Qeveria para qytetarëve, me fillim të një fushate, e prezantoi atë që është realizuar për 1 vit: Vit i stabilizimit, bazë për rritje dhe zhvillim të ardhshëm

Të nderuar anëtarë të qeverisë,

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të dashur dhe të respektuar qytetarë që keni ardhur të dëgjoni për punët që kemi bërë, por edhe për ato që do të vazhdojmë t’i realizojmë së bashku për secilin prej jush.
 
Ka kaluar një vit i tërë – plot sfida, punë të vështirë, të përkushtuar dhe të mundimshme. Çdo ditë nga këto 365 ditë, në asnjë moment nuk harruam nga vijmë dhe çfarë nderi dhe përgjegjësi kemi që të mos i zhgënjejmë qytetarët e Maqedonisë.
 
Çdo fillim është i vështirë. Çdo fillim i ri është edhe më i vështirë, sepse trashëgon një gjendje ekzistuese dhe, siç thotë populli, nuk fillon nga zero, por nga minus. Dhe përsëri ndërton themele, i vendos kolonat nga e para dhe i përforcon ato mbajtëse që deri atëherë ishin të rrënuara, të thyera, të shkatërruara. Ato themele të reja bëhen bazamenti i së ardhmes së re që e ndërtojmë së bashku. Ato themele të reja janë lufta e përditshme për ty dhe për të ardhmen tënde. Ato themele duhet ta sjellin kohën e Maqedonisë, kohën që po vjen. Më e mira që do të ndodhë. Ajo që të gjithë e presim, e duam, e meritojmë dhe për të cilën çdo ditë përpiqemi dhe luftojmë hap pas hapi. Një vend i prosperitetit, i rendit, i zhvillimit, i respektit, i njerëzores, i vlerave. Një vend për të cilin do të jemi krenarë, një vend që do të jetë në rrugën e duhur, përsëri i yti dhe që do të punojë për ty.
 
1 vit nga fillimi i ri,
1 vit ndërtim themelesh,
1 vit për ty!
 
Ky është viti në të cilin po i ndërtojmë themelet e ndryshimeve! Për kohën tënde dhe tuajën që po vjen!
 
Pas viteve me premtime boshe dhe krizë politike permanente në vend, zhgënjime dhe premtime të shkatërruara, nuk filluam nga zero. Filloi nga minus – nga rrënojat që lanë pas vetes. Trashëguam një sistem që po shembej dhe binte, institucione që e kishin humbur besimin, njerëz që kishin humbur shpresën.
 
Por nuk u dorëzuam. Nuk e lamë shtëpinë tonë në duart e së kaluarës.
Vendosëm tullat e para të themeleve të reja me përkushtim dhe dashuri për çdo njeri, çdo bashkësi, çdo ëndërr. I vendosëm kolonat që do ta përballojnë peshën e së ardhmes. I forcuam mbajtëset që do ta mbajnë këtë vend të drejtuar dhe krenar.
 
Këto themele nuk janë vetëm tulla apo gurë e beton. Ato janë çdo fjalë e jona, çdo pikë djersë dhe çdo hap që e bëjmë për ty, për familjen tënde, për të ardhmen tënde. Këto themele janë besimi yt, lufta jote, besimi yt se Atdheu meriton më shumë – meriton drejtësi, rend, zhvillim dhe respekt. Këto themele janë fillimi i një epoke të re. Një kohë kur Maqedonia do të jetë përsëri e jotja – vend i mundësive, vend i njerëzores dhe i vlerave, vend për të cilin të gjithë do të mund të ndihen krenarë.
Ne nuk premtojmë zgjidhje të shpejta, sepse e dimë se ndryshimet e vërteta kërkojnë kohë, durim dhe këmbëngulje. Por, e dimë se çdo ditë përparimi është një fitore. Çdo ditë është një betejë për dinjitet, për të ardhmen që e meritojmë. Për fëmijët që do rriten në një vend të sigurt dhe të ndershëm. Për të gjithë ne që besojmë se mundemi dhe duhet të bëjmë më mirë.
 
