Beluli: Qytetarët duhet të jenë të bindur për transparencën gjatë përzgjedhjes së personave për trajnime

“Ne në Agjencinë për Punësim jemi përgatitur intensivisht për realizimin e këtij Plani Operativ dhe masave aktive për punësim. Janë përgatitur të gjitha materialet dhe dokumentet e nevojshme për këtë, është përgatitur edhe softueri i Agjencisë, ku do të ketë mundësi që të gjitha aktivitetet që do të zhvillohen të ndiqen, si në nivel lokal në Qendrat për Punësim, ashtu edhe në nivel qendror”, tha drejtori i Agjencisë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Selatin Beluli.

Thirrjet publike do të shpallen me një plan dhe afat që do ta përcaktojmë dhe definojmë. Por, jemi në pritje të një vendimi nga Komisioni për mbrojtje nga konkurrenca, i cili ka kompetencë të sjellë vendim nëse ndonjë nga masat aktive bie ndesh me Ligjin për mbrojtje nga konkurrenca. Vetëm atëherë kur të merret ai vendim, mund të fillojmë me realizimin e aktiviteteve”, informoi drejtori.

“Është e lehtë të përcaktohen indikatorët, sepse vetë Plani Operativ i definon ata. Për shembull, do të përmend indikatorin kryesor – punësimi i 3.500 deri në 4.000 persona të papunë. Pastaj, përfshirja e të paktën 40 përqind të të rinjve në këtë Plan Operativ, nga gjithsej 16.000 persona. Kemi edhe indikator për përfshirjen dhe trajtimin e barabartë gjinor, ku së paku 50% e këtij Plani të jetë nga gjinia femërore. Një tjetër indikator është që të përfshihen 5% nga numri i përgjithshëm i personave që do të përfshihen në këtë Plan, që të jenë nga komuniteti rom. Indikatorë të tjerë ekzistojnë në çdo masë aktive veç e veç, ku është përcaktuar edhe përfshirja në vetëpunësim – synimi është që 1.703 persona të hapin bizneset e tyre përmes një granti, të cilin do ta mbështesim. Personat e papunë dhe çdo masë aktive përfshin këtë pjesë. Këto do të jenë indikatorët që do t’i ndjekim dhe do të përpiqemi t’i realizojmë deri në fund”, deklaroi ai.

Ai theksoi se qytetarët dhe personat e papunë, punëdhënësit dhe të gjithë partnerët që marrin pjesë në realizimin e Planit Operativ, duhet të jenë të bindur për transparencën e procesit.

“Çdo masë aktive para se të realizohet do të shpallet publikisht, ku do të kenë të drejtë të marrin pjesë të gjithë personat e papunë ose palë të tjera të interesuara.”, tha Beluli.