Durmishi: Janë shpallur dy thirrje publike për masa vetëpunësimi, për të rinjtë deri në 29 vjeç grante për hapjen e biznesit deri në 10.000 euro, dhe për të papunët mbi 29 vjeç grant deri në 7.000 euro

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, së bashku me drejtorin e Agjencisë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Selajdin Beluli, shpallën sot zyrtarisht hapjen e thirrjes publike për Masën 1.1 dhe Masën 1.2 në kuadër të Planit Operativ për Punësim për vitin 2025, të cilat synojnë mbështetjen e vetëpunësimit për qytetarët e papunë të regjistruar në Agjencinë për Punësim.

Masa 1.1 është e dedikuar për personat mbi 29 vjeç dhe siguron mbështetje financiare prej 430.500 denarë ose 7.000 euro për themelimin e biznesit të ri, dhe Masa 1.2 vlen për të rinjtë deri në 29 vjeç, të cilët kanë mundësi të marrin mbështetje deri në 615.000 denarë ose 10.000 euro për themelimin e biznesit të tyre. 

Të dy masat përfshijnë gjithashtu trajnime për sipërmarrësi, përgatitje të planit të biznesit dhe mentorim për një periudhë 6-mujore për grupet qëllimore, duke përfshirë personat me aftësi të kufizuara, pjesëtarët e komunitetit rom dhe gratë nga zonat rurale.

“Këto masa nuk janë thjesht ndihma financiare, por janë investim i drejtpërdrejtë në potencialin e qytetarëve dhe në zhvillimin e ekonomisë lokale,” theksoi ministri Durmishi gjatë konferencës për media.

Përmes këtij angazhimi, Ministria e Ekonomisë dhe Punës konfirmon përkushtimin e saj për ndërtimin e një tregu gjithëpërfshirës të punës dhe fuqizimin e individit si aktor kyç në zhvillimin ekonomik të vendit.