Ky vit ishte vit i punës së palodhshme, përkushtimit dhe rikthimit të besimit, i konsolidimit të gjendjeve dhe i stabilizimit. Një vit në të cilin secili prej nesh dha një pjesë të vetes për ta ndërtuar rrugën e re të Maqedonisë, një vit në të cilin, të vetëdijshëm për pritjet e mëdha dhe shpresat të zhgënjyera shumë herë deri më tani, u përpoqëm të krijojmë një stabilitet që do të nxisë zhvillim, një konsolidim që do të sjellë rritje.
 
Prandaj sot shikojmë përpara me besim dhe me zemër plot shpresë. Koha e secilit prej jush po vjen!
 
Koha kur do t’i jetësojmë të githa ëndrrat tona, kur Maqedonia jonë e përbashkët – e maqedonasve, shqiptarëve, turqve, romëve, serbëve, vllehëve, boshnjakëve – do të ngrihet më e fortë dhe më e ndritshme se kurrë më parë.
 
Koha kur zëri yt, mundi jot dhe e ardhmja jote do të jenë pjesë e pandashme e historisë sonë politike, jetësore, dhe e përkushtimeve tona.
 
Në këtë vit të vështirë kemi arritur rezultate që janë një tregues i qartë se kemi ndërtuar një bazë solide. Realizuam ose filluam mbi 250 projekte të mëdha. Dhe ajo që dua të ndaj sot është se numri i projekteve për vitin e ardhshëm do të trefishohet. Tani po e aktivizojmë shpejtësinë e 5-të, madje të 6-të. Dhe pres një përkushtim maksimal në realizimin e programit, pres mbi 400 projekte, masa, hapa dhe reforma në periudhën e ardhshme që do të jenë të fokusuara në zhvillim dhe rritje, standard më të mirë jetese, arsim më cilësor, luftë kundër korrupsionit, investime dhe reforma në shëndetësi, projekte të mëdha infrastrukturore, reforma në politikat fiskale dhe përballjen me inflacionin dhe sfidat e standardit jetësorë, projekte për të rinjtë, projekte për bujqit, projekte për punëtorët, projekte për blerjen e një shtëpie të re, automjete… projekte që do ta sjellin kohën që të gjithë shpresojmë dhe ndryshimet e thella që i meritojmë.
Në vijim do desha të rendit disa nga projektet të cilat i realizuam si qeveri për ju, për qytetarët.
 
Ekonomia mbeti fokusi ynë kryesor dhe lufta për një jetë më të mirë.
 
Siguruam 500 milionë euro për mbështetje të kompanive dhe për mbështetje të komunave për realizimin e projekteve kapitale që do ta përmirësojnë jetën e qytetarëve. Dhe këtu nuk i ndanim, por janë të gjitha komunat në territorin e shtetit pavarësisht nëse aty janë kryetarë nga rradhët e partive në qeveri, nga opozita ose ndonjë i pavarur.

Në tremujorin e pare të vitit 2025 arritëm rritje të PBV-së prej 3,2%. Dikush do thotë shumë dikush do thotë pak, por unë do thoja se jam i kënaqur, por jo përfundimisht I kënaqur sepse ka edhe shumë hapësirë për rritje. Por kjo na ka renditur në vendin e 4-të në Evropë sipas rritjes së PBV-së në tremujorin e pare të vitit 2025, menjëherë pas Irlandës, Danimarkës dhe Polonisë.
Arritëm nivelin më të lartë historik të investimeve të huaja direkte prej 1 miliard e 255 milionë euro. Kjo do të thotë se kemi numrin më të madh të investimeve të drejtpërdrejta të huaja për kokë banori në këtë pjesë të Evropës.

Për herë të parë pas shtatë vjetësh, është ulur borxhi publik – deri në mars 2025 është shënuar ulje prej 4,7 pikë përqindje në raport me PBV-në.
Pagat po rriten. Siguruam paga më të larta në administratë, shëndetësi, arsim dhe MPB.
Deficitin buxhetor e zvogëluam për 4% të PBV-së dhe po shkojmë akoma më poshtë. Qëllimi është të shkojmë nën 3%.

