Mickoski me thirrje deri te opozita: Të lobojmë së bashku që Parlamenti Evropian t’a votojë raportin për identitetin dhe gjuhën maqedonase shumëshekullore dhe të veçantë

Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski në seancën e sotme për pyetje të deputetëve i bëri thirrje opozitës të lobojë së bashku me qeverinë te eurodeputetët për të votuar raportin për vendin, i cili përfshin identitetin maqedonas të veçantë dhe shumëshekullor, të lidhur me kombin dhe me gjuhën maqedonase. Njëkohësisht, sa i përket çështjes së ndryshimeve kushtetuese, ai theksoi se përderisa nuk ka maqedonas në Komitetin bullgar për pakicat, nuk do të ketë asnjë lëvizje, as edhe një milimetër, nga qëndrimet tona.

Kryeministri Mickoski theksoi se sfidën për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim përfshirjen e një pjese të bashkëqytetarëve tanë që e identifikojnë veten si pjesëtarë të komunitetit bullgar, me qëllim që të mund të mbahet Konferenca e Dytë Ndërqeveritare, e ka pranuar qeveria e mëparshme me pranimin e propozimit francez, dhe ky është një fakt, ndërsa qeverisë aktuale i mbetet të përgatisë një strategji se si të tejkalohet kjo pa lejuar kërkesa të reja.

- ‎Si Qeveri, kur e keni këtë përpara jush, uleni dhe përgatisni një strategji, dhe thoni se a jemi në këtë lojë për t’u gjetur në vijën e nisjes apo për ta përfunduar garën. Nëse shikoni në mënyrë shtetërore dhe më gjerë, atëherë pyesni çfarë fitojnë qytetarët dhe shteti, duke pasur parasysh se ministri i Punëve të Jashtme i fqinjit tonë lindor tha se ky është vetëm fillimi, e jo fundi i kërkesave, do të shohim çfarë do të ndodhë më tej. Kur e keni këtë fakt para vetes, atëherë është logjike të krijoni një strategji për të ardhmen dhe si qeveri po krijojmë një strategji për më tej,” tha kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski theksoi se tani kemi testin e parë, nga ana e vendeve anëtare të BE-së, duhet të miratohet dokument për të drejtat e pakicave i pregatitur nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme dhe do të shohim se si do të reagojë fqinji jonë lindor, Bullgaria.

- ‎Por, para kësaj ka një hyrje tjetër dhe ky është raporti i raportuesit për gjendjet këtu në Maqedoni, i cili të mërkurën do gjendet para eurodeputetëve, ku do të flitet për identitetin e veçantë dhe shumëshekullor maqedonas dhe për gjuhën e veçantë maqedonase, që janë të lidhura me kombin, e jo me territorin e shtetit – dhe kjo është shumë e rëndësishme, sepse ka maqedonas në mbarë botën. Do të shohim si do të sillen deputetët që vijnë nga Bullgaria. Nga ajo që kemi si informacion dhe nga amendamentet e dorëzuara, nuk jam optimist për sjelljen e tyre proevropiane  por i ngjan më shumë kushteve të Mesjetës. Në këtë raport thuhet se kemi një identitet maqedonas të veçantë, të ndryshëm nga i tyre, jo pas vitit 1945, por shekuj më parë, si dhe një gjuhë maqedonase dhe nëse ky nuk është problem, atëherë eurodeputetët kanë mundësi dhe atje votohet me shumicë, jo unanimisht – prandaj kërkoj nga opozita, e cila është pjesë e disa familjeve politike që kanë eurodeputetë, të lobojnë në drejtim të pranimit të këtij raporti, potencoi kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski theksoi se në këtë mënyrë për herë të parë në histori, Parlamenti Evropian do të përfshijë në një raport identitetin e veçantë dhe shumëshekullor maqedonas, të lidhur me kombin dhe me gjuhën maqedonase, për të cilin votimi pritet të mbahet në korrik.

Në Bullgari ekziston një Komitet në të cilin bëjnë pjesë përfaqësues të pakicave si Romët, Turqit dhe Armenët, e nuk e meritonim edhe ne Maqedonasit – që kemi 14 aktgjykime në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg – një vend në atë komitet, kurse ata paskan merituar vend në Preambulën tonë. Derisa të mos shoh aty një Maqedonas që është pjesë e atij komiteti – për çka të gjithë duhet të punojmë, nuk do të lëviz as një milimetër derisa të jem kryeministër i kësaj qeverie, deklaroi kryeministri Mickoski.