Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka takuar sot në Tiranë, në kuadër të Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit, kryetaren e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Odil Reno-Baso. Në takim në kuadër të delegacionit qeveritar ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq.
Në takim u konfirmua bashkëpunimi i suksesshëm afatgjatë me Maqedoninë e Veriut me BERZH-in, i cili është institucioni financiar ndërkombëtar më aktiv në vend. Në tre dekadat e fundit, Maqedonia e Veriut ka marrë mbështetje të vazhdueshme nga BERZH-i në realizimin e prioriteteve të saj. Bashkëbiseduesit theksuan se kjo mbështetje është shumë e rëndësishme të vazhdojë, edhe në iniciativat rajonale, në interes të zhvillimit të mëtejshëm të rajonit dhe të ardhmes së përbashkët në Bashkimin Evropian.
Në takim u theksua mbështetja e dhënë nga BERZH-i për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike, veçanërisht në kohë krize energjetike. U diskutua edhe për mbështetjen që BERZH-i jep në realizimin e projekteve infrastrukturore nga Korridori 8, si dhe në ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë. Në takim, bashkëbiseduesit u pajtuan se Maqedonia e Veriut është lider në rajon në investime në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe mbështetje për Tranzicionin e Gjelbër.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut vlerëson mbështetjen e BERZH-it për marrjen e më shumë granteve për realizimin e projekteve në infrastrukturën hekurudhore.
Në takimin me kryetaren e BERZH-it, Kryeministri Kovaçevski theksoi se si edhe më parë në gjashtë vitet e kaluara, duke bërë politika të përgjegjshme, Qeveria do të vazhdojë të punojë në përmirësimin e standardit të qytetarëve dhe të kushteve për zhvillimin e ekonomisë.