Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, me ftesë të Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, mori pjesë në prezantimin e Raportit të Komisionit Evropian për progresin e vendit tonë në integrimet evropiane për vitin 2019, që para kreut shtetëror dhe para përfaqësuesve më të lartë të gjyqësorit, e bëri ambasadori i BE-së në vendin tonë, Samuell Zhbogar.
Në vazhdim të kësaj kumtese, e përcjellim deklaratën e Kryeministrit Zaev në mënyrë të plotë:
Sot, të gjithë ne jemi krenarë për një sukses tjetër të madh të vendit tonë dhe për politikat tona për realizimin e prioritetit tonë strategjik - anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Ambasadori Zhbogar, sot për herë të 10-të prezantoi Raportin e Komisionit Evropian për progresin tonë në Bashkimin Evropian, duke përfshirë edhe rekomandimet për fillimin e negociatave me BE-në, gjegjësisht hapjen e kapitujve.
Sot kemi marrë raportin më pozitiv që kur jemi vend kandidat për anëtarësim, me rekomandim të qartë nga Komisioni Evropian për fillimin e negociatave për anëtarësim. Për këtë meritojmë të jemi të lumtur dhe të urojmë të gjithë: Qeverinë, Kuvendin, të gjitha partitë dhe grupet politike që janë inkorporuar në ndryshimet kushtetuese dhe reformat, gjithë shoqërinë, qytetarët. Kemi punuar shumë dhe kemi rezultat.
Me këtë rast, dua t’i shpreh falënderim të veçantë ambasadorit Zhbogar dhe gjithë stafit të delegacionit të BE-së në vendin tonë, të cilët morën pjesë bujarisht në mbështetjen e realizimit të këtyre rezultateve.
Nga prezantimi i ambasadorit Zhbogar, me kënaqësi morëm të gjitha notat pozitive që mbizotërojnë në Raport. Gjithashtu, me kujdes i pranojmë të gjitha vërejtjet që do të na ndihmojnë të jemi më të mirë dhe më të suksesshëm.
Johanes Han, Komisionari evropian për zgjerim, në fjalimin e tij, me rastin e raportit për vendin tonë ishte i qartë – Maqedonia e Veriut është “shembull i shkëlqyer” në rajon, duke theksuar Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, si mënyrë e shkëlqyeshme për të forcuar marrëdhëniet e mira fqinjësore.
Nëse kthehemi një vit prapa, në konkluzionet e Këshillit Evropian në qershor të vitit 2018 mbeti e shkruar: “Presim hapjen e negociatave të aderimit në qershor të vitit 2019".
Kjo ishte një nxitje e fortë për ne, për qytetarët, për vendin tonë.
Së pari, për shkak se kemi marrë mirënjohje për vendimet e mëdha historike që i sollëm vetëm për një vit nga puna e kësaj Qeverie, për reformat e realizuara dhe për rolin e madh që vendi ynë ka luajtur për lehtësimin e situatës në rajon.
Për periudhën që kemi përpara, morëm detyra të shtëpisë dhe na u tha: Realizoni, dhe ne do të ofrojmë!
Ne edhe pa të e dinim se duhet të përfundojmë reformat dhe të zbatojmë Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen me Bullgarinë. Dhamë mesazh të plotë për reforma dhe bashkëpunim.
Treguam se jemi të gatshëm të marrim vendime të guximshme dhe historike dhe të tregojmë pjekuri politike dhe sjellje evropiane. Kohën tonë në “sallën e pritjes” e përdorëm për tu përgatitur për negociatat e aderimit.
Sot jemi të gatshëm si politikisht ashtu edhe në mënyrë institucionale. Pas këtij rekomandimi, së shpejti do të kompletojmë ekipin e negociatave, ndërsa jemi në përfundim edhe me projektimin përgatitor teknik për të gjitha kapitujt.
Detyrat tona i kemi përmbushur nga e para deri në fund dhe jemi plotësisht të përgatitur për fillimin e negociatave. Tani në veprim janë shtetet anëtare dhe institucionet e Bashkimit Evropian. Në veprim është që Evropa të ofrojë.
Fuqimisht besojmë se meritojmë vendim dhe besim që BE-ja do ta bëjë në bazë të meritave tona.
Dhënia e një qëndrimi të qartë për fillimin e procesit të negociatave me hapjen e kapitujve është në interes të Bashkimit Evropian. Për rolin e BE-së si aktor global, për politikën e saj të jashtme, për perspektivat e ardhshme të rajonit.
Hapja e negociatave për aderim në BE është e vetmja garanci për ruajtjen e stabilitetit të brendshëm dhe për ruajtjen e impulsit të reformës në Maqedoninë e Veriut, me efekt pozitiv për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.