Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq, realizoi sot një vizitë pune në dy shkollat fillore periferike në Komunën e Radovishit – SHF “Nikolla Karev” në fshatrat Buçim dhe Topollnicë. Qëllimi i vizitës ishte të theksohet rëndësia e avancimit të arsimit në gjuhën amtare, si dhe të konfirmohet mbështetja e vazhdueshme e Qeverisë për komunitetet etnike në vend.
Në këto shkolla, mësimi nga klasa e parë deri në të pestën zhvillohet në gjuhën turke, çka përbën një hap të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kulturor dhe gjuhësor të komunitetit turk.
Delegacioni i udhëhequr nga z. Stoilkoviq fillimisht e vizitoi shkollën periferike në fshatin Buçim, ku nxënësit organizuan një program të shkurtër festiv me recitime. Delegacioni u prit ngrohtësisht nga mësimdhënësit dhe nxënësit. Më pas, delegacioni vizitoi edhe shkollën periferike në fshatin Topollnicë, ku u diskutua për kushtet aktuale të punës, infrastrukturën dhe nevojat e stafit arsimor dhe nxënësve.
Në këto dy shkolla periferike vijojnë mësimin gjithsej 53 nxënës, gjë që i bën ato qendra të rëndësishme arsimore për komunitetin lokal.
Në ngjarje ishte e pranishme edhe një delegacion nga Ambasada e Republikës së Turqisë në Shkup, i udhëhequr nga ekselenca e tij, ambasadori Fatih Ulusoy. Prania e përfaqësuesit diplomatik është dëshmi e bashkëpunimit të mirë bilateral mes dy vendeve dhe mbështetjes së Republikës së Turqisë për arsimin e komunitetit turk në vend.
Zëvendëskryeministri Stoilkoviq theksoi përkushtimin e Qeverisë për krijimin e një arsimi gjithëpërfshirës dhe cilësor për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie etnike apo gjuhësore.
Stoilkoviq u takua gjithashtu edhe me një pjesë të banorëve lokalë, të cilët e njoftuan me kushtet në të cilat jetojnë, por edhe me problemet me të cilat përballen çdo ditë.