“Javën e ardhshme planifikojmë të shpallim thirrje të re publike për mbështetje financiare për destinacionet e reja ajrore për periudhën nga janari i vitit 2025 deri në dhjetor të vitit 2027, përmes një dekreti të ri, me të cilin e rrisim mbështetjen financiare në 375 milionë denarë dhe presim që të tërheqin edhe 200 mijë udhëtarë të rinj në Maqedoni”, theksoi në konferencën e sotme për shtyp, zëvendëskryetari dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Ministri Nikolloski theksoi se programi i mëparshëm për mbështetje financiare nuk i ka dhënë rezultatet e pritura dhe për këtë arsye kriteret në thirrjen publike ndryshohen, me çka pritet dukshëm të përmirësohet trafiku ajror në vend. Ky program nuk do të fokusohet në një linjë ajrore si deri më tani, por do të mbështesë konceptin e hapjes së destinacioneve të reja me disa linja ajrore.
“I rishikuam kushtet për të tërhequr sa më shumë udhëtarë të huaj në vend, turistë të rinj dhe sigurisht për ta lidhur Maqedoninë me destinacione të reja. Gjegjësisht përveç rritjes së mbështetjes financiare, një nga kushtet është që kompanitë ajrore të kenë transportuar së paku 5 milionë pasagjerë në vitin 2023 dhe të kenë një fitim prej të paktën 10 milionë euro në vitin 2023. Risi në programin e ri është se mbështetja do të jepet për udhëtarët që vijnë, ndryshe nga të gjitha programet e mëparshme që parashikonin mbështetje për udhëtarët që largohen. Po ashtu, e rrisim shumën e mbështetjes financiare, përkatësisht 9 euro për pasagjer që arrin në aeroportin e Shkupit dhe 12 euro për pasagjer që arrin në aeroportin e Ohrit. Paraprakisht është subvencionuar në vlerë prej 7 euro për pasagjer që niset nga aeroporti i Shkupit dhe 4,5 euro për pasagjer që niset nga aeroporti i Ohrit. Dhe më e rëndësishmja është se ne nuk do të kufizojmë destinacionet e reja vetëm në vendet e Bashkimit Evropian, por do të mbështeten financiarisht edhe destinacionet jashtë Bashkimit, kështu që presim më shumë pasagjerë dhe turistë nga Lindja e Mesme dhe destinacione të tjera” theksoi zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Ai theksoi se kjo masë e re po realizohet me qëllim të rritjes së numrit prej mbi 200 mijë pasagjerësh nëpër aeroportet e vendit, për të zhvilluar trafikun ajror në vend dhe për të mbështetur ekonominë vendase.