Ministria e Ekonomisë dhe Punës, në bashkëpunim me Agjencinë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka propozuar një rishikim të Planit Operativ për programet dhe masat aktive për punësim dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2025. Me ndryshimet e propozuara, zgjerohet ndjeshëm mbulimi dhe buxheti i disa masave kyçe, duke mundësuar mbështetje më të madhe për qytetarët dhe ekonominë.
Propozimi është rezultat i interesimit të shtuar nga personat e papunë dhe punëdhënësit për masat ekzistuese, si dhe sigurimit të 161 milionë denarëve shtesë përmes ribalancit të buxhetit, me ç’rast rritja e përgjithshme e mjeteve arrin në 461 milionë denarë.
Me planin e rishikuar parashihet:
- Rritja e numrit të përfituesve nga 1.730 në 2.545 persona;
- Rritja e buxhetit nga 989.274.441 në 1.449.950.241 denarë.
Ndryshimet kryesore sipas masave:
- Mbështetje për vetëpunësim (sipërmarrje) – për personat mbi 29 vjeç, numri i përfituesve rritet nga 610 në 715;
- Për personat deri në 29 vjeç, numri rritet nga 720 në 950;
- Për bashkëthemelim të shoqërive me përgjegjësi të kufizuar (SH.P.K.), numri i personave të mbështetur rritet nga 400 në 880.
Këto ndryshime janë dëshmi e qartë e përkushtimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës për menaxhim fleksibil, efikas dhe të përgjegjshëm të politikave të punësimit, duke u përshtatur me kërkesat reale dhe dinamikën e tregut të punës.
Propozimi për Planin e rishikuar Operativ do të shqyrtohet dhe miratohet në seancën e ardhshme të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.