Të nderuar anëtarë të Qeverisë,
Të nderuara shkëlqesi,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar mysafirë,
Zonja dhe zoterinj,
Sot është një ditë e ndritshme. Festojmë veprën heroike dhe thirrjen e mijërave që në vitin e lavdishëm 1903 ngritën kryengritjen, e cila nuk është vetëm kryengritje për liri, por edhe kryengritje e shpirtit liridashës, luftës për drejtësi, besimit në vlera dhe shpresës për të fituar pas shekujsh skllavërie, rëniesh, jetësh të vështira dhe viktimash të shumta.
Ne kemi një borxh ndaj historisë, por edhe ndaj vetes, si njerëz, të tregojmë respekt të denjë dhe me dinjitet dhe nderim serioz ta trajtojmë veprën dhe heroizmin e këtyre njerëzve. Secili prej nesh këtu dhe në të gjithë botën, duhet ta dijë se heronjtë ishin njerëz modest dhe sfidues që e paguan me jetën e tyre lirinë që kemi dhe jetojmë sot.
Çdo copë tokë nëpër të cilën lëvizim sot është e njomur me gjakun e ilindenasve, me vuajtjet dhe sakrificat e mijërave më parë, gjë që jep vetëm një përgjigje se lufta jonë ka vazhdimësi, ajo zgjati dhe vazhdoi, se heronj janë të gjithë ata që mbi supet e tyre me sakrificën e tyre paguan çmimin e shtrenjtë të lirisë që kemi sot.
Por duhet njohur dhe respektuar vizioni i atij brezi ilindenas të heronjve. Në atë kohë në Evropë monarkitë kishin vrullin kryesor dhe lavdinë e plotë dhe këtu në mes të Ballkanit të zemëruar, në Maqedoninë e robëruar, në Krushovën e vogël e të lavdishme, lindi Republika, themelet e së cilës mbështeten në idenë e demokracisë, sundimit të popullit dhe respektimit të tërësishëm të të drejtave të njeriut. Kjo vetëm sa konfirmon natyrën vizionare të heronjve, por edhe faktin se gjithmonë në kodin e kombit tonë janë respektuar vullneti i popullit, të drejtat kolektive dhe dinjiteti i individit. Jam shumë krenar për popullin tim që kurrë nuk kemi cenuar dikë tjetër, nuk kemi dashur kurrë diçka që nuk ishte e jona dhe gjithmonë i kemi respektuar pa përjashtim të gjithë të tjerëve.
Këtu, nga këto pyje dhe shpate, mund të dëshmohet jo vetëm jehona e zhurmshme e komitëve që në këto orë, pikërisht 121 vjet më parë, thërrisnin URA për Maqedoninë e Lirë, por edhe për përkushtimin dhe brengën e tyre të padiskutueshëm për popullin e tyre dhe sakrificën e madhe që bënë. Si dhe vepra e padiskutueshme e Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedonase VMRO, e cila ishte nëna e luftës maqedonase për liri.
Dhe kur dikush përpiqet të flasë për veprën tonë liridashëse si vend ose do të pyet se ku janë heronjtë ose do të flet për lirinë apo arritjen e saj, le të kujtohet në faktin se disa nga njerëzit e çetave të vojvodëve të famshëm Nikolla Karev dhe Pitu Guli ishin gjithashtu nën moshën 19 dhe 20 vjeç, me shumë energji dhe zell kaluan jetën e tyre të udhëhequr nga mendimi, ideja, besimi dhe shpresa për lirinë që kemi sot dhe të ardhmen për të cilën ende po luftojmë. Ata dhanë më të shtrenjtën.
Për të ardhmen tonë!
Trimëria e tyre, mosbindja dhe sakrifica e tyre janë thurur në mënyrë të pakthyeshme në identitetin tonë kolektiv maqedonas.
Me Republikën e Krushevës na lanë trashëgimi luftë dhe shpresë-një trashëgimi që sot e mbartim dhe e ruajmë me krenari si shenjtërinë më të madhe.
Sot, teksa nderojmë këtë histori të lavdishme, na kujtohen fjalët e revolucionarit tonë të madh Goce Dellçev i cili tha: "Nuk dua kryengritje me njerëz që do të më lënë në dështimin e parë!" Dua një revolucion me qytetarë të aftë të gatshëm për të përballuar të gjitha sprovat e një lufte afatgjatë...”.
