Zëvendëskryeministri Fetai: Jemi të përkushtuar të vazhdojmë punën për ndërtimin e institucioneve të forta, të përgjegjshme dhe të hapura ndaj qytetarëve 

 

Zëvendëskryeministri i Qeverisë, i angazhuar për politika të Qeverisjes së Mirë, Arben Fetai, priti sot në takim znj. Kirstine Damkjaer, Zëvendësdrejtoreshë Ekzekutive e UNOPS-it, dhe z. Tim Lardner, Drejtor Rajonal për Evropën dhe Azinë Qendrore, në kuadër të vizitës së tyre zyrtare në Maqedoninë e Veriut, si dhe ambasadoren e Zvicrës, znj. Veronique Hulmann, dhe Shefin e Bashkëpunimit për Zhvillim nga Ambasada e Suedisë – Mikael Atterhog.
Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin e frytshëm në kuadër të projektit “Mbështetje për Integrimin Evropian të Maqedonisë së Veriut”, i cili zbatohet nga UNOPS me mbështetjen e Qeverisë së Suedisë dhe Zvicrës. Projekti përfaqëson një model të suksesshëm të koordinimit ndërmjet partnerëve zhvillimorë dhe institucioneve vendore, duke vendosur qytetarin në qendër të reformave.
Nënkryetari Fetai vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të UNOPS-it, Suedisë dhe Zvicrës, dhe theksoi se qeverisja e mirë, transparenca, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit mbeten ndër prioritetet kryesore në procesin e integrimit evropian.
"Jemi të përkushtuar të vazhdojmë punën për ndërtimin e institucioneve të forta, të përgjegjshme dhe të hapura ndaj qytetarëve. Përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, po ndërmarrim hapa të rëndësishëm drejt përmbushjes së standardeve dhe vlerave evropiane", theksoi Zëvendëskryeministri.
Pjesëmarrësit në takim riafirmuan rëndësinë e përforcimit të integritetit institucional dhe sigurimin e rezultateve të prekshme nga reformat për qytetarët, si dhe shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të ardhmen.