E shlyem plotësisht euroobligacionin e lëshuar në vitin 2018 në vlerë prej 500 milionë euro.
E ulëm doganën për 67 mallra të cilat përdoren si lëndë të para dhe repromateriale në industrinë vendase dhe siguruam liberalizim të plotë të importit të mallrave me origjinë nga SHBA si partneri ynë strategjik.
 
Në infrastrukturë, siguruam përqindjen më të lartë të ndërtimit të rrugëve që nga pavarësia deri më sot.
Nënshkruam marrëveshje për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, në bazë të së cilës më vonë realizohet bashkëpunimi ekonomik me kushte të favorshme dhe do thoja me kushte ultra të favorshme,  për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë në Korridorin 10 dhe ndërtimin e spitaleve, ndërsa në një të ardhme të afërt po bisedojmë edhe për realizim të projekteve në energjtikë të cilat kanë peshë kapitale për të ardhmen e shtetit.
 
Për vetëm një vit, siguruam ndërtimin e 225 projekteve infrastrukturore në fazën e parë në vlerë prej pothuajse 3 miliardë denarë dhe 615 projekte infrastrukturore në fazën e dytë në vlerë prej afro 7 miliardë denarë.
 
Filluam ndërtimin e autostradës Tetovë–Gostivar me gjatësi prej 17,5 kilometra, ndërtimin e autostradës Gostivar–Kërçovë (Bukojçan) me gjatësi prej 30,3 kilometra, si dhe ndërtimin e seksionit të autostradës Prilep–Manastir me gjatësi prej 39,3 kilometra.
 
E lëshuam në përdorim segmentin Gradsko–Drenovë të rrugës eksprese Gradsko–Prilep në vlerë prej 37,4 milionë euro dhe gjatësi prej 15,5 km.
 
E lëshuam në përdorim rrugën eksprese (Stracin) Rankovcë–Kriva Pallankë me gjatësi prej 25,4 kilometra dhe vlerë prej rreth 98 milionë euro.
 
E rikonstruktuam plotësisht rrugën rajonale Ohër (Konjsko)–Shën Naum me gjatësi prej 24,5 kilometra dhe vlerë prej 11,6 milionë euro.

E lëshuam në përdorim hekurudhën e Korridorit 8, Kumanovë-Beljakovcë, me vlerë prej 43 milionë eurosh dhe gjatësi prej 31 kilometrash.
Nga zero lokomotiva funksionale, për vetëm tre muaj nga mandati vëmë në përdorim 11 dhe siguruam normalizimin e trafikut hekurudhor.
Inicuam 11 linja të reja ajrore nga të dy aeroportet dhe siguruam mbështetje financiare prej 360 milionë denarësh.

Kemi ndarë mbi 100 banesa sociale në Veles, Koçan, Strumicë dhe Gjevgjeli.
Intensivisht ndërtohet dhe është në fazën përfundimtare autostrada Kërçovë-Ohër (aksi Vërbjan-Ohër), me gjatësi prej 40 kilometrash dhe vënia në përdorim është caktuar më datë 12 korrik.
Filluam procedurën për zgjedhjen e operatorit të tretë celular, me ç’rast do të hapen vende të reja pune dhe do të rritet konkurrenca në treg për shërbime më të lira për qytetarët.

Po zhvillohet blerja e 120 autobusëve të rinj dhe modernë.

Po ashtu, luftojmë për çdo vend të ri pune. Hartuam Planin Operativ për programet dhe masat aktive për punësim dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2025, me vlerë rekorde prej 2.5 miliardë denarë ose 40 milionë euro. Plani operativ përfshin mbi 16.000 qytetarë, me fokus tek të rinjtë dhe të papunët.
Bëmë kufizim të shkallëzuar të marzheve për 102 grupe produktesh. Zbatuam aksione kundër inflacionit si “Më pak shpenzime, më shumë për ty” dhe “Shporta e konsumit të vjeshtës” ku kufizuam marzhet për 73 produkte me 10%.

I rritëm pensionet për mbi 300 mijë pensionistë me nga 5 mijë denarë; premtuam për një vit, e realizuam për më pak se 9 muaj.

Në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, mbi 15 kopshte morën vendime për fillimin e punës ose siguruan kuadro të nevojshme. U zgjerua kapaciteti për rreth 1.500 fëmijë (saktësisht 1461). Janë në ndërtim, zgjerim ose pajisje 11 kopshte të tjera që pritet të hapen në vitin 2025. Me hapjen e tyre, kapaciteti do të rritet për mbi 1.100 fëmijë.

