Mickoski: Do të vazhdojmë t’i ndjekim vlerat evropiane, jo sepse këtë dikush na e kërkon, por sepse kjo është rruga dhe zgjedhja jonë

E nderuara zonja Marta Kos, 

Të nderuar gazetarë,

Të nderuar miq,

Sot jemi këtu, në Shkup, jo vetëm si nikoqirë, por edhe si partnerë dhe aleatë të një vizioni të përbashkët. Vizion për një rajon që nuk definohet përmes problemeve e tij, por përmes  mundësive. Vizioni për Ballkanin Perëndimor i cili i afrohet Bashkimit Evropian jo me fjalë, por me vepra. Me reforma. Me rezultate. Me integrim që ndihet në jetën e përditshme të qytetarëve. 

Fakti që jemi nikoqirë të këtij samiti të liderëve është një konfirmim simbolik i rëndësishëm për relevancën tonë rajonale dhe evropiane. 

Kjo nuk është rastësi. Kjo është rezultat i kapitalit politik që e kemi investuar në stabilitetin, reformat dhe qasjen konstruktive.

Kjo është mirënjohje për rolin që ka shteti ynë në ndërtimin e urave dhe krijimin e zgjidhjeve. 

Në bisedimet e sotme u përqendruam në realizimin e Planit për rritje të BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili paraqet një mundësi historike për të gjithë ne. 

Është një mekanizëm që na mundëson jo vetëm qasje në investime dhe fonde, por edhe një kornizë motivuese për përmirësimin e sundimit të ligjit, efikasitetin e institucioneve dhe konkurrencën ekonomike.

Për ne, ky plan nuk është formalitet. Është një mjet përmes të cilit do ta transformojmë vendin. Do t’i modernizojmë shërbimet publike, do ta përmirësojmë arsimin. Do të investojmë në infrastrukturën energjetike dhe digjitale. Do ta bëjmë atdheun shtëpi të vërtetë evropiane – para se të bëhet formalisht pjesë e BE-së. 

Por gjithashtu, dua të jem i qartë se hapat tanë drejt rrugës evropiane i bëjmë me zemër dhe mendje të hapur. Me pranimin e vlerave evropiane.

Megjithatë, i kundërshtojmë shantazhet që nuk janë pjesë e atyre vlerave.

Nuk i pranojmë imponimet nën maskën e procesit evropian.

Evropa është shtëpia e së drejtës, e drejtësisë, e dinjitetit. Këto janë vlerat që i pranojmë – gjithçka tjetër është e huaj për Bashkimin Evropian dhe e huaj për ne. 

E nderuar zonja komisionere Kos,

Në këtë samit, shteti ynë hyn si një shtet me një drejtim të qartë.

Reformat tona nuk janë dekor. Ato janë nevojë.

Dhe ne nuk do të presim që dikush të na shtyjë. Do të ecim vetë, me vullnetin tonë,

me plan konkret dhe vizion të qartë.

Ne japim rezultate, jo sepse dikush na e kërkon, por sepse qytetarët tanë e meritojnë këtë.

Do të vazhdojmë t’i ndjekim vlerat evropiane, jo sepse dikush këtë na e kërkon, por sepse kjo është zgjedhja jonë dhe ne besojmë në të. Rruga jonë. Përcaktimi ynë. 

Dhe për këtë, jemi mirënjohës për mbështetjen nga Komisioni Evropian, por jemi edhe më të vendosur që të ndihmojmë vetveten, t’i zbatojmë reformat dhe ta transformojmë vendin.

Me investime. Me punë. Me besim në forcat tona dhe me partneritet me BE-në.

Ju faleminderit për mbështetjen Tuaj personale dhe për mbështetjen që Bashkimi Evropian po e jep për Ballkanin Perëndimor.