Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, sot mori pjesë në konferencën ekonomike rajonale "Ndikimi ekonomik dhe pasojat e krizës", të mbajtur në Hotel Emerald në Prishtinë.
Bytyqi theksoi se konferenca të tilla rajonale janë të nevojshme për të analizuar dhe diskutuar situatën ekonomike në vendet e rajonit gjatë vitit të kaluar, e cila ishte njësoj e vështirë për të gjithë. Ai theksoi se kriza e shkaktuar nga COVID-19 kërkon liderizëm dhe vendosmëri në menaxhimin me pengesat dhe përgjigjen e duhur ndaj situatës së krizës.
"Liderizmi i vërtetë kërkon që ne të analizojmë dhe të mësojmë nga përvoja, por shumë më tepër që ne mund të shohim përmes “murit” dhe të shohim të ardhmen dhe mundësitë brenda tij. Sot, së bashku me ju, dëshiroj ta shohin fotografinë e zhvillimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në periudhën pas COVID-it. Për mua kjo është e qartë sikurse dita e re kur lind. Konkurrentshmëri rajonale në vend të konkurrencës rajonale. Kjo është e ardhmja jonë. Konkurrentshmëria rajonale është çelësi që hap derën e prosperitetit në Ballkanin Perëndimor. E ardhme, në të cilën, rajoni ynë do të hyjë në një epokë bashkëpunimi, për prosperitetin e të gjithë popujve tanë. Përmes përforcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe përforcimit dhe integrimit të zinxhirit me vlerë ndërmjet investimeve të brendshme dhe të huaja. Krejt kjo me qëllim të forcimit të besimit dhe avancimit të bashkëpunimit tregtar. Pra, ky duhet të jetë Ballkani i shekullit 21! Këtë krizë bashkërisht ta shndërrojmë, të cilën me imunizimin masovik tashmë po e lëmë pas, në një avantazh, në një shans për një të ardhme të ndritur për vendet tona”, tha Bytyqi në hapjen solemne të konferencës.
Zëvendëskryeministri theksoi se interesi ynë i përbashkët është forcimi i bashkëpunimit ekonomik, në mënyrë që në tërësi të mund t’i përdorim dhe zhvillojmë potencialet tona.
“Thelbësore për të gjithë ne është arritja e qëllimeve të Procesit të Berlinit, i cili supozon krijimin e një Tregu të përbashkët rajonal, bazuar në qasjen në katër liritë - lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, ose katër liritë në të cilat bazohet Bashkimi Evropian. Tregu i përbashkët rajonal do të forcojë bashkëpunimin ekonomik midis vendeve në rajon, me çka do të rritet konkurrentshmëria jonë, por edhe tërheqja e rajonit për tregun e Bashkimit Evropian”, shtoi Bytyqi dhe theksoi se duhet bërë një hap përpara.
“Më pak se dy javë më parë, në Bordit drejtues të Forumit të investimeve të odave për Ballkanin Perëndimor, së bashku me kryetarët e forumit, dhashë një iniciativë për të cilën personalisht po mundohem ta jetësoj gjatë mandatit tim. Bëhet fjalë për përpilimin e një qasjeje rajonale dhe kushteve për investime të huaja për të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor. Forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit midis kompanive tona vendase, ballkanike dhe kompanive të huaja që janë të interesuar të investojnë në rajonin tonë. Një zinxhir i fortë me vlerë është një fitore për të gjithë ne. Kjo do të rrisë qëndrueshmërinë e rajonit ndaj rreziqeve të çfarëdo lloji dhe do të forcojë aftësinë tonë për t’u marrë me sfidat dhe fenomenet e paparashikueshme, siç është rasti me pandeminë momentale. Do të sjellë prosperitet për qytetarët tanë, do të forcojë tregun e punës. Do të sjellë përparim dhe një të ardhme për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe do të përgatisë ekonomitë tona për hyrje në Bashkimin Evropian. Konkurrentshmëria rajonale është shansi ynë që nga kjo krizë të dalim më të mirë dhe më të fortë se kurdoherë”, potencoi zëvendëskryeministri.
Ai nënvizoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka shumë përparësi dhe se ato duhet të përdoren për të rritur konkurrentshmërinë në të gjitha vendet, por edhe në rajonin në përgjithësi. Bytyqi nënvizoi se ai e sheh konkurrentshmërinë dhe përparësinë e sheh në disponueshmërinë dhe afërsinë e zinxhirëve për furnizim të mallrave dhe shërbime, transport dhe ndërlidhje, siç janë rruga, hekurudha dhe uji, përmes porteve të afërta të fqinjëve tanë, rajoni ynë dhe mundësia për “near shoring”.
Ne nuk duhet të presim që vendet tona të përfundojnë procesin e integrimit evropian për t’iu afruar standardit të BE duke avancuar tregun. Në fund, edhe një herë do ta përsëris, përse besoj fort në këtë. Konkurrentshmëria rajonale, kundrejt konkurrencës rajonale.
Kjo është e ardhmja jonë. Le ta ndërtojmë më mirë, së bashku”, përfundoi zëvendëskryeministri Bytyqi në fjalimin e tij.
Në konferencën ekonomike rajonale që u mbajt në Prishtinë, fjalën e morën ministrja e industrisë, ndërmarrësisë dhe tregtisë së Republikës së Kosovës, Rozeta Hajdari, drejtori i Fondit të Ballkanit Perëndimor, Gjergj Mura, kryetari i Forumit gjithshqiptar ekonomik Nagip Fejzi, Kryetari i Odës ekonomike të Kosovës Skender Krasniqi, Kryetari i Odës ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore Nebi Hoxha dhe figura të tjera të shquara nga politika dhe biznesi në rajon.