaciteteve të ekonomisë me qëllim nxitjen e angazhimit të të rinjve deri në moshën 23 vjeç për punësim në sektorin e prodhimit pas përfundimit të arsimit të mesëm, duke kontribuar kështu në përmirësimin e standardit të tyre jetësor përmes punës dhe përmbushjes së nevojave të punëdhënësve me fuqi punëtore të kualifikuar. Lartësia e mbështetjes financiare është 3.000 denarë në muaj për çdo person të punësuar.

Dhe sigurisht, projekte dhe masa të tjera për punësimin e të rinjve të përfshira në planin operativ vjetor.

Përveç faktit që fokusi i Planit Operativ për vitin 2025 është veçanërisht i orientuar drejt të rinjve deri në moshën 29 vjeç, ai gjithashtu ofron ndihmë për personat të papunë afatgjatë, përfituesit e ndihmës minimale të garantuar dhe përkrahje për kategori të tjera të cenueshme të qytetarëve. Më lejoni t’i rendis shkurt disa nga programet dhe masat:

- Mbështetje për vetëpunësim (sipërmarrësi) - për persona të papunë mbi 29 vjeç, që ka potencial të përfshijë 610 qytetarë;

- Mbështetje për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, përfshirë 150 persona;

- Trajnim në vendin e punës te punëdhënës konkret, me përfshirje të 245 personave të papunë të regjistruar në APRMV;

- Trajnime për profesione të kërkuara në tregun e punës për 600 persona të papunë;

- Trajnime për drejtues automjetesh për kategoritë C, CE dhe D për 200 persona të papunë të regjistruar në APRMV;

- Gjithashtu trajnime për gjuhë të huaja, aftësi bazë kompjuterike dhe shumë masa e programe të tjera.

U bëjmë thirrje qytetarëve, subjekteve juridike dhe opinionit që të njihen në tërësi me mundësitë që ofron plani operativ për programet dhe masat aktive për punësim dhe shërbimet në tregun e punës për vitin 2025, si dhe me kushtet dhe përfitimet që ofrohen.

Plani operativ ka për qëllim të ulë papunësinë dhe të shfrytëzojë të gjithë kapacitetin njerëzor të Maqedonisë drejt zhvillimit të ekonomisë dhe sigurimit të një jete më të mirë për qytetarët.

Ky plan është rezultat i një analize të thelluar të nevojave të tregut të punës dhe të nevojave të personave që kërkojnë punë.

Çdo person është i rëndësishëm dhe prandaj si Qeveri do të angazhohemi për të hapur më shumë vende pune, të sigurojmë punësim dhe të ardhme për çdo qytetar këtu, në shtëpi – në Maqedoni.