Në fushën e energjetikës, miratuam Ligjin e ri për energjetikë, një ligj i shumëpritur.
Në Planin e ri të Veprimit arritëm të përfshijmë dy projekte tona për gaz me Greqinë dhe Serbinë, të mbështetura nga Komisioni Evropian:

• Ndërlidhje gazi me Greqinë.

• Projekt për ndërlidhje me Serbinë.

U vu në funksion transformatori i ri 400 KW në TS Manastir 2.
Punohet në Fazën e dytë – parku me erë në Bogdanci. Gjithsej, mbi 22.000 amvisëri do të fitojnë furnizim më të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike. Korniza financiare e përgjithshëm kap vlerën prej 37.6 milionë euro.

Në pjesën e bujqësisë, gjatë periudhës prej 12 muajsh janë paguar subvencionet e papaguara prej më herët dhe pagesat e rregullta për bujqit në vlerë prej mbi 9 miliardë denarë.
U lidhën gjithsej 967 marrëveshje për qira të tokës bujqësore në pronësi shtetërore me sipërfaqe totale rreth 2.700 ha.

Blerësit e duhanit e rritën çmimin e blerjes nga 375 në 400 denarë për duhanin e klasit të parë, subvencionet u rritën nga 80 në 100 denarë për kilogram.
Për herë të parë u arritën çmime më të larta për blerjen e dy varieteteve më të përhapura të rrushit të verës – Vranec dhe Smederevka.

Qëllimi ynë është të vendosim rend në shëndetësi dhe të ofrojmë shërbime efikase për qytetarët. Për vetëm një vit:
Ashtu siç premtuam, i shfuqizuam drejtorët ekonomikë jo-funksionalë në institucionet publike shëndetësore.
Hapëm procedurë për punësimin e 600 specialistëve të rinj në shëndetësi.
E rritëm kapitacionin për mjekët amë, gjinekologët dhe stomatologët.
Siguruam rritje të pagave për punonjësit shëndetësorë dhe bashkëpunëtorët në institucionet publike shëndetësore.
E zgjeruam listën pozitive të barnave me 9 barna gjenerike të reja.
Renovuam më shumë se 10 objekte dhe klinika shëndetësore dhe u sigurua pajisje moderne mjekësore në vlerë prej disa milionë eurosh.
Në fushën e mjedisit jetësor u ndërmorën një sërë masash të rëndësishme të cilat u zbatuan.
Hartuam programin planor për ajër më të pastër 2025–2030 për masa dhe zgjidhje afatgjata, ku janë të përfshira të gjitha aspektet e rëndësishme për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe ekziston qasje sistematike e cila garanton rezultate në afat të shkurtër, mesëm dhe të gjatë.
Janë miratuar 229 milionë denarë për projekte në fushën e mjedisit jetësor.
Siguruam 10 milionë euro për zëvendësimin e sistemeve të ngrohjes me sisteme ekologjike në Shkup, Manastir, Kumanovë dhe Tetovë.
Punojmë në përmirësimin e infrastrukturës së ujërave në komunat me më shumë se 50 milionë euro.
Siguruam 55 milionë euro për ndërtimin dhe modernizimin e sistemeve rajonale për menaxhimin e mbeturinave të ngurta në pesë rajone – me ndërtimin e deponive të reja, sanimin e atyre ekzistuese, stacioneve të transferimit dhe qendrave për riciklim.

Përmes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale filloi projekti më i madh kapital për ndërtime kapitale nëpër komunat.

- 288 projekte të miratuara në fushën e transportit, mjedisit jetësor, arsimit, kulturës, sportit dhe politikës sociale;

- Interes i madh në thirrjen e dytë publike – 887 projekte në 80 komuna janë në fazën e vlerësimit;

- 129 projekte të realizuara për zhvillim rajonal të barabartë në Maqedoni.