Këto fjalë janë jehonë e sloganit tonë “Beteja vazhdon”, duke na kujtuar se beteja për liri, drejtësi dhe një të ardhme më të mirë kërkon këmbëngulje, trimëri dhe unitet.
Ilindeni nuk është thjesht një tregim historik apo një ëndërr historike, por mbi të gjitha një e vërtetë historike. Ilindeni është thirrja jonë më e fortë për veprim dhe unitet sot.
Në kohë sfidash globale, beteja jonë për të ruajtur identitetin dhe sovranitetin kombëtar është më e fortë se kurrë. Ilindeni është një thirrje për të gjithë ne – të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat tona, për kulturën tonë, për lirinë tonë.
Ne duhet të mësojmë prej tyre se si fitohen fitoret e mëdha, sepse ju mund të humbni një betejë, por është e rëndësishme të fitoni në qëllimin tuaj përfundimtar. Këmbëngulje, vëmendje dhe mbi të gjitha një plan i mirë për të arritur qëllimin e duhur.
Do t'i përsëris këto fjali për ata që duan të nxitojnë dhe që mendojnë se qëllimi është pikërisht para hundës.
Këmbëngulje, vëmendje dhe mbi të gjitha një plan i mirë për të arritur qëllimin e duhur.
Kjo është strategjia që duhet të përdorim edhe ne, të jemi të zëshëm në qëndrimet tona, të kemi një plan dhe të jemi këmbëngulës.
Beteja nuk ka mbaruar!
Beteja vazhdon!
Betejën e udhëheqim me çdo fjalë që flasim, në çdo veprim që bëjmë, me çdo ëndërr që kemi për një të ardhme më të mirë.
Kjo është beteja e brezit tonë me të cilën lëmë gjurmë në kohë, duke besuar fort në korrektësinë dhe madhështinë e saj.
Beteja vazhdon, ilindenasit dhe partizanët me armë në dorë për liri, ne me mendje, vizion dhe energji për një të ardhme që e meriton çdo njeri.
Dhe ne nuk kemi mundësi ta humbim këtë betejë dhe vetëm së bashku, në unitet të madh dhe me përkushtim të madh, do ta fitojmë atë.
Pjesa më e rëndësishme e çdo beteje është uniteti. Vini re me kujdes fjalët nga manifesti i Krushevës, i cili përveç se feston idenë liridashëse, mesazhi më i madh i tij është thirrja për unitet. Mbi atë unitet u ndërtua Republika e Krushevës dhe në emër të atij uniteti të gjithë ngritën flamurin e lirisë. Pyetja dhe dilema e vërtetë sot është nëse ai unitet ekziston në një shtet ku lufta duhet të vazhdojë, për të pasur fitore.
Dhe sot ne kemi përpjekje serioze për të prishur atë unitet. Individë që luajnë me fatet kolektive dhe e shesin atë unitet.
Të nderuar miq,
Me të vërtetë dëshiroj që secilit brez të krijoj dhe lënë pas kujtesën se si të ndërtojmë, investojmë dhe krijojmë. Do të ishte shumë më e lehtë, do të ishte shumë më e thjeshtë nëse një brez do të trashëgonte veprën dhe do të vazhdonte atë që ishte ndërtuar nga ai i mëparshmi.
Nuk do të isha përgjegjës për veten time dhe për të gjithë ju nëse nuk do të tregoja se ajo që gjetëm si Qeveri nuk është vetëm një shtet dhe institucione e lënë pas dore, por edhe një shtet i grabitur dhe i rrënuar nga të gjitha parametrat.
Nuk mund t'i shmangem papërgjegjshmërisë për shkak të gëzimit të papërshkrueshëm të opozitës për shkak të zjarreve dhe asaj vendosmërie e papërgjegjshmërie të njëkohshme për të bërë politikë nga fatkeqësia kolektive dhe nga lufta e të gjithëve çdo ditë për të vënë nën kontroll zjarret në vend.
E befasishme dhe hipokrite është të shesësh mend dhe mend nga të njëjtët të cilët Qeverisë i lanë avion për shuarjen e zjarrit të cilët nuk fluturojnë, pa ekuipazh, institucione për shpëtim dhe pa pajisje dhe pa asnjë organizim.
