Në prani të udhëheqjes më të lartë shtetërore dhe ushtarake, në kazermën “Jane Sandanski” në Shtip u mbajt ceremonia qendrore për festën ushtarake “18 Gusht – Dita e Armatës”. Në ceremoni u rreshtuan eshalone nga të gjitha komandat dhe njësitë e para vartëse të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, eshalone të përbëra nga oficerë dhe nënoficerë të sapograduar në Armatë, si dhe u ekspozuan armë dhe pajisje të Armatës.
Në ceremoninë qendrore fjalime mbajtën: Presidentja dhe Komandantja Supreme e Forcave të Armatosura Gordana Siljanovska-Davkova, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral major Sashko Llafçiski.
Presidentja Siljanovska-Davkova në fjalimin e saj deklaroi: "Për më shumë se tre dekada, Armata ka shkruar historinë e saj si një custos patriae e vërtetë, mbrojtëse e atdheut", ndërsa theksoi: "Armata jonë është një shtyllë paqeje dhe stabiliteti, nga kontributi i saj në misionin paqeruajtës UNIFIL deri te angazhimi i saj në misionin KFOR, ku në nëntor të vitit 2020, paqeruajtësit maqedonas arritën nivelin më të lartë të përgjegjësisë së NATO-s. Sot, mbi 180 pjesëtarë të ushtrisë nën flamurin maqedonas janë të përfshirë në misione dhe operacione paqeruajtëse."
Me këtë rast, Presidentja u ndal edhe te sfidat e së tashmes, duke theksuar se jetojmë në një nga periudhat më jostabile, më të paparashikueshme dhe më të pasigurta dhe kjo e thekson rëndësinë e vetëqëndrueshmërisë, aftësive të përforcuara të parandalimit, përshtatjes së kapaciteteve kombëtare për menaxhimin e krizave me ato të NATO-s, në mënyrë që të jemi në përputhje me sigurinë evropiane.
Ministri Misajllovski, në fjalimin e tij para të pranishmëve, falënderoi të gjitha gratë dhe burrat me uniformë, si dhe të gjithë të punësuarit në mbrojtje, të cilët japin kontributin e tyre në zhvillimin e Armatës që është “e organizuar, shumë profesionale dhe jashtëzakonisht e respektuar.” Ai theksoi se shtyllat mbi të cilat ndërtohet Armata maqedonase dhe forcat e mbrojtjes janë të qëndrueshme.
“Mbrotja maqedonase investon në zhvillim, pajiset dhe modernizohet, dhe shumë e rëndësishme – ajo rinovohet dhe plotësohet me kuadro të reja. Kjo është një garanci se forca dhe aftësia jonë për të qenë themeli i shtetit sot, do të jetë realitet edhe në të ardhmen”, përfundoi Misajllovski përpara krerëve shtetërore-ushtarake.
Në fjalimin e tij, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës deklaroi: "Armata ka qenë gjithmonë një nga shtyllat më të rëndësishme të shtetit, ajo është simbol i përsosmërisë dhe profesionalizmit", duke theksuar besimin që Armata gëzon vazhdimisht tek qytetarët.
Gjenerali theksoi se në periudhën e kaluar Armata punoi shumë dhe me përcaktimin e qartë të prioriteteve, përmirësoi ndjeshëm funksionet e saj luftarake dhe gatishmërinë luftarake. Për hapat e ardhshëm të Armatës, gjenerali theksoi:
"Periudhën në vijim ia kushtojmë rritjes së vazhdueshme të stërvitjes, gatishmërisë dhe aftësisë në të gjitha nivelet e komandës dhe kontrollit, duke zbatuar mësimet nga fushat moderne të betejës." Në fund të fjalimit të tij, gjenerali Llafçiski bëri thirrje për një vazhdim të përbashkët të ndërtimit të Armatës si një forcë moderne dhe e besueshme, një forcë paqeje, stabiliteti dhe dinjiteti.
Në kuadër të ceremonisë, Presidentja Siljanovska-Davkova e dekoroi Qendrën për trajnim të kadetëve dhe oficerëve me "Dekoratë për merita ushtarake". Dekorata jepet për suksese të jashtëzakonshme në përmbushjen e misionit të saj themelor - organizimin, përgatitjen dhe zbatimin e trajnimit me kadetë dhe kandidatë për oficerë në Armatë, si dhe për kontributin e veçantë strategjik dhe afatgjatë në ndërtimin dhe forcimin e aftësisë mbrojtëse të Armatës përmes investimit në arsimimin dhe trajnimin e kadetëve dhe kandidatëve për oficerë, duke ndërtuar kështu breza të liderëve ushtarakë të përkushtuar dhe profesionistë.
Në ceremoninë qendrore morën pjesë kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, Kryeministri, Hristijan Mickoski, ministra në Qeveri, deputetë të Kuvendit, të ftuar nga korpusi ushtarako-diplomatik, ish-ministra të mbrojtjes dhe shefa të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralë në Armatë, përfaqësues nga vetëqeverisja lokale, përfaqësues të organizatave me të cilat bashkëpunon Armata, miq dhe familjarë të nëntogerëve të sapo emëruar dhe të ftuar të tjerë.