Arsimi duhet të jetë arma jonë më e fortë për rritje dhe sigurimin e ardhmërisë.
Për herë të parë pas 7 vitesh, në vitin shkollor 2024-2025, më në fund u fillua me shpërndarjen e teksteve shkollore, mbi një milion kopje u vendosën në bankat shkollore në ditën e parë të mësimit, pavarësisht afatit të shkurtër.

Kemi shtypur mbi 100 tituj të rinj për arsimin e mesëm profesional.
Ndërtuam 7 objekte shkollore të reja dhe rinovuam 20 të tjera.
Ndërtuam 4 salla sportive shkollore.

Studentët fitojnë godina të reja, u zhbllokua ndërtimi i objekteve të fakulteteve FSHIIK dhe FKF, cikël investimi prej 2 miliardë denarësh, ndërsa së shpejti do të fillojë procedura për ndërtimin e kampusit pranë Universitetit “Nënë Tereza”.

Investimi më i madh në arsim deri më tani – Janë siguruar 38 miliardë denarë për arsimin në vitin 2025.

Siguruam 680 milionë denarë për shkencën në vitin 2025, dyfish më shumë se në vitin 2024.

Siguruam 274 milionë denarë për financimin e projekteve kërkimore–shkencore inovative për institucionet publike arsimore, ASHAM dhe kompanitë që bashkëpunojnë me komunitetin akademik dhe shkencor.
Siguruam qasje falas në bazat shkencore SCOPUS dhe WEB OF SCIENCE për të gjithë shkencëtarët, profesorët dhe studentët e universiteteve shtetërore, me ç’rast do të kenë në dispozicion literaturë dhe punime që do ta nxisin punën dhe kreativitetin e tyre.

Është zgjeruar përfshirja e masës për ushqimin e subvencionuar studentor edhe për të gjithë studentët e rregullt të studimeve universitare që kanë të ardhura mujore më të ulëta se paga minimale neto mesatare, si dhe për studentët e studimeve pasuniversitare.

Siguruam paga më të larta për mbi 12% për kuadron mësimdhënëse dhe personelin profesional në shkollat fillore dhe të mesme, paga më të larta për 14% për profesorët në fakultete dhe është nënshkruar marrëveshja për rritje të pagave deri në 60% në katër vitet e ardhshme.

Në proces është rindërtimi i plotë i dy konvikteve studentore në Shkup, „Kuzman Josifovski – Pitu“ dhe „Stiv Naumov“, me vlerë prej 17 milionë eurosh.
Siguruam 50 milionë euro për 1,570 bursa për nxënësit që do të regjistrohen në paralelet duale në shkollat e mesme profesionale.

Shoqërinë informatike vazhduam ta zhvillojmë, natyrisht, një nga prioritetet tona. Për një vit siguruam 120 shërbime të reja elektronike për qytetarët në portalin nacional uslugi.gov.mk.
Me ndryshimet në ligjin për dokumentet elektronike, dokumentet e lëshuara në formë elektronike konsiderohen po aq të vlefshme sa origjinali.
Më në fund është siguruar Ligji për sigurinë kibernetike. Shteti për herë të parë fiton ligj për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve informatike. Pas më shumë se 12 vitesh, botuesit e mediave online dhe publikimeve në internet janë njohur në Ligjin e ri për media.

Në pjesën e sportit:

Janë rikonstruktuar 15 fusha multifunksionale në disa qytete të vendit dhe janë ndërtuar 15 qendra sportive në të gjithë Maqedoninë.

Është dhënë drita jeshile për projektin e ndërtimit të 5 pishinave.

Janë dhënë 500 bursa “Shpresë Sportive” për sportistë të rinj dhe të talentuar.

Sporti maqedonas i mbështetur nga shteti me 20 milionë euro mjete, të cilat Ministria e Sportit i ka paguar drejtpërdrejt sportistëve dhe subjekteve sportive.

Në fushën e kulturës është dhënë drita jeshile për ndërtimin e “Teatrit të Vjetër” në Strumicë.

Filluam rindërtimin e ish-kinos “Partizan” në Manastir, pranë institucionit kulturor Teatri Popullor – Manastir, investimi vlen 96 milionë denarë.

Zhbllokohet edhe ndërtimi, ngadalë por sigurtë i Sallës Universale në Shkup.