Politika e pasioneve të ulëta që ata drejtojnë flet vetëm për mungesë vizioni, konfliktet nga brenda që duan t'i transferojnë jashtë, problemet e tyre, të bëhen problemet e kombit dhe mbytja në baltën që duan të na tërheqin të gjithëve. Kjo është diçka që nuk do ta lejoj.
Dhe përderisa po mbaj këtë fjalim, dua të shpreh respekt të veçantë për zjarrfikësit dhe njerëzit që janë ende sot në terren dhe luftojnë me stuhitë e zjarrit, të cilat janë një sfidë me të cilën po përballen shumë vende. Veprojmë në mënyrë të organizuar dhe duhet t'i mbajmë gjërat nën kontroll.
Do të vazhdojmë të japim maksimumin tonë pavarësisht nga ajo që dëgjojmë se çka flasin politikanë të papërgjegjshëm dhe persona të tjerë.
Do të vazhdojmë betejën në Maqedoninë Lindore dhe Qendrore dhe Perëndimore dhe Jugore dhe në Maqedoninë e Veriut kudo që ka nevojë në këto 26 mijë kilometra katrorë.
Dhe nuk do të hyj në narrativën e tyre të gjuetisë së fantazmave, goditjeve të ulëta dhe prishjes së unitetit.
Sepse përderisa po e zgjidhim fatkeqësinë që trashëguam këtë një muaj, po luftoj edhe për investime të reja, pasi kishim tre të reja radhazi, për vendimin që miratuam për pensione më të larta, si dhe mjete të reja për investime kapitale në komunat dhe mbështetje të biznesit vendas.
Fakti që gjërat do të ndryshojnë nuk u shkon për shtat atyre që me dekada e vodhën këtë vend, u sollën si njerëz të fuqishëm, kanë kërcënuar dhe u pasuruan në kurrizin e qytetarëve.
Nuk u shkon për shtat të gjithë atyre që kanë mësuar se këtu atdheu ynë nuk mund të jetë për disa nënë, për të tjerë njerkë, është atdhe i përbashkët.
Duhet të vendosim rregull, sepse kur nuk ka sistem ka ryshfet dhe korrupsion.
Nevojitet një sistem për të vendosur rrend.
Ata që më njohin e dinë se jam një njeri që e mbaj fjalën.
Dhe unë u betova para jush se atdheu im është familja ime dhe se do të kujdesem për të ashtu siç kujdesem për familjen time.
Unë u betova se nuk do t'ju zhgënjeja, sepse nuk kërkova mbështetjen tuaj për të vazhduar me parimin si më parë - siç thpnin paraardhësit tanë, por për të krijuar një sistem që do të funksionojë.
Të bëjmë shtet ku nuk do të ketë qytetarë të rendit të parë dhe të dytë.
Të kemi një shtet ku të gjithë do ta dinë se janë të mbrojtur dhe nuk kanë frikë nëse i kërcënon një politikan.
Ky nuk duhet të jetë një shtet ku do të ketë padrejtësi.
Ky nuk duhet të jetë një shtet ku do të ketë eprorë dhe vartës për shkak të përkatësisë politike.
Ky do të jetë një vend ku do të respektohen të gjithë ata që janë të ndershëm, të sinqertë dhe punëtorë dhe kushdo që është i korruptuar do të ndëshkohet.
T'i kthejmë vlerat aty ku e kanë vendin - ata që kanë thyer ligjin të mbajnë përgjegjësi, punëtorët të paguhen me paga të mira, të rinjtë me shanse për të ardhmen, bujqit të jenë të kënaqur, mjekët të respektohen... Maqedonia është përsëri krenare dhe përsëri e jotja.
Janë bërë tradhti të mëdha nacionale. Por ne do t'i trajtojmë këto probleme me dinjitet dhe do të ndërtojmë marrëdhënie parimore mes partnerëve të barabartë, jo mes zotërinjve dhe të nënshtruarve.
