Kovaçevski-Kurti : Si miq dhe fqinj të mirë me Kosovën vazhdimisht i avancojmë marrëdhëniet pa pasur çështje të hapura

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Munih, para fillimit të programit zyrtar u takua me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurti.

Në takimin, ku mori pjesë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, dy kryeministrat shprehën kënaqësinë për marrëdhëniet pozitive dhe konstruktive dypalësh mes dy vendeve. Kryeministrat theksuan se bashkëpunimi arrihet me nxitjen e miqësisë dhe afërsisë mes dy vendeve dhe me fokus të arritjes së interesave të qytetarëve në të dyja vendet, që u konfirmua me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës vitin e kaluar në shtator.

Në takim u shpreh interesimi i përbashkët për vlerësimin e rezultateve të arritura pas mbledhjes së parë të përbashkët të qeverive, në mënyrë që të përcaktohen synimet e  ardhshme më të larta në avancimin e bashkëpunimit.  Një nga qëllimet e ardhshme në lehtësimin e lidhjeve mes dy shteteve  pritet të jetë konkretizimi i interesit për hapjen e “One Stop Shop”, një rrugë e shpejtë për të kaluar kufirin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Në fushën e lidhjes së shpejtë, Kryeministri Kovaçevski e njoftoi Kryeministrin Kurti  edhe për përparimin  e realizimit të autostradës Shkup - Bllacë.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se bashkëpunimi ekonomik është shtytje shtesë për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe për shkak se Kosova është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Maqedonisë së Veriut, si një nga pesë vendet me të cilat Kosova  realizon  shkëmbim më të lartë tregtar. Kovaçevski dhe Kurti u pajtuan se për të dy vendet do të vijojë një periudhë e intensifikimit të bashkëpunimit në fushën e energjetikës.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut i mbështet aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe se jemi të hapur që të kontribuojmë në atë drejtim me transferimin e përvojave në të gjitha fushat për të cilat Kosova do të shprehë interes.

Sa i përket çështjeve rajonale, në takim u theksua se Republika e Maqedonisë së Veriut e mbështet dialogun Prishtinë-Beograd në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, të pranueshme në mënyrë reciproke, me të cilën do të garantohet stabiliteti, siguria dhe përparimi i të dy vendeve dhe rajonit në tërësi.