Ministri Minçev dhe Ambasadori Rokas në takim me fokus mbi mbështetjen e përbashkët për reformat e administratës publike

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, sot zhvilloi një takim me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë, Shkëlqesinë e Tij Mihalis Rokas. Takimi u fokusua në rëndësinë e katër ligjeve kryesore reformuese të miratuara së fundmi – Ligji për nëpunësit administrativë, Ligji për të punësuarit në sektorin publik, Ligji për zhvillimin profesional dhe trajnimin e nëpunësve publikë dhe Ligji për mbikëqyrjen inspektuese – si bazë për ndërtimin e një administrate publike të drejtë, profesionale dhe të depolitizuar.
 
Gjithashtu, u theksuan hapat e mëtejshëm për zbatimin e qëndrueshëm dhe efikas të këtyre ligjeve, përmes një procesi transparent dhe me angazhim të fuqishëm politik dhe institucional.
Ministri Minçev informoi ambasadorin Rokas edhe për përgatitjen e paketës së re të ligjeve reformuese, që do të avancojë dhe përmbyllë procesin e transformimit strategjik të administratës publike. Bëhet fjalë për:

  • Propozim-ligjin për sistemin e pagave,
  • Propozim-ligjin për shërbimin e lartë drejtues,
  • Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore.

Nga ana e ambasadorit Rokas, u përshëndet miratimi i ligjeve si një sinjal pozitiv dhe inkurajues për përkushtimin e shtetit ndaj standardeve evropiane në administratën publike. Po ashtu, u shpreh mbështetje për ciklin e ri reformues, me angazhim të qartë për zbatim të qëndrueshëm dhe transparent, në frymën e parimeve të menaxhimit të mirë.
Ministria për Administratë Publike dhe Delegacioni i BE-së konfirmuan përkushtimin e përbashkët për bashkëpunim të vazhdueshëm në drejtim të reformave të qëndrueshme dhe sistematike, që do të mundësojnë një administratë publike efikase, të përgjegjshme dhe të orientuar nga qytetarët.