Dhe dua të theksoj se sa herë të më pyesin dhe në sado forma të parashtrohen për çështjen e Bullgarisë, përgjigja do të jetë gjithmonë e njëjta... ne jemi për zgjidhje dinjitoze dhe duam një zgjidhje por jo me kushtëzim të identitetit tonë dhe dinjitetit të nëpërkëmbur. Njëherit i padiskutueshëm është edhe angazhimi ynë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ashtu siç është i padiskutueshëm edhe angazhimi ynë në përmbushjen e kritereve. Dhe këtë nuk e bëjmë për të kënaqur dikë nga jashtë, por për të ndihmuar veten nga brenda. Por gjithashtu e pashmangshme është të theksohet se ky proces zgjat shumë, me shumë pengesa dhe kërkesa të cilat jo gjithmonë të arsyeshme, por shumë më politike. Ne do të zhvillojmë dialog, por me pak hidhërim do të kujtojmë se vendet që kanë bërë shumë më pak se ne, por edhe pa pengesa politike në këtë drejtim, tani janë anëtare të barabarta. Ai proces integrues duhet të jetë i dyanshëm në të cilën zëri ynë do të dëgjohet. Dhe besoj në zgjidhjet e diktuara nga arsyeja, e jo nga forca. Zgjidhje që do të krijojnë dhe sjellin ardhmëri, në vend të jetesës në të kaluarën.
Të dashur miq, vëllezër dhe motra,
Ajo që më shqetëson nëse shikoni fotografinë e përgjithshme është se ekzistojnë elementë dhe entitete në shoqëri të cilët vazhdimisht në tavolinë vendosin kërkesa që krijojnë konflikte dhe sulmojnë unitetin. Në këtë kuptim, është e pashmangshme ndjesia se jo të gjithë subjektet dhe aktorët politikë janë të përkushtuar njëlloj ndaj atdheut tonë, pra në rrëfimet ata gjithmonë do ta respektojnë, por me veprat që vënë në tavolinë bëjnë krejtësisht të kundërtën. Prandaj më herët ju flisja për unitetin mbi të cilin u ndërtua Manifesti i Krushevës, të cilin sot e kemi gjithnjë e më pak, ndërsa është një ideal për të cilin çdo betejë vlen sot, prandaj beteja duhet të vazhdojë. Dhe ky është folklori politik, megjithëse në thelb motivet e kësaj sjelljeje ndaj atdheut janë njësoj si të jetë i huaji dhe të njëjtit ata gjenden në interesat personale dhe qëllime fitimprurëse, të cilat fatkeqësisht janë ende të pranishme. Shpikin kërkesa për të ardhur në pushtet, që për ta do të thotë privilegje, para, qendra tregtare, perandori, ndërtesa, prona, komoditete të fituara në kurrizin e popullit. Dhe gjith këtë e paguajnë së bashku edhe maqedonasit edhe shqiptarët edhe turqit edhe serbët edhe vllehët edhe romët edhe boshnjakët dhe të gjithë qytetarët. Dhe kur shpërndajnë kërkesa me të cilat e godasin vendin, duhet të jenë të vetëdijshëm se unë si lider mundem dhe në fakt kam kërkesa që mund të vihen lehtësisht në tavolinë, por a do të zgjidhin këto çështjet thelbësore të qytetarëve. A do të sjellë besim tek njëri-tjetri dhe a do të sigurojë një të ardhme për të gjithë ne. Ndërsa të gjithë ne jemi nën të njëjtin qiell dhe ndajmë një fat të përbashkët. Thelbi nuk janë kërkesat politike që mund të shpiken, por përpjekja për ta bërë jetën e qytetarëve më të mirë. Nuk është më e rëndësishme se çfarë fjale do të jetë në një copë letër, nga ajo se çfarë lloj jete ka në realitet. Nuk është më e rëndësishme se çfarë ligji do të ketë se ajo a ka ujë të pijshëm Likova, Zhelina, Tetova apo Dellçeva. Maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët, serbët, vllehët, boshnjakët dhe të gjithë të tjerët janë me të vërtetë të lodhur nga shpërdorimi i pozitave të tyre dhe fakti që elitat politike ndërtojnë karriera mbi shpinën e tyre, ndërsa ne të gjithë ndajmë të njëjtin fat. Prandaj nuk do të mbaj fjalim për tema që krijojnë tension dhe keqpërdorin çështjet etnike, dhe u bëj thirrje të gjitha partive, subjekteve dhe liderëve ejani të flasim për atë që është me të vërtetë e rëndësishme, ndërsa kjo është ekonomia, arsimi dhe inovacionet që sjellin të ardhme. Të flasim për më shumë para për popullin dhe ekonominë. Të hapim debat për ekonominë dhe si të zgjidhen problemet e qytetarëve këtu në Krushevë, Gostivar, Dibër apo Strumicë dhe Prilep, Kavadar apo Kërçovë. E zgjas dorën për zgjidhjen e problemeve, për dialogë konstruktivë dhe për sugjerime për një jetë më të mirë. Zgjas dorën për dialog për rindërtim të ndjeshëm ekonomik, juridik për Maqedoninë tonë të përbashkët. Ja po i dëgjoj sugjerimet tuaja. Të sigurojmë unitet për një të ardhme ekonomike.