Në fushën e turizmit, për herë të parë kemi fluturim çarter me turistë të kompanisë ajrore "Freebird Airlines" nga Gjermania për 40.000 turistë në vit, jashtë sezonit, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar për bashkëpunim me operatorin turistik gjerman. Kjo nënkupton rritje prej më shumë se 20% të numrit të turistëve të huaj në katër muajt e parë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Është vazhduar projekti për rindërtimin e Universitetit të Shën Klimentit në Pllaoshnik.
Pas 7 viteve neglizhencë, është rihapur kompleksi "Fshati Maqedonas", që përcjell kulturën maqedonase, arkitekturën autentike dhe traditat.

Në pjesën e administratës, është zbatuar aksioni “Të gjithë së bashku për një administratë publike profesionale dhe cilësore” për një proces të hapur, të bazuar dhe gjithëpërfshirës për të gjitha palët e interesuara gjatë hartimit të ligjeve.

Është themeluar Akademia për avancimin profesional të shërbyesve publikë, me mandat dhe kapacitet për të siguruar edukim të standardizuar, profesional dhe të vazhdueshëm për administratën publike në nivel kombëtar dhe lokal.

Në Qeveri janë miratuar 4 ligje reformuese të cilat janë pjesë e Planit për Rritje dhe të cilat shumë shpejt, të jem më preciz tashmë janë në procedurë parlamentare.

Të dashur miq,

Gjatë këtij viti kemi filluar luftë të fuqishme kundër krimit. Janë ndërmarrë aksione kundër atyre që më parë konsideroheshin të paprekshëm. Sot ata korifej të padrejtësisë janë në arrati nga ligji, e goditja më e fortë është dhënë ndaj narko bandave, veçanërisht në Shkup.
Aty ku mendoj se mund të jetë më mirë është lufta për një gjyqësor dhe prokurori të pavarur, që aktualisht nuk e kemi.

Nuk jam i kënaqur me dinamikën e servimit të drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët dhe ekzistojnë lidhje të dukshme mes këtij sektori dhe botës së mafies politike-biznesi që e kanë ndërtuar atë sistem kundër të cilit duam të luftojmë dhe nëse më pyesni mua, unë pres përgjegjësi edhe populli pret përgjegjësi dhe kjo duhet të jetë gjëja e parë që na udhëheq, të sjellim drejtësi dhe të rrëzojmë atë sistem banditizmi të krijuar nga struktura politike dhe biznesore, të cilat nuk kanë dallime etnike apo politike por funksionojnë në koalicione të gjera.

Kjo do të jetë sfida jonë më e madhe në periudhën që vjen dhe nga ajo dinamikë do të varen shumë zhvillime të ardhshme politike në vend.

Njëkohësisht, kanë nisur reformat edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Është zgjidhur plotësisht kaosi me lëshimin e pasaportave, është siguruar edhe një makinë tjetër për shtypjen e dokumenteve personale dhe është zgjidhur plotësisht procesi i lëshimit të dokumenteve personale.

Është rritur efikasiteti i përgjithshëm i policisë me kriminalitet të ulur për 5.8%, janë shkatërruar shumë grupe kriminale në fushën e krimit të organizuar, korrupsionit, tregtisë së paligjshme me drogë dhe armë.
Janë rinovuar plotësisht shërbimet administrative në Shkup, që do t’u mundësojnë qytetarëve të Shkupit të kenë qasje në shërbime të shpejta, moderne dhe në kohë.
Është në fazë përfundimtare zbatimi i sistemit “Qyteti i Sigurt”, për regjistrim automatik të kundërvajtjeve në komunikacion për të rritur sigurinë rrugore.

Rroga për të gjithë të punësuarit në Ministrinë e Punëve të Brendshme është rritur për 10%.

Janë punësuar 1000 policë të rinj.

Janë siguruar 36 automjete të reja për policinë për efikasitet më të madh dhe modernizim në çdo segment të punës.

Në fushën e drejtësisë është anuluar vendimi i Qeverisë së mëparshme për rritjen dhjetëfishe të tarifave noteriale.

