Në panel diskutimin të mbajtur sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, pjesëmarrës ishte edhe ministri për transformim digjital, Stefan Andonovski. Ai bëri një përmbledhje të punës së Ministrisë së sapoformuar për transformim digjital dhe projekteve që janë realizuar gjatë kësaj periudhe.
“Gjëja e parë me të cilën filluam ishte agjenda reformuese dhe të tregojmë në vepër se mund ta përmbushim detyrën tonë. Me miratimin e katër ligjeve që dolën nga Ministria për transformim digjital, arritëm të lirojmë 19 milionë euro nga BE, prej të cilave mbi 5 milionë euro janë në formë granti”, deklaroi Andonovski.
Ai shtoi se kemi qenë shteti i vetëm në rajon që nuk kishte Ligj për siguri kibernetike dhe se tani për herë të parë e kemi atë. Sa i përket asaj që është bërë deri tani, ai theksoi se janë ndërmarrë hapa konkretë dhe është arritur një përparim i rëndësishëm në transformimin digjital.
“120 shërbime të reja elektronike dhe një portal nacional i ridizajnuar, hapja e qendrave për shërbime më afër qytetarëve në mënyrë që secili qytetar ta ndjejë përfitimin nga digjitalizimi, janë lidhur mbi 20 institucione të reja në platformën për ndërveprim dhe çdo dokument nga portali nacional ka vlefshmëri të njëjtë sikurse dokumentet në letër. Këto janë themelet e transformimit digjital”, theksoi Andonovski.
Andonovski foli edhe për problemin e madh me të cilin përballen qytetarët, që janë lojërat ilegale të fatit të cilat tashmë po vihen në rend dhe ato që janë në kundërshtim me Ligjin ndalohen me qëllim që të mbrohen qytetarët nga sulmet kibernetike.
“Me vendim të Qeverisë, ndoshta më radikal, por megjithatë i ndaluam lojërat ilegale të fatit. Me vendimin e fundit janë ndaluar mbi 220 faqe dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim, sepse qytetarët, sidomos të rinjtë duhet të jenë të mbrojtur në internet”, tha Andonovski dhe shtoi: “Fillimisht e hartuam strategjinë nacionale për sigurinë kibernetike në fund të vitit 2024 dhe menjëherë më pas kaluam në miratimin e Ligjit të parë për siguri kibernetike, i cili është plotësisht i harmonizuar me rregulloren evropiane dhe kërkesat e partnerëve tanë të NATO-s.”