Kështu do të ndërtojmë unitet dhe do të krijojmë një të ardhme për të gjithë.
Kemi vizion ekonomik për Maqedoni të zhvilluar. Vjen epokë e re e zhvillimit dhe të vendeve të reja të punës. Ky është vetëm fillimi i rilindjes sonë ekonomike ndërsa më e mira vijon. Qëllimi ynë është të krijojmë ekonomi të qëndrueshme dhe të prosperuar që do t'u sigurojë të gjithë qytetarëve tanë një jetë më të mirë dhe një të ardhme të sigurt.
Të dashur miq,
Më lejoni t'i drejtohem rinisë! Të rinjtë janë e ardhmja jonë.
Ata janë shpresa dhe forca jonë. Investojmë në edukimin dhe zhvillimin e tyre për t'i përgatitur për sfidat e së ardhmes. Të rinjtë janë ata që do ta çojnë vendin përpara ndërsa ne jemi këtu për t'i mbështetur në çdo hap të rrugëtimit të tyre. Të rinjve u them: mos kini frikë nga sfidat, sepse jeni ju ata që e ndërtojnë të ardhmen dhe jeni ju ata që duhet të kujdeseni, mbroni dhe luftoni për bashkim.
Të nderuar miq,
Së bashku luftuam në Ilinden dhe së bashku do të ndërtojmë atdheun e ri, të fortë dhe të përbashkët.
Forca jonë është në diversitetin dhe unitetin tonë.
Vetëm së bashku mund të ndërtojmë një fener të përbashkët në errësirën.
Ilindeni është frymëzimi ynë i përbashkët dhe rikujtimi ynë më i madh se çdo brez ka betejën e vet.
Ashtu siç paraardhësit tanë luftuan për liri dhe drejtësi, edhe sot ne luftojmë së bashku për idealet tona.
Ky është betimi ynë se nuk do të heqim dorë kurrë, se gjithmonë do të luftojmë për atdheun tonë të përbashkët, për fëmijët tanë dhe për të ardhmen tonë të përbashkët.
Forca jonë është në unitetin dhe bashkimin tonë!
Pavarësisht nga dallimet tona, ne të gjithë jemi pjesë e një qëllimi më të madh!
Kjo është një thirrje për solidaritet për të ndërtuar një shtet më të fortë të qytetarëve të barabartë!
Në këtë kuptim, që këtu, mbi të famshmin Meçkin kamen, bëj thirrje për unitet me kundërshtarët tanë politikë.
Ta kemi para vetes pamjen e madhe të një shteti të zhvilluar dhe europian.
Shtet i cili është i bashkuar pavarësisht dallimeve tona politike.
Të flasim me një zë!
Të luftojmë së bashku dhe të pushtojmë majat e mëdha dhe të fitojmë së bashku!
Beteja vazhdon është më shumë se një sllogan.
Me këtë mesazh ne festojmë Ilindenin dhe i kujtojmë vetes përgjegjësinë tonë për të vazhduar betejën për një vend më të mirë dhe më të drejtë.
Beteja vazhdon dhe ne jemi këtu për ta vazhduar atë.
Le të jetë çdo fjalë, çdo veprim dhe çdo ëndërr betejë për një të ardhme më të mirë.
Le të vazhdojë beteja jonë, ashtu siç ka vazhduar në kohën e të parëve tanë.
Siç ka thënë i madhi Uinston Çerçill, "Fundi i një epoke do të thotë fillimi i një të reje. Gjëja më e mirë që mund të bëjmë është të pranojmë ndryshimin me shpresë dhe të përpiqemi për një të ardhme më të mirë.”
I përjetshëm qoftë kujtimi për Ilindenin!
Ju faleminderit që ishit sot këtu me ne dhe Zoti e bekoftë Maqedoninë!