Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i shoqëruar nga Bujar Osmani, zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar me çështjet evropiane, dhe Elvin Hasan, ministër pa resor i ngarkuar me investimet e jashtme, pati një drekë pune me ministrin e punëve të jashtme të Turqisë, Mevlut Çavushogllu, i cili ishte i shoqëruar nga një delegacion turk dhe nga ambasadorja e Republikës së Turqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Tulin Erkal Kara.
Në takim u konfirmuan marrëdhëniet e mira fqinjësore ndërmjet dy vendeve, posaçërisht në pjesën e ekonomisë dhe u shpreh përcaktim për zhvillimin e bashkëpunimit dhe inkurajimit të investitorëve nga Turqia për investime të reja në shtetin tonë.
Në takim u mirëpritën arritjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut në planin e integrimeve dhe u shprehën përgëzime për mbylljen e çështjeve bilaterale me fqinjët. U shpreh mbështetja për rrugën e hapur të shtetit tonë drejt NATO-s dhe BE-së. Gjithashtu, u përcollën edhe përshëndetje nga Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan drejtuar Kryeministrit Zaev.
Kryetari i Qeverisë, Zaev, e konfirmoi ftesën e presidentit të shtetit, Pendarovski, për vizitën e presidentit Erdogan në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Ky proces integrues ka për qëllim të sjell përfitime ekonomike për qytetarët. Për këtë arsyje punojmë me përkushtim për integrimet në NATO dhe BE, por, jemi fuqimisht të orientuar drejt ekonomisë dhe masave të cilat do të sjellin përfitime të drejtpërdrejta financiare për qytetarët. Republika e Turqisë është mike e madhe dhe partnere ekonomike e vendit tonë dhe në këtë drejtim shohim mundësi që ta forcojmë bashkëpunimin”, tha Kryeministri Zaev.
Në këtë takim pune u konstatua që reformat në sistemin gjyqësor dhe funksionimi i shtetit juridik janë me rëndësi për qytetarëve në vend dhe për perspektivat evropiane.
U diskutua edhe për bashkëpunimin e mirë në arsim dhe për mundësitë për bashkëpunim në sferën e energjetikës.