Kryeministri Spasovski dhe ministri për Ekonomi, Kreshnik Bekteshi në Qeverinë e RMV-së mbajtën konferencë për shtyp me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve për mbështetje financiare për prodhimin e energjisë elektrike me burime të ripërtërishme të energjisë . Bëhet fjalë për mbështetje për ndërtimin e centralit fotovoltaik në tokë shtetërore në Sveti Nikollë dhe Makedonski Brod në 11 parcela nga 9 kompani të cilët janë të kënaqur me kriteret e shpallura më parë në thirrjen publike, me çka Qeveria investon në të ardhmen e gjelbër të vendit.
Krahas përfaqësuesve të kompanive investuese, në dhënien e marrëveshjeve morën pjesë edhe kryetarët e Shën Nikollës dhe Makedonski Brod, si dhe përfaqësues të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH) dhe përfaqësues të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (KFN).
Gjatë fjalimit të tij, Kryeministri Spasovski theksoi se një nga reformat më themelore dhe efektive, me rëndësi të madhe për qytetarët dhe komunitetin e biznesit, është reforma në sektorin energjetik.
“Sipas Komunitetit Energjetik Evropian, vendi ynë është kampion rajonal për reforma në energjetikë. Me Ligjin e ri për energjetikë dhe me numrin e madh të investimeve në burime të ripërtërishme të energjisë dhe në gazifikim, Qeveria stabilizoi rritjen e lartë të çmimit të rrymës”, tha Kryeministri Spasovski.
Ai shtoi se në krahasim me Qeverinë e mëparshme, kur çmimi i rrymës u rrit për 100%, sot, qytetarët e paguajnë çmimin më të ulët mesatar për kilovat / orë në rajon, duke vënë në dukje disa aspekte të Strategjisë së Energjisë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
“Një nga qëllimet kryesore të politikës energjetike është nxitja dhe mbështetja e investimeve private për ndërtimin e objekteve energjetike për burime të ripërtërishme të energjisë. Ky është investim në energjinë e gjelbër për kontribut të rëndësishëm në mbrojtjen e ambientit jetësor dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike”, nënvizoi Spasovski.
Kryeministri theksoi se në mënyrë plotësisht konkurruese, pa asnjë shpenzim dhe ngarkesë mbi çmimin e rrymës, do të ndërtohen elektranat e reja fotovoltaike me fuqi të tërësishme prej 35 megavat. Me nënshkrimin e marrëveshjeve me 9 kompani të cilat i kanë plotësuar kushtet mbyllet konkursi i parë publik në të cilën kishin arritur 82 oferta.
“Ndryshime ndodhën edhe në vetë procesin e tenderimit. Në pjesën më të madhe të ankandeve të realizuara për parcelat të parapara për instalimin e centraleve fotovoltaike, investuesit jo vetëm që nuk kërkuan Premium, por garuan të japin më shumë para që të fitojnë të drejtën për të investuar, me çka u kalua në ankand pozitiv dhe në Buxhetin e shtetit kanë hyrë 2,7 milionë euro”, nënvizoi Spasovski.
Ministri Bekteshi në konferencën për shtyp theksoi se pas miratimit të ligjit për energjetikë në vitin 2018, Ministria e Ekonomisë në mënyrë transparente ka implementuar dy procedura për ndarjen e shtesave për ndërtimin e qendrave fotovoltaike në tokë shtetërore dhe private, me kapacitet të përgjithshëm prej 62 MW.
“Investitorët do të kenë të drejtë të shfrytëzojnë shtesën në afat prej 15 viteve pas vendosjes në përdorim të elektrocentralit. Ministria e Ekonomisë, në pajtim me marrëveshjet, do të sigurojë mbështetje në vendin ku do të ndërtohet elektrocentrali, të kthehet në tokë shtetërore dhe të kenë të drejtë të marrin tokën me qira afatgjate dhe mbështetje për kyçje të elektrocentralit në sistemin e shpërndarjes së rrymës. Ne ndërtojmë partneritete me investitorët dhe për këtë vit shuma e paraparë që duhet ta paguajmë për mbështetjen e shtesave është rreth 200.000 euro, ndërsa kompensimi njëhershëm të cilin investitorët e kanë paguar për fitimin e lokacioneve është përafërsisht 2.8 milionë euro”, nënvizoi Bekteshi.
Përfaqësuesit e investitorëve e përshëndetën nismën për shfrytëzimin e energensave natyral dhe të pastër me të cilat disponon RMV-ja dhe theksuan se ndërtimi i qendrave fotovoltaike është një hap shumë i rëndësishëm në luftën kundër emetimit të karbonit dhe luftës për mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm. Një pjesë e investitorëve theksuan se janë të përgatitur në vend për tre vitet e parapara, një pjesë e qendrave fotovoltaike ti ndërtojnë për vetëm gjashtë muaj dhe ta shesin energjinë elektrike në kushtet e tregut dhe pa vendosjen e shtesave.
Në konferencën për shtyp u kumtua se procedura për shpalljen e dytë publike për ndarjen e marrëveshjes për të drejtën e shfrytëzimit të shtesave të energjisë elektrike të prodhuar nga elektrocentralet fotovoltaike të ndërtuar në tokë private është në rrjedhë dhe se në këtë shpallje janë pranuar gjithsej 43 oferta.