Mickoski: Së pari ndërtimi i spitaleve në Shtip dhe Kërçovë, e më pas edhe qendra e re klinike në Shkup

"Që nga dita e parë kur u zgjodhëm si Qeveri, shëndetësia ishte temë qendrore dhe nëse e mbani mend, aktiviteti im i parë në terren dhe deklarata ime e parë ishin pikërisht nga Spitali Klinik në Shtip", theksoi Hristijan Mickoski, Kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke iu përgjigjur në pyetje të deputetëve.

Kryeministri Mickoski tha se gjendja në shëndetësi që e hasi ishte kaotike.

"Ajo që e hasëm në shëndetësi, me të vërtetë ishte një gjendje alarmante. Gjendje në të cilën mbretëronte çrregullim dhe kaos, borxhe të grumbulluara", deklaroi ai.

Kryeministri Mickoski komentoi edhe llogaridhënien e djeshme për punën e bërë në Klinikën për sëmundje të fëmijëve, ku tha se disa gjëra duhet të bëhen edhe me pak para.

“Por, ndonjëherë gjërat mund të bëhen edhe pa para, ose unë do të thosha me shumë pak para. Ja, vetë e përmendët ditën e djeshme dhe vizitën time në Klinikën për sëmundjet e fëmijëve dhe ajo që la përshtypjen më të madhe tek njerëzit është se klinika ishte e pastruar. Në çfarë kuptimi e pastruar? Së pari nga aspekti higjenik, por u pastrua edhe nga aspekti se u larguan 50 tonë mbeturina digjitale. Dhe ato janë dërguar për riciklim me një kompani. Thjesht ishte e pabesueshme ajo që e pamë, si dukej më parë dhe si duket tani, ballkonet e klinikës ishin të mbushura me kompjuterë të vjetër, printerë, ishte një pamje kaotike. Dhe kjo është njëra nga ato 11 gjëra që i ka bërë drejtori në ato 11 muaj", thotë Mickoski dhe theksoi se gjithsej projektet që u prezantuan kushtonin 40 milionë denarë.

Kryeministri Mickoski theksoi se me kredinë nga marrëveshja strategjike me Mbretërinë e Bashkuar do të investohen mbi 200 milionë euro në shëndetësi për ndërtim dhe rikonstruktim të spitaleve klinike.

"Dua të përmend se më shumë se 200 milionë euro nga kredia do të investohen në përfundimin e Spitalit Klinik të Shtipit, ndërtimin e Fakultetit të Mjekësisë dhe konvikt studentor me 200 shtretër. Po ashtu, ndërtimi i spitalit në Kërçovë dhe rikonstruksioni i plotë i Spitalit Klinik në Tetovë dhe pajisja e tij në mënyrë që të përmbushen nevojat e pacientëve", tha Mickoski dhe shtoi:

“Pasi kjo të përfundojë, do ta rianalizojmë nevojën për atë Qendër Klinike famoze që më në fund duhet të ndërtohet, megjithëse dua t’ju kujtoj se në vitin 2017 ekzistonte procedurë e përfunduar, ishte përzgjedhur edhe realizuesi, gjë për të cilën tani ndodhemi në arbitrazh dhe atëherë Qeveria e atëhershme, në stilin e saj të zakonshëm, e ndërpreu marrëveshjen, e dëboi realizuesin dhe tani ne jemi në arbitrazh dhe shumë gjasa për shkak të asaj sjelljeje të papërgjegjshme të qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së, qytetarët, pa qenë aspak fajtorë, do të duhet të paguajnë dëmshpërblim – njësoj siç tani duhet të paguajmë atë taksë të solidaritetit prej 50 milionë eurosh, sepse në mënyrë të paligjshme u janë marrë paratë firmave nga qeveria e mëparshme.”

Kryeministri Mickoski theksoi se shëndetësia është prioriteti kryesor i Qeverisë.

“Por fakt është se shëndetësia ka qenë në margjinat, fakt është se është problemi më i madh për qytetarët dhe po ashtu fakt është se është një nga prioritetet tona kryesore,” përfundoi Mickoski.