Seanca e Këshillit për koordinimin e aktiviteteve lidhur me anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO)

Sot, më datë 8 nëntor të vitit 2024, u mbajt seanca e parë e Këshillit për koordinimin e aktiviteteve lidhur me anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, në përbërjen e re të Qeverisë.

Seancën e udhëhoqi kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në rolin e kryesuesit të Këshillit, në të cilën morën pjesë të gjithë anëtarët e Këshillit, si dhe ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s në vend me ftesë të tij.

Kryetari i Qeverisë Mickoski e theksoi rëndësinë e anëtarësimit tonë në NATO, si dhe koordinimin e ngushtë ndërinstitucional në kuadër të Qeverisë për çështje të rëndësishme nga agjenda e NATO-s dhe realizimin e detyrimeve tona që dalin nga anëtarësimi në Aleancën.

“Si aleat i besueshëm, vendi ynë mbetet i përkushtuar ndaj përcaktimit të tij për të kontribuar në ruajtjen e sigurisë kolektive dhe paqes, stabilitetit dhe prosperitetit rajonal. Në të njëjtën kohë, sipas mundësive dhe kapaciteteve tona, mbetemi të përkushtuar për sigurimin e mbështetjes së qëndrueshme për Ukrainën dhe aspiratat e saj për arritjen e paqes. Implikimet e sfidave aktuale të sigurisë globale kërkojnë përgjigje të unifikuar dhe të fortë nga të gjithë anëtarët e Aleancës.

Me këtë rast, shprehim mirënjohjen tonë për aleatët me të cilët ndajmë së bashku vlerat dhe përgjegjësitë euro-atlantike për sigurinë dhe stabilitetin tonë të përbashkët, si dhe për mbështetjen të cilën e ofrojnë për të përforcuar kapacitetet kombëtare dhe për të mirëmbajtur nivelin e gatishmërisë si vend anëtar i NATO-s”, theksoi Mickoski.

Në seancë fjalim mbajti edhe ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski, në rolin e bashkëkryesuesit të Këshillit.

“Takimi i sotëm i Këshillit, i cili paraqet një platformë për shkëmbim gjithëpërfshirës të informacioneve dhe diskutim për të gjitha temat e rëndësishme dhe ndërtimin e qëndrimeve kombëtare, si dhe propozimin e vendimeve për zbatimin e tyre, është një dëshmi praktike e angazhimeve tona për kontribut cilësor në promovimin e paqes dhe stabilitetit rajonal, por edhe të sigurisë së përgjithshme transatlantike. Qëllimi ynë është të fokusohemi në krijimin e strukturës plotësisht funksionale, efektive dhe të qëndrueshme, siç është Këshilli, në drejtim të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve tona institucionale, krijimit të politikave dhe përcaktimit të qëndrimeve, të rëndësishme në mënyrë të barabartë për vendin dhe për Aleancën”, tha Mucunski.

Në seancë, në rolin e bashkëkryesuesit të Këshillit, mori fjalë edhe ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski.

“Sot mbajtëm seancë të rregullt në përbërje të re të Këshillit, në të cilin diskutuam për çështjet aktuale me rëndësi për mbrojtjen dhe sigurinë e shtetit, për të cilat kërkohet qasje gjithëpërfshirëse, qëndrime të harmonizuara dhe performancë të koordinuar në kontekstin e NATO-s. Sipas rendit të ditës, diskutuam për modalitetet për mbështetjen e mëtejshme të Ukrainës, e informova Këshillin për aktivitetet në fushën e mbrojtjes dhe lidhur me vendimet e miratuara që përmban Deklarata e miratuar nga krerët e qeverive dhe shteteve që morën pjesë në Samitin e NATO-s në Uashington, si dhe për takimin e rregullt të Ministrave të Mbrojtjes të mbajtur më 17-18 tetor të vitit 2024 në selinë e NATO-s në Bruksel, në Belgjikë”, tha Misajlovski.

Me këtë rast, anëtarët e Këshillit patën mundësinë të shkëmbejnë mendime për situatën aktuale të sigurisë, duke përfshirë zbatimin e vendimeve të miratuara në Samitin e NATO-s në Uashington, duke përfshirë situatën në Ukrainë, angazhimet tona për të siguruar mbështetje afatgjate për Ukrainën, si dhe përmbushjen e angazhimeve tona për promovimin e sigurisë rajonale dhe globale së bashku me aleatët e tjerë të NATO-s.

Parashikohet që Këshilli të mblidhet rregullisht për të mirëmbajtur dinamikë të përshtatshme të monitorimit aktiv të situatës dhe nevojave të Aleancës, në përputhje me detyrimet që dalin nga anëtarësimi ynë në NATO.