Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, zhvilloi takim bilateral me kolegun e tij, ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, në Shkup. Qëllimi i këtij takimi është forcimi i bashkëpunimit bilateral midis dy vendeve në fushën e administratës publike.
Ministrat shkëmbyen vizione dhe ide për avancimin e proceseve reformuese dhe zbatimin e metodologjive bashkëkohore, të cilat do të kontribuojnë në krijimin e një administrate më efikase, transparente dhe të orientuar drejt qytetarëve.
“Reforma e administratës publike nuk është vetëm një obligim i brendshëm, por edhe një sinjal i jashtëm se institucionet tona janë të përgatitura për standardet evropiane, për menaxhim modern dhe partneritete të vërteta në rajon. Pikërisht ky bashkëpunim është dëshmi për këtë, duke konfirmuar angazhimin tonë për transparencë, efikasitet dhe mbështetje të ndërsjellë në rrugën drejt integrimit evropian,” deklaroi ministri Minçev.
Në qershor të këtij viti u nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi, i cili shërben si bazë e fortë për komunikim strategjik dhe të vazhdueshëm midis dy ministrive, duke mundësuar realizimin e përbashkët të projekteve dhe iniciativave të mbështetura nga partnerë ndërkombëtarë dhe Bashkimi Evropian.
“Në përputhje me orientimin strategjik për krijimin e një administrate publike efikase, moderne dhe të orientuar drejt qytetarëve, e kemi njohur rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimit të praktikave më të mira në këtë fushë. Nënshkrimi i Memorandumit paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve institucionale dhe avancimit të marrëdhënieve të partneritetit,” shtoi ministri Dukaj.
Ministria e Administratës Publike mbetet e përkushtuar në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimin e partneriteteve që kontribuojnë për institucione më profesionale dhe më efikase.