Mickoski: Ministri nga BDI-ja në vend që të kujdesej për shkollën në Norovë, u përkujdes për nevojat e një universiteti privat – Unë ju premtoj se do të kujdesem për nxënësit edhe në Norovë edhe në Leshok dhe në gjimnazin "Kirill Pejçinoviq"

Në seancën e sotme të Kuvendit të dedikuar për pyetje parlamentare, kryeministri i Qeverisë, Hristijan Mickoski, u përgjigj në pyetje të deputetëve lidhur me gjendjen e shkollës në fshatin Norovë dhe kushtet në të cilat mësojnë nxënësit.

“Edhe unë jam profesor i rregullt në universitet dhe për mua është shumë e rëndësishme kur fëmijët dëshirojnë të mësojnë dhe kur dëshirojnë të fitojnë dituri dhe arsimim të drejtë, pavarësisht nëse janë maqedonas, shqiptarë, turq, vllehë, serbë, boshnjakë, romë apo nga ndonjë komunitet tjetër etnik. Do të bëj gjithçka që është në fuqinë time, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën, që nxënësit të fitojnë diturinë e nevojshme. Ashtu siç kujdesem për nxënësit nga Norova, kujdesem edhe për gjimnazistët nga "Kirill Pejçinoviq", për nxënësit e shkollës fillore nga Leshoku dhe për të gjithë nxënësit në Maqedoni, pavarësisht se ku ndodhen”, tha kryeministri.

Ai më pas theksoi se për përmirësimin e kushteve në gjimnazin e Tetovës janë parashikuar mjete të dhuruara nga një kompani me përgjegjësi shoqërore, të cilat në përputhje me ligjin dhe procedurat dhe me votat e të gjithë këshilltarëve nga të gjitha partitë, janë miratuar. Mickoski gjithashtu njoftoi se personalisht do ta vizitojë Norovën dhe do të bisedojë me prindërit e nxënësve me qëllim që të gjendet një zgjidhje dhe rasti të mos keqpërdoret politikisht.

“Por gjendja faktike atje është siç vijon. Përgjegjëse është komuna, por janë përgjegjës edhe ata që me donacione kanë vendosur të ndërtojnë një objekt në një parcelë të parregulluar ligjërisht dhe urbanistikisht. Ka ligje në shtet dhe duhet t’i respektojmë ato ligje. Ja, unë ju ftoj që së bashku të shkojmë në Norovë, të marrim me vete ligjin për planifikim urbanistik, ligjin për tokë ndërtimore, ligjin për ndërtim dhe Kushtetutën, të gjejmë një parcelë dhe të bëjmë diçka për këta fëmijë”, tha kryeministri Mickoski dhe shtoi: “Në shumë objekte në të gjithë territorin e Maqedonisë nevojiten ndërhyrje dhe në shumë objekte fëmijët mësojnë në kushte nën standard. Fatkeqësisht, shumë është vjedhur. Tani ato para që janë vjedhur kanë përfunduar në xhepa privatë – qoftë për blerjen e qendrave tregtare, për blerjen e automjeteve luksoze, Rolls Royce, Maybach Mercedes, kompani apo diçka tjetër – në vend që të përfundonin në një shkollë për fshatin Norovë.”

Kryeministri Mickoski theksoi se ata që janë pasuruar në kurriz të fëmijëve dhe kanë ndërtuar pallate luksoze do të përgjigjen, pa marrë parasysh nga cila parti politike vijnë.

“Edhe mua më dhemb kur i shoh në çfarë kushte këta fëmijë fitojnë dituri, ashtu siç më dhemb edhe kur i shoh fëmijët nga Leshoku dhe nga gjimnazi "Kirill Pejçinoviq" se në çfarë kushtesh mësojnë. Më kujtohet gjatë vizitave të mia kur ishim në opozitë, kur lutesha te ministri i Arsimit nga BDI-ja që të kujdesej dhe të përmirësonte kushtet që këta nxënës të fitojnë dituri të denjë, përfshirë edhe ata në fshatin Norovë. Fatkeqësisht, ai në atë kohë vendosi të merrej më shumë me nevojat e një universiteti privat në jugperëndim të Maqedonisë, në vend që të investonte për nxënësit në fshatin Norovë,” përfundoi kryeministri Mickoski.