Armata shënon 33 vjetorin e saj, ministri Misajllovski theksoi se shtyllat mbi të cilat ndërtohet Armata janë të forta dhe të qëndrueshme

Sot (18 gusht), në kazermën e Shtipit “Jane Sandanski”, Armata maqedonase me një ceremoni shënoi 33 vjetorin e ekzistencës, zhvillimit dhe përparimit. Në këtë ceremoni, në prani të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, kryeministrit Hristijan Mickoski dhe krerëve të tjerë shtetërorë, fjalime mbajtën presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Sashko Llafçiski.

Ministri Misajllovski, para të pranishmëve, u ndal në tre shtyllat mbi të cilat Armata zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme – buxhetimin e qëndrueshëm, investimet në pajisje të reja e moderne dhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore.

Në vazhdim është fjalimi i plotë e ministrit Misajllovski me rastin e 18 gushtit – Ditës së Armates:

“Armata maqedonase sot shënon 33 vjetorin e saj. Tridhjetë e tre vjet përparim, tridhjetë e tre vjet siguri për atdheun dhe siguri për qytetarët.

Për atë çfarë jemi sot – një Armatë e organizuar, shumë profesionale dhe jashtëzakonisht e respektuar dua t’u shpreh falënderim të gjithë burrave dhe grave me uniformë dhe të gjithë të punësuarve në mbrojtje. Ju jeni mishërimi i aspiratës shekullore për pavarësi e liri, sepse përgjegjësia për një Maqedoni sovrane është mbi ju. Keni dhënë dhe vazhdoni të jepni gjithçka nga vetja që Armata dhe mbrojtja të ecin përpara dhe këtë e respektoj dhe e vlerësoj.

Si ministër i Mbrojtjes, për herë të dytë kam mundësinë t’ju uroj këtë ditë. Sot mund të konfirmoj se shtyllat mbi të cilat ndërtojmë Armaten dhe forcat mbrojtëse qëndrojnë fort.

Buxhetimi i mbrojtjes është në nivel të lartë dhe kështu do të vazhdojmë: Fuqimisht jemi të përkushtuar për forcimin e mbrojtjes sonë me realizimin e angazhimeve për investime në resurset mbrojtëse, në përputhje me vendimet e Samitit të NATO-s në Hagë dhe dua të falënderoj Kryeministrin dhe Qeverinë për mbështetjen e plotë.

Investimet në mbrojtje i shohim në vepra. Mjetet që qytetarët i japin për mbrojtjen tonë i investojmë me plan dhe përgjegjësi. Rezultati shihet para nesh – te mjetet e reja të blinduara të lehta dhe inxhinierike, te artileria e re ‘Boran’ të cilat i prezantuam së fundmi, si dhe te pajisjet e tjera moderne që na mundësojnë të themi: Armata maqedonase është një Armatë e NATO-s!

Javën e kaluar arritën edhe 29 mjete të reja të lehta të blinduara të prodhimit amerikan, me ç’rast numri i këtij lloji të mjeteve për Armatën maqedonase arriti në 67 nga gjithsej 96 të cilat janë në proces blerjeje. Këtë vit, arsenali do të forcohet edhe me ardhjen e një pjese të automjeteve të blinduara Stryker. Blejmë pajisje edhe për këmbësorinë si armatim me kalibër të vogël –  pushkë automatike, mitraloza, hedhës granatash, uniforma, çizme dhe gjithçka që u nevojitet pjesëtarëve tanë për të kryer pa të meta detyrat e tyre. Këtu është edhe ABHO pajisja, si dhe makinat inxhinierike dhe pajisjet.

Sistemet e përmendura artilerike ‘Boran’, të blera nga Turqia aleate, tashmë janë pjesë e arsenalit të Armates. Po bëjmë furnizimin edhe të pajisjeve të avancuara të komunikimit, të teknologjisë informative, pajisje për mbrojtje kibernetike dhe kripto-mbrojtje, që janë pjesë e shtatë marrëveshjeve të nënshkruara me SHBA-në nga dhjetori i vitit të kaluar. Në këto marrëveshje janë përfshirë blerje për sisteme pa pilot, pajisje për njësitë e zbulimit dhe inteligjencës, pajisje për forcat speciale, armë të lehta këmbësorie, mjete për mbrojtje personale dhe një Komplet për kontrollin e zjarrit të përbashkët. Përveç këtyre marrëveshjeve, këtu është edhe blerja e sistemit për luftë kundër mjeteve të blinduara JAVELIN, i cili do të integrohet në një pjesë të automjeteve të blinduara JLTV dhe STRYKER.

