Zëdhënësi i sapoemëruar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dushko Arsovski, sot e mbajti konferencën e parë për shtyp në Media qendrën e Qeverisë, me ç’rast përsëri do të praktikohet mbajtja e konferencave të rregullta për shtyp pas përfundimit të secilës së Qeverisë.
Në konferencën për shtyp duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarit rreth deklaratës joadekuate dhe provokuese të ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov, se është i gatshëm të dërgojë inxhinier që të largojnë përmendoret dhe pllakat përkujtimore në të cilat shkruan okupator fashist, zëdhënësi Arsovski e theksoi qëndrimin e ministres së Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe theksoi se deklaratat e tilla janë të padenja dhe të pahijshme, si dhe se përfaqësues të të dyja vendeve anëtare të NATO-s, nuk mund të komunikojnë në këtë mënyrë mes vete.
Njëherit zëdhënësi Arsovski shprehu bindje se Bullgaria si vend fqinj i cili i pari e pranoi pavarësinë e Maqedonisë së Veriut dhe i cili ishte promotori i parë i integrimit tonë në NATO dhe BE, nuk do të mendojë të pengojë të drejtën e vetë përcaktimit të identitetit të popullit miqësor maqedonas.
Ai e shprehu optimizmin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut se ky nuk është qëndrim i shumicës në Bullgari dhe se do të gjendet zgjidhje me të cilën do të tejkalohet edhe kjo mosmarrëveshje me fqinjin tonë.
Lidhur me pyetjen e gazetarit lidhur me dekriminalizimin dhe depenalizimin e kanabisit, zëdhënësi Arsovski theksoi se Qeveria është e gatshme që në mënyrë thelbësore t’i qaset kësaj teme përmes ndryshimeve në Kodin penal dhe Ligji për kundërvajtje.
“Duhet të ketë debat të gjerë dhe profesional ku do të kyçen të gjitha palët e interesuara, institucionet, shoqatat civile dhe përfaqësues nga mjekësia. Duhet të shihen efektet nga përdorimi, më pas sistemi për kontrollim, si do të kontrollohet dhe zbatohet. Ky është proces në të cilën i domosdoshëm është qëndrimi i të gjithëve. Është propozuar nga Qeveria miratimi i ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për lëndë narkotike, do të mundësohet eksport i lules së kanabisit për qëllime mjekësore i cili do të nxisin investime të reja, zhvillimin dhe vende të reja pune”, theksoi zëdhënësi Arsovski.
Ai theksoi se për momentin, prodhimi i kanabisit është i lejuar vetëm për personat juridik të cilët kanë leje për prodhimin e kanabisit të marrë nga Ministria e Shëndetësisë, pas marrjes së pëlqimit paraprak nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Lidhur me pyetjen për shpallje eventuale të gjendjes së jashtëzakonshme, zëdhënësi Arsovski e përcolli qëndrimin e Qeverisë, se për momentin nuk ka nevojë për diçka të tillë duke pasur parasysh se kemi Kuvend aktiv.
Njëherit ai e përsëriti apelin e Qeverisë deri te të gjithë deputetët, që menjëherë t’i pranojnë ndryshimet ligjore për masat shëndetësore, sepse bëhet fjalë për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Zëdhënësi Arsovski në këtë konferencë për shtyp i kumtoi vendimet nga mbledhja e 13-të e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndër të cilat:
- Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e 13-të i shqyrtoi dhe i pranoi rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive për ta kufizuar orarin e punës në të gjitha objektet hotelierike deri në orën 23:00, përveç atyre që bëjnë dorëzimin, si dhe për të kufizuar kapacitetin e udhëtarëve në automjete në transportin publik në 50% nga numri i përgjithshëm i udhëtarëve të paraparë në një automjet.
- Qeveria e pranoi edhe rekomandimin që administrata shtetërore dhe publike, komunat dhe gjykatat, në përputhje të parimit të punës dhe procesit të punës, organizimi i punës të zhvillohet në ndërrime ose online, nga shtëpia, ose në mënyrë të reduktuar në sistemin e rotacioneve në varësi të karakteristikave të procesit të punës të institucioneve.
- Qeveria e miratoi Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërtim, i cili parasheh ndërtimin e një lloji të veçantë të ndërtimeve, përkatësisht ndërtime modulare për veprimtari shëndetësore, ndërtimi i të cilave financohet me mjete nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut ose nga mjete nga Bashkimi Evropian, gjegjësisht një organizatë tjetër ndërkombëtare, në mënyrë që të rrisë efikasitetin e sistemit shëndetësor gjatë ballafaqimit me virusin korona KOVID-19.
- Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në këtë mbledhje njoftoi Qeverinë se e pranoi kërkesën e zëvendëskryetarit të Qeverisë të ngarkuar për luftë kundër korrupsionit dhe krimit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe burimeve njerëzore, Ljupço Nikollovski, i ngarkuar edhe për zbatimin e Kodit për sjellje etike për anëtarët e Qeverisë dhe bartësit e funksioneve publike të emëruar nga Qeveria dhe se do t'i rekomandojë Këshillit Drejtues të Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe lëvizshmëri për të shkarkuar drejtoreshën Lidija Dimova për sjellje joetike në kryerjen e funksionit të saj, në lidhje me indikacionet për punë financiare joadekuate dhe neglizhencë në ruajtjen e imazhit të institucionit në publik.
- Qeveria e miratoi tekstin e fundit të Propozim-Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për veprimtari hulumtuese shkencore. Me ndryshimet e propozuara prolongohet afati për zgjedhje në tituj shkencorë, gjegjësisht personat që janë në fazën e marrjes së këtij statusi për të përfunduar studimet e doktoratës dhe të zgjidhen në titullin shkencor, bashkëpunëtor kërkimor, me të cilin tejkalohet situata për shkak të së cilës nuk kishte bazë ligjore për pagesën e pagës së shtatorit në institutet shkencore.
-Qeveria u rekomandon bankat afariste të mundësojnë që pensionistët me pensionet të muajin tetor të mund ti marrin nëpërmjet rrjetit të bankomatëve dhe në rrjetin tregtar nga data 27.10.2020, ndërsa pagesën në dorë e pensioneve për klientët që nuk shfrytëzojnë kartela, të organizohet në katër grupe, sipas lartësisë së pensionit.
- Qeveria e emëroi Sasho Taseskin drejtor i Byrosë për Siguri Publike pranë MPB-së dhe Pece Mirçevski drejtor i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërkaq Visar Riza është shkarkuar nga detyra u.d drejtor në Agjencisë për Barna dhe Pajisje Mjekësore dhe në atë pozitë emërohet Lirim Shabani.