Mundësi punësimi për 200 persona të papunë përmes masës "Mbështetje për krijimin e vendeve të reja të punës përmes investimeve të gjelbra"

Ministria e Ekonomisë dhe Punës, përmes Agjencisë së Punësimit, shpalli thirrjen publike për masën "Mbështetje për krijimin e vendeve të reja të punës përmes investimeve të gjelbra", e cila është pjesë e Planit Operativ për Programe dhe Masa Aktive për Punësim dhe Shërbime në Tregun e Punës për vitin 2025.

Me këtë masë mundësohet përfshirja e 200 personave të papunë - kërkues aktivë të punës, të cilët do të punësohen në ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme që do të investojnë në teknologji, produkte dhe procese të gjelbra. Mbështetja financiare jepet në formën e granteve të pakthyeshme nga 250,000 deri në 750,000 denarë, varësisht nga numri i vendeve të reja të krijuara:

-250,000 denarë për një vend të ri pune,
-500,000 denarë për dy vende të reja pune,
-750,000 denarë për tre vende të reja pune.

Përmes kësaj mbështetjeje, kompanitë do të jenë në gjendje të financojnë blerjen e pajisjeve dhe makinerive të reja, softuerëve dhe licencave, pajisjeve për burime të rinovueshme të energjisë, si dhe materialeve për efikasitet energjetik.

Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme nga sektori privat që plotësojnë kushtet e përcaktuara në thirrjen publike kanë të drejtë pjesëmarrjeje, me përparësi për kompanitë nga sektorët e mëposhtëm: industria prodhuese, bujqësia, pylltaria dhe menaxhimi i ujërave, furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbeturinave, ndërtimi dhe transporti.

Thirrja publike është e hapur deri më 1 shtator 2025. Punëdhënësit e interesuar mund të regjistrohen në Qendrat e Punësimit çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në orën 14:00. Informacione të hollësishme janë të disponueshme në faqen e internetit të Agjencisë së Punësimit www.av.gov.mk, si dhe në kontaktet zyrtare të Agjencisë.