Miteva: Do të punësohen 400 zjarrfikës

Të nderuar qytetarë, të nderuar përfaqësues të mediave, ju faleminderit për praninë tuaj.

Sot, me një ndjenjë të veçantë përgjegjësie, kam për qëllim të flas për masën e re të Qeverisë, e cila është pjesë e planit operativ për punësim: “Punë publike për mbrojtje dhe parandalim nga zjarret”. Ky është një program që zbatohet për herë të parë në shtetin tonë.

Me këtë masë, si shtet po bëjmë një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm – nga politika reaktive drejt politikës proaktive në fushën e mbrojtjes nga zjarret dhe ruajtjes së mjedisit jetësor. Në vend që të veprojmë të paorganizuar dhe vetëm pasi të jenë bërë dëmet, sot po fillojmë një proces të përgatitjes në kohë, parandalim dhe mobilizim të resurseve dhe njerëzve.

Masa parashikon përfshirjen e 400 personave të papunë, të cilët do të angazhohen në punë publike me fokus në krijimin e brezave kundërzjarrit dhe aktivitete të tjera për parandalimin dhe uljen e rrezikut nga zjarret. Dua të theksoj se çdo pjesëmarrës i angazhuar do të marrë mbështetje financiare mujore prej 24.000 denarësh. Gjithashtu është e rëndësishme të theksohet se të gjithë ata që do të tregojnë interes, përkushtim dhe gatishmëri të lartë, pas përfundimit të kësaj mase, do të angazhohen në mënyrë të përhershme përmes punësimit në institucionet kompetente për këtë punë.

Kjo masë ka efekt të dyfishtë – social dhe ekologjik.

Nga njëra anë, sigurojmë të ardhura dhe përfshirje të personave të papunë, duke ofruar mbështetje konkrete për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve. Nga ana tjetër, kemi krijuar një sistem funksional dhe të qëndrueshëm për mbrojtje nga zjarret, i cili është planifikuar të përfshijë 14 komuna në të gjithë shtetin – komuna ku ka njësi territoriale të zjarrfikësve.

Aplikimi do të zhvillohet në mënyrë transparente përmes Thirrjes Publike, e cila do të shpallet nga komunat. Çdo person që ndjen se është i përgatitur dhe i motivuar të japë kontribut në këtë mision të përbashkët, do të mund të aplikojë duke dorëzuar kërkesën dhe aplikacionin. Vetëqeverisjet lokale në këtë rast do të kenë një rol aktiv në zbatimin e saj, sepse lufta kundër zjarreve është një përgjegjësi që e ndajmë – nga niveli qendror deri te ai lokal.

Më lejoni të theksoj edhe disa gjëra të tjera:

si Qeveri, këtë masë e shohim si një qasje të re. Një kuptim të ri të interesit publik, të ndërhyrjes në kohë, të një shteti që është i pranishëm para, e jo pas katastrofës. Zjarret, të cilat përbënin një problem kronik me pasoja afatgjata, veçanërisht për zonat rurale dhe pyjore, nuk do të jenë më diçka që si Qeveri do ta presim në mënyrë pasive – por diçka për të cilën përgatitemi aktivisht ta parandalojmë.

I ftojmë të gjithë qytetarët, veçanërisht ata që kërkojnë një mundësi për të kontribuar në të mirën e përbashkët dhe për të fituar përvojë të dobishme pune, të paraqiten përmes komunave të tyre. Roli i tyre do të jetë kyç. Çdo rrugë e pastruar, çdo jetë njerëzore e shpëtuar – do të jetë dëshmi se kjo masë është një masë që bën ndryshim.

Ju faleminderit.