Pas 14 vitesh, kemi mundësuar zbatimin e plotë të sistemit “Femida” – sistem audio-vizual për regjistrimin e seancave gjyqësore, për transparencë dhe përgjegjësi të gjyqësorit para qytetarëve.
Të gjitha ligjet që janë pjesë e kornizës reformuese janë përgatitur ose janë në fazë finale të miratimit.
Në pjesën e marrëdhënieve ndëretnike, punohet për lehtësimin e tyre. Kemi miratuar një program të ri për avancimin dhe mbështetjen e bashkësive etnike me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe forcimin e kohezionit multikulturor, si dhe promovimin e vlerave multikulturore.

Për herë të parë është hartuar Plan Strategjik për garantimin e të drejtave të të gjitha bashkësive etnike dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike.

Në Ministrinë e Mbrojtjes ka arritje të konsiderueshme.

Procesi i modernizimit të Ushtrisë po zhvillohet me intensitet të lartë dhe mbështetet nga buxheti i mbrojtjes. Këtë vit ndahen 32% nga buxheti, ose 106 milionë euro – 18 milionë më shumë se në vitin e kaluar 2024. Me fjalë të thjeshta, modernizimi nuk do të ndalet, përkundrazi – do të intensifikohet.

Është siguruar forcimi i kapaciteteve ushtarake me pranimin e ushtarëve të rinj, nënoficerëve për nevojat e Njësisë Ajrore dhe oficerëve për përmirësimin e mëtejshëm të nënoficerëve.
Paguhen detyrimet e ngecura për proceset e nisura nga pushteti i kaluar.
Gjithashtu, kemi marrë kryesimin e EUSAIR në maj të vitit 2025 deri në maj të vitit 2026.

Janë hequr vizat për hyrje në Emiratet e Bashkuara Arabe për të gjithë shtetasit maqedonas.

Ne jemi shteti i parë nga rajoni që ka nënshkruar Partneritetin për Siguri dhe Mbrojtje me Bashkimin Evropian, çka pasqyron bashkëpunimin e shkëlqyer dhe të vazhdueshëm me Unionin dhe përbën një hap kyç drejt bashkëpunimit më të ngushtë për një gamë të gjerë çështjesh të sigurisë.
 
Në fund dua në fund të ndalem edhe te investimet. Gjatë këtij viti kemi:
 
-Investim nga Alkazar Energy për ndërtimin e një parku me erë, ku përveç investimit prej 450 milionë euro për turbinat me erë, do të realizohen 630 vende pune në sektorin e ndërtimit gjatë kohës së ndërtimit;
 
-Investim nga BMZ nga Gjermania për prodhimin e baterive litium-jon në shumë prej 65 milionë euro dhe 700 vende pune;
 
-Zgjerim të investimit të Kostal-it nga Gjermania për prodhimin e elektronikës për industrinë automobilistike në vlerë prej 50 milionë euro dhe 250 vende të reja pune;
 
-Investim nga Avesta Battery dhe Energy Engineering nga Belgjika për prodhimin e baterive në vlerë prej 10 milionë euro dhe 200 vende pune;
 
-Investim nga Magna Mechatronics nga Kanadaja për prodhimin e komponentëve për industrinë automobilistike në shumë prej 40 milionë euro dhe 600 vende pune;
 
-Investim nga Shahterm nga Turqia për prodhimin e pjesëve për pajisje elektro-shtëpiake në vlerë prej 25 milionë euro dhe 200 vende pune.
 
Njëkohësisht, po punojmë në të paktën 10 investime të reja që pritet të realizohen deri në fund të vitit.
 
Parase të përfundoj, dua të ndalem te dita më e vështirë për mua si Kryeministër, që ishte fatkeqësia në Koçan. Ajo fatkeqësi, sado që dikush përpiqet ta keqpërdorë politikisht, është pasojë e një sistemi të shkatërruar për vite me radhë, një sistem i shkatërruar dhe i devastuar. Unë nuk kam mundur ta parandaloj, por do të bëj gjithçka që të mos përsëritet. Që nga dita e parë, si faktor politik kemi dërguar mesazh të qartë se duhet të ketë drejtësi dhe përgjegjësi pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë. Edhe sot e kam të njejtin qëndrim, ndërsa prokuroria është në provë për ta vërtetuar të vërtetën dhe gjykata për të sjellë drejtësinë. Por dua të njoftoj gjithashtu se si Qeveri po punojmë për të siguruar paketën më të madhe historike të investimeve për rikonstruktimin dhe mbështetjen e Koçanit.
 
