Durmishi: Me 40 milionë euro, shteti hap dyert për vende të reja pune dhe biznese

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sot qëndroi në Tetovë ku zhvilloi një vizitë pune dhe takim me qytetarë, sipërmarrës lokalë dhe përfaqësues të institucioneve, me qëllim të prezantimit të drejtpërdrejtë të masave aktive të punësimit të parashikuara në Planin operativ për vitin 2025.
Ky plan, i cili zbatohet përmes Agjencisë së Punësimit, paraqet mjetin kyç të Qeverisë në rritjen e punësimit dhe nxitjen e sipërmarrësisë. Për realizimin e tij në vitin 2025 janë ndarë mbi 40 milionë euro, që paraqet buxhetin më të lartë ndonjëherë të dedikuar për këtë qëllim.
“Përmes Planit Operativ të Punësimit, shteti për herë të parë i qaset në mënyrë sistemore zgjidhjes së papunësisë – jo vetëm përmes ndihmës financiare, por edhe me mbështetje strukturore, mentorim dhe trajnim. Qytetarët kanë mundësi reale për të filluar biznesin e tyre, për të krijuar vende pune dhe për të kontribuar në ekonominë lokale ”, theksoi ministri Durmishi.
Në kuadër të Planit 2025 janë aktive tri masa kryesore për vetëpunësim:

- Masa 1.1 – Mbështetje financiare deri në 7.000 euro për personat mbi 29 vjeç që duan të hapin biznesin e tyre. Për punëdhënësit që do të punësojnë një person me aftësi të kufizuara, parashikohet një mbështetje shtesë prej 4.000 eurosh.
- Masa 1.2 – Mbështetje deri në 10.000 euro për të rinjtë deri në 29 vjeç që kanë një ide të qëndrueshme dhe inovative të biznesit.
- Masa 1A – Mbështetje deri në 20.000 euro për krijimin e një biznesi të përbashkët nga të paktën dy persona të papunë.

Të gjitha masat zbatohen përmes një qasjeje të integruar që përfshin: identifikimin e nevojave, këshillimin profesional, trajnimin, zhvillimin e planit të biznesit, mbështetjen administrative dhe mentorimin në 12 muajt e parë të funksionimit.
“Qëllimi ynë është të ndërtojmë një ekonomi të bazuar në njohuri, iniciativë dhe zhvillim lokal. Këto masa nuk janë vetëm nxitje financiare – ato janë platformë për progres personal dhe profesional. Ne nuk po u themi vetëm të rinjve të qëndrojnë këtu – ne po u japim atyre kushtet për të pasur sukses", theksoi ministri Durmishi.
Në kuadër të komunikimit në terren, ministri do të vazhdojë me vizita në disa komuna – Gostivar, Kërçovë, Likovë, Saraj dhe të tjera – me qëllim të informimit dhe përfshirjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve në këto programe.
Aplikimi për masat është në vazhdim, deri në fund të ditës së djeshme janë regjistruar mbi 2.500 aplikime.