Filipçe: Ndalim të lëvizjes në Kumanovë gjatë fundjavës: sonte prej në ora 21:00 deri në orën 05:00 të hënën, gjatë ditëve të punës prej orës 16:00 deri në orën 05:00, në repartin e infektologjisë në Kumanovë, dërgohen nga një mjek nga Shkupi dhe Shtipi

Ministri i Shëndetësisë, dr.Venko Filipçe, në konferencën e sotme të rregullt për shtyp informoi se nga Klinika për Sëmundje Infektive tre pacientë, pas dy testeve negative, janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe dërgohen në shtëpi.

“Në 24 orët e kaluara, në vend ka pasur 46 raste të reja pozitiv të koronavirusit. Në Shkup 13, në Kumanovë 23, Dibër 2, Prilep 1, Tetovë 2, Veles 2, Gostivar 1 dhe Gjevgjeli 2 pacientë. Me këtë numri i përgjithshëm i pacientëve të diagnostikuar në vendin tonë është 430 persona dhe sipas vendbanimit ka raste në Shkup, Kumanovë, Dibër, Shtip, Prilep, Tetovë, Strugë, Veles, Manastir, Ohër, Kavadar, Gostivar, Gjevgjeli, Strumicë, Kriva Pallankë dhe në Koçan. Sot, këto 46 teste pozitive janë nga gjithsej 389 teste të bëra, gjegjësisht deri më tani në vendin tonë janë bërë 4.506 testime të virusit COVID-19”, tha ministri Filipçe.

Ai shtoi se në Klinikën Infektive ka një teknik mjekësor që është pozitiv me virusin korona, i cili ka pasqyrë klinike të pneumonisë në mushkëri.
 

“Është bërë edhe një anketë epidemiologjike familjare dhe mes të punësuarve dhe në përputhje me këtë do të veprohet që të organizohet pjesa e punës në repartin ku ai punonte në kuadër të Klinikës. Tani po bisedohet në detaje me gruan e tij që të analizohen edhe kontaktet eventuale shtesë private, si dhe kontakte fillestare nga anketa epidemiologjike”, tha ministri i Shëndetësisë.

Ai informoi se kemi dy pacientë të vdekur, një në moshën 68 vjeçare me formë të rëndë dhe sëmundje të mëparshme, i cili është kuruar në Klinikë më 29 marsi dhe një pacient nga Kumanova në moshën 70 vjeçare, për të cilin ende jemi duke e pritur testin, ndërsa ka pasur një formë të rëndë të pneumonisë. Nga spitali i Kumanovës është transferuar në Klinikën e Pulmonologjisë dhe më pas është transferuar në Klinikën Infektive.

Aktualisht janë hospitalizuar 67 pacientë, 10 prej të cilëve kanë fotografi të rëndë klinike, ndërsa pjesa tjetër me të lehtë, gjegjësisht fotografi klinike të mesme.

“Në spitalin e Kumanovës kemi 11 raste të konfirmuara pozitive me virusin korona. Për këtë shkak, janë dërguar dy mjekë, një nga Shkupi dhe një nga spitali në Shtip, të cilët në këtë moment do të organizojnë punën e këtij reparti jashtëzakonisht të rëndësishëm. Ende vazhdojnë anketat epidemiologjike, pasi, ka më shumë persona pozitiv edhe nga dy departamente të tjera për rentgen diagnostikimin dhe në pjesën e mjekëve të përgjithshëm që mbulojnë shërbimin e detyrës dhe në bazë të këtyre anketave epidemiologjiike dhe në përputhje me atë se sa persona do të jenë në vetizolim, do të riorganizohet edhe pjesa tjetër e spitalit, gjegjësisht repartet e tjera”, potencoi ministri Filipçe.

Bazuar në të dhënat për rastet e reja në Kumanovë, sot u diskutua dhe u soll vendimi për zgjatjen e orës policore, e cili tani do të zgjasë për fundjavë prej sonte nga ora 21:00 deri të hënën në orën 05:00. Pra, lëvizja do të jetë plotësisht e kufizuar gjatë fundjavës, dhe në ditët e punës, duke filluar nga e hëna do të jetë si për fundjavë, pra në vend që prej orës 21:00, nga ora 16:00 deri në ora 05:00 të ditës së nesërme. Kjo u diskutua në mbledhjen e dytë të Komisionit për sëmundje infektive pas mbledhjes në mëngjes dhe pasdite, pasi që dolën rezultatet.