Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të vizitës së tij të punës në Paris, u takua me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Xhejms O’Brajan.
Ky është takimi i parë i Kryeministrit me Ndihmës Sekretarin e Shtetit të sapoemëruar, i cili mori detyrën muajin e kaluar. Në takim, Kovacevski dhe O'Brajan rikonfirmuan rëndësinë e partneritetit të fortë strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara. Krahas marrëdhënieve dypalëshe, në takim u bisedua edhe për tema të tjera aktuale për rajonin dhe më gjerë.
Kryeministri Kovaçevski e njohu Ndihmës Sekretarin O'Brajan me zhvillimet më të fundit të brendshme politike në Maqedoninë e Veriut dhe me prioritetet e politikës së jashtme të Qeverisë.
U konfirmua rëndësia e Maqedonisë së Veriut si faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon, si dhe u nda domosdoshmëria për vazhdimin e pa penguar në rrugën e integrimit të saj evropian, që është edhe në interes të Shteteve të Bashkuara.
Ndihmës Sekretari i Shtetit O'Brajan rikonfirmoi qëndrimin se Shtetet e Bashkuara i shohin si partnerë të natyrshëm ata që janë të përkushtuar ndaj integrimit evropian, NATO-s dhe forcimit të demokracisë. Ai përshëndeti progresin e arritur deri më tani të vendit në disa fusha dhe shprehu pritjen që vendi të vazhdojë në rrugën drejt progresit.