Në zhvillim është edhe projekti për blerjen e “Automjeteve speciale për qëllime të veçanta”, me të cilin do të sigurohet pajisja me automjete transportuese dhe motorike speciale që do ta forcojnë lëvizshmërinë dhe furnizimin e njësive të Armatës. Vazhdon edhe blerja e helikopterëve të rinj, të cilët do të na ndihmojnë ndjeshëm gjatë këtyre periudhave kur përballemi me zjarre në të gjithë territorin. 

Armaten po e ndërtojmë edhe përmes marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale me aleatët tanë. Veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat na mbështesin vazhdimisht me mjete të konsiderueshme financiare. Mbretëria e Bashkuar na ka mbështetur me pajisje individuale, ndërsa me Turqinë kemi nënshkruar marrëveshje për blerjen e rreth 4.000 kompleteve të uniformave luftarake, të cilat pritet të arrijnë tashmë në shtator, ndërkohë, në procedurë shtesë, jemi në proces për 3.400 palë çizme dhe 1.800 komplete uniformash të tjera luftarake.

Me mbështetje prej rreth 38 milionë eurosh nga Fondi Evropian për Paqe kemi nënshkruar marrëveshje për blerjen e automjeteve mjekësore, makineri inxhinierike, dozerë, ngarkues, simulues për pacientë, kostume për çminues, robot për shkatërrimin e mjeteve të pashpërthyera, trenave tërheqës, gjeneratorë dhe pajisje të tjera.

Për të gjitha këto i falënderojmë të gjithë aleatët tanë!

Të mos harrojmë edhe investimet në projekte infrastrukturore, siç janë rikonstruksioni, rinovimi dhe rregullimi i shumë objekteve në më shumë kazerma.

Vlen të përmendet se në Ministri funksionon edhe qendra e vetme e akredituar e NATO-s në shtetin tonë – Qendra Rajonale për Marrëdhënie me Publikun, e cila është unike në rrjetin aleat të qendrave trajnuese, pasi është e vetmja që është plotësisht e përkushtuar në zhvillimin e kësaj fushe të rëndësishme.

Zhvillimin e shohim edhe në kapacitetin tonë njerëzor. Në fazën përfundimtare është pranimi i 300 ushtarëve të rinj profesionistë. Jam veçanërisht i lumtur që sot me ne janë udhëheqësit tanë të rinj, 26 nëntogerë të rinj që, pas katër vitesh shkollim në Akademinë Ushtarake, tashmë kanë filluar rrugëtimin e tyre si oficerë në radhët e Armates. Ata janë ardhmëria jonë! Me ne janë edhe një pjesë e 149 nënoficerëve të rinj që u përgjigjën thirrjes dhe që do ta forcojnë segmentin më thelbësor të Armates, korin e nënoficerëve.

Ju, oficerë e nënoficerë të rinj, ju uroj për suksesin dhe ju porosis të vazhdoni me motivim të lartë e përkushtim për ta ruajtur nivelin e lartë të besimit te qytetarët tanë.

Kujdesi për kapacitetin tonë njerëzor është themeli i çdo Armate të mirë-organizuar. Vitin e kaluar i theksova problemet që i hasëm sa i përket detyrimeve financiare ndaj të punësuarve dhe atëherë premtova se do të bëj gjithçka që kjo padrejtësi të mos përsëritet. Sot mund të them se ky problem është tejkaluar dhe pagesat bëhen me kohë. Kështu do të vazhdojmë edhe më tej, sepse çdo i punësuar ynë duhet të jetë i motivuar dhe puna e tij apo e saj duhet të vlerësohet në mënyrë të duhur.

Me krenari do të them – mbrojtja maqedonase po investon në zhvillim, po pajiset dhe modernizohet, dhe shumë e rëndësishme – po rinovohet dhe plotësohet. Kjo është një garanci se forca dhe aftësia jonë për të qenë shtylla e shtetit sot, do të jetë realitet edhe në të ardhmen.

Të nderuar,

Disa nga këto suksese që përmenda janë rezultat i punës sonë të palodhur dhe përkushtimit të fortë ndaj forcave të armatosura. Jemi përballur dhe do të vazhdojmë të përballemi me shumë sfida. Por, ajo që na bën të ndryshëm është dashuria jonë për atdheun, për të cilin punojmë me zemër dhe shpirt. Dhe kur punon kështu, gjen zgjidhje për çdo sfidë.

Prandaj edhe në 365 ditët e ardhshme, deri në festën e ardhshme të Armates, do të vazhdojmë me përkushtim e punë të arrijmë rezultate të reja, suksese të reja. Sepse bëhet fjalë për atdheun dhe identitetin e tij.

Gëzuar Ditën e Armates – 18 Gusht!

Rroftë Armata!

Rroftë Maqedonia!”