Po punojmë për të treguar se Koçani është i rëndësishëm për ne dhe se qytetarët nuk janë lënë të vetëm.
 
Dua gjithashtu të ndalem te ata që thonë se Maqedonia është poshtëruar. Ata janë të njëjtët që e ndryshuan emrin, që nënshkruan marrëveshje me Bullgarinë, që e plaçkitën vendin dhe firmosnin për çfarëdo që u vihej përpara. Kurrë më nuk do të lejoj që Maqedonia të poshtërohet, sepse ajo kohë ka përfunduar.
 
Në fund, më lejoni të falënderoj sinqerisht dhe nga zemra popullin që erdhi të dëgjojë se çfarë kemi për të thënë dhe çdo njeri që ka pritshmëri dhe shpresë për shtetin tonë. E gjithë kjo ka kuptim vetëm për ju. Falënderim për ekipin tim, për ekipin e ministrave nga Qeveria. Gjithmonë ka vend për më mirë. Më e mira ende nuk ka ardhur – më e mira për të gjithë ju. Sot po mbjellim, që nesër të korrim frytet e punës sonë.
 
Nuk ishte e lehtë. Vite me radhë kemi parë si secili prej nesh e humbte shpresën, por unë ju premtoj – ajo kohë ka kaluar dhe vetëm së bashku mund të ecim përpara. Sepse një njeri i vetëm mund të bëjë ndryshimin, por së bashku, jam i bindur, mund të bëjmë histori. Së bashku po i ndërtojmë themelet, gur mbi gur, për atdheun që do ta njohim dhe do ta duam, për Maqedoninë që e meritojmë dhe me të cilën do të krenohemi.
 
Kur i shikoj në sy njerëzit që i takoj çdo ditë, e di që duhet të bëjmë gjithçka që mundemi që ata të kenë një jetë më të mirë. Ashtu e shoh edhe shtetin – me dashuri dhe përgjegjësi. Për ty, për familjen tënde, për të ardhmen që po e ndërtojmë bashkë, për shpresat që nuk guxojmë t’i zhgënjejmë.
 
Ndryshimet nuk ndodhin brenda natës, por çdo ditë që punojmë është një hap më afër një vendi me të cilin do të krenohemi. Nuk premtoj përsosmëri dhe mrekulli, por premtoj sinqeritet dhe këmbëngulje në çdo hap dhe luftë për ty dhe për të ardhmen që e meriton.
Ne nuk jemi politikanë që flasin nga lart. Ne jemi njerëz që jetojmë këtu me ju, që ndjejmë të njëjtin frikë dhe të njëjtën shpresë. Prandaj, me përkushtim dhe besnikëri ndaj jush, po i ndërtojmë themelet e ndryshimeve – me sinqeritet, hap pas hapi, me zemër.
 
Ky vit ishte vetëm fillimi, fillimi i stabilizimit dhe konsolidimit pas 7 vitesh probleme dhe shkatërrim, zhgënjime dhe pritshmëri të thyera, dhe shpresë të humbur. Së bashku, hap pas hapi, po i vendosim themelet për një vend që do të na bashkojë dhe do të na japë forcë.
 
Koha e Maqedonisë ende nuk ka ardhur – ajo po vjen tani! Dhe ky nuk është vetëm një slogan – është një obligim ndaj të gjithëve ju. Po i ndërtojmë themelet me djersë, me luftë dhe me shpresë. Për çdo njeri që beson se kjo tokë meriton më mirë, për ty dhe familjen tënde, për të ardhmen që po vjen, për atdheun që sërish do të jetë i yti, për Maqedoninë që sërish do të jetë e jotja.
 
1 vit nga fillimi i ri, 1 vit ndërtim themelesh, 1 vit për ty!
 
Ky është viti në të cilin po i ndërtojmë themelet e ndryshimeve! Për kohën tënde dhe tuajën që po vjen!
 
Ju faleminderit dhe qofshi të gjallë e me shëndet!