Mickoski në Këshillin ekonomiko social: Dialog dhe përgjegjësi – rritje ekonomike dhe politika reale në shërbim të qytetarëve

Të nderuar anëtarë të Këshillit ekonomiko social,
Të nderuar përfaqësues të sindikatave, odave ekonomike të punëdhënësve,
Të nderuar ministra, zonja dhe zotërinj,

Më lejoni së pari të theksoj se kjo Qeveri ka një pamje të qartë të situatës reale në të cilën jetojnë qytetarët. Jemi të vetëdijshëm për jetën e vështirë, e dimë se sfidat janë reale dhe se standardi nuk mund të përmirësohet brenda natës. Por gjithashtu e dimë se nëse të gjithë ne këtu besojmë vërtet se interesi i qytetarëve është më i rëndësishëm sesa dallimet personale ose politike, atëherë jam i sigurt se mundemi dhe do të sjellim zgjidhje të mira.
Është e vërtetë se ka dallime për çështje të caktuara midis Qeverisë dhe disa prej sindikatave, si dhe me disa nga pjesëmarrësit e tjerë në kuadër të këtij Këshilli. Por kjo nuk është një arsye për të mos pasur dialog.
Përkundrazi, është një arsye shtesë që ky dialog të jetë më i ndershëm dhe më i hapur. Nëse për të gjithë ne këtu, interesi i qytetarëve është po aq i rëndësishëm, atëherë e di se zgjidhjet do të jenë të mira. Kur ekziston vullneti, ekziston dhe  rruga. Dhe vullneti këtu sot egziston si tek ne, ashtu edhe te partnerët socialë.
Gjatë vitit të kaluar, kemi punuar me përkushtim në heshtje dhe  pa shumë zhurmë, por me një qëllim të qartë për t’i lëvizur gjërat nga pika e vdekur. Dhe kjo tashmë po vërehet, le të themi në disa nga parametrat statistikore. Në maj, pagat neto dhe bruto u rritën me një mesatare prej 11 përqind. Në arsim, shëndetësi, administratë dhe polici, tashmë ka paga më të larta.
Produkti i brendshëm bruto në bazë reale në tremujorin e parë u rrit me 3.2 përqind, me çka arritëm rritjen e katërt më të lartë të PBB-së në tremujorin e parë. Nëse dikush do të thoshte një vit më parë se Maqedonia do të kishte një parametër të tillë, atëherë të gjithë do të qeshnin me të. Sot, është një fakt. Rezultatet flasin vetë.

Prodhimi industrial në maj u rrit me 9.4 përqind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, që do të thotë se në tremujorin e dytë, për herë të parë në nuk e di sa vite, presim të kemi rritje të prodhimit industrial. Kjo nuk është rastësi. Është rezultat i hapave sistemikë dhe politikave ekonomike që bazohen në disiplinën fiskale dhe mbështetjen për sektorin real. Nëse duam një ekonomi që prodhon, atëherë duhet të kemi një shtet që mbështet në kuadër të mundësive të tij.
Në drejtim të mbështetjes së drejtpërdrejt ekonomike, këtë vit janë siguruar 250 milionë euro për kompanitë që hyjnë në një cikël të ri investimesh. Në mënyrë plotësuese, 250 milionë euro u drejtohen komunave për realizimin e projekteve kapitale që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Këto nuk janë premtime, këto janë para që investohen në terren. Prandaj them që çdo denar i shpenzuar nga qytetarët duhet të kthehet përmes rrugëve, shkollave, ambulancave ose page më të lartë. Për herë të parë në shtatë vjet, kemi një ulje të borxhit publik.
Që nga marsi i vitit 2025, borxhi publik është ulur me 4.7 pikë përqindjeje në raport me PBB-në, gjegjësisht në vlerë absolute me 36 milionë euro. Presim që deficiti buxhetor të jetë rreth 4 përqind, dhe pse jo nën 4 përqind të PBB-së për këtë vit. Kjo do të thotë që qytetarët më në fund kanë një Qeveri që nuk shpenzon në mënyrë irracionale dhe që nuk ka qëllim  të krijojë borxhe që do t'ua lëmë brezave të ardhshëm.
Është shlyer plotësisht eurobondi i emetuar në vitin 2018 në shumën prej gjysmë miliardi eurosh. Mendoj se kjo ndodhi në fund të janarit të këtij viti dhe nuk u emetua eurobond i ri për ta shlyer këtë. Ky nuk është vetëm një zë financiar, është dëshmi e qeverisjes së përgjegjshme.
Kur shteti shlyen borxhet e tij, tregon se e di se çfarë është obligimi. Dhe kur shteti respekton detyrimin e tij, ai ka të drejtë të kërkojë respekt nga të tjerët. Është një rrugë me dy drejtime.
Përveç kësaj, tashmë është miratuar Strategjia Fiskale 2026-2030, e cila synon përmirësimin e stabilitetit makroekonomik dhe mbështetjen e aktivitetit ekonomik përmes konsolidimit gradual fiskal.
Kjo është një strategji që forcon themelet për rritje të qëndrueshme në pesë vitet e ardhshme. Sepse disiplina fiskale nuk do të thotë kursim në kurriz të qytetarëve, por shpenzime të zgjuara në dobi të tyre.
Pres që sot të miratohet Programi i punës i Këshillit ekonomik dhe social për vitin 2025. Kjo do jetë një konfirmim se ky Këshill nuk është një formalitet, por një mekanizëm i gjallë për dialog të vërtetë social dhe për marrjen e vendimeve që janë në interes të qytetarëve.
Në thelb, kjo Qeveri tregon se është e mundur të udhëheqë vendin me financa të qëndrueshme, paga në rritje, mbështetje për ekonominë dhe dialog me të gjithë aktorët shoqërorë. Nëse të gjithë duam një të nesërme më të mirë, atëherë kjo fillon me punë të ndershme sot.
Ne themi se flasin numrat, dhe jo retorika e zhveshur dhe boshe. Le të flasin rezultatet, jo arsyetimet dhe justifikimet. Le të flasin qytetarët, dhe jo fjalët boshe të përmbajtura në njoftime.
Ju faleminderit.