Ministri Minçev mori pjesë në panelin ministror në kuadër të takimit rajonal kushtuar Partneritetit për Qeverisje të Hapur

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, mori pjesë në panelin ministror në kuadër të takimit rajonal kushtuar Partneritetit për Qeverisje të Hapur (PQH), i cili po mbahet në Tiranë, Shqipëri.

Ngjarja organizohet nga Partneriteti për Qeverisje të Hapur dhe Qeverisë e Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Shkollën Rajonale të Administratës Publike (ReSPA).

Në fjalimin e tij, ministri Minçev theksoi përfitimet e Republikës së Maqedonisë, e cila si anëtare e nismës së Partneritetit për Qeverisje të Hapur që nga viti 2011, ka kontribuar dukshëm në promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në politikat publike. “Është kënaqësi të jem pjesë e këtij Takimi Rajonal kushtuar Partneritetit për Qeverisje të Hapur, një nismë që ka bërë dallime të dukshme në shoqëritë tona dhe është një frymëzim për gjetjen e zgjidhjeve inovative për sfidat e reja me të cilat po përballemi”, tha ministri Minçev.

Në lidhje me përpjekjet e Republikës së Maqedonisë në fushën e politikave kundër korrupsionit dhe ndërtimin e besimit në institucionet, ministri theksoi se reforma e administratës publike është bazë për qeverisje efikase dhe të përgjegjshme.

“Angazhimi ynë ka për qëllim krijimin e një administrate moderne, profesionale dhe transparente, ku zyrtarët administrativë punojnë me përgjegjësi dhe janë të përkushtuar në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët”, theksoi ministri Minçev, duke shtuar se miratimi i zgjidhjeve të reja ligjore bëhet përmes një procesi gjithëpërfshirës në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe komunitetin e ekspertëve, i cili kontribuon në uljen e korrupsionit dhe rritjen e llogaridhënies.

Si sukses të veçantë, ministri Minçev veçoi përgatitjen e Planit të gjashtë Kombëtar të Veprimit për Partneritet për Qeverisje të Hapur për periudhën 2024-2026.

“Këtë vit, në procesin e krijimit të Planit Kombëtar të Veprimit morën pjesë aktive përfaqësues nga sektori civil dhe publik. Plani synon transparencën, llogaridhënien dhe përmban angazhime të veçanta për qeveri të hapur, kuvend të hapur dhe gjyqësor të hapur”, theksoi ministri Minçev.

Ministri Minçev gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët në përballjen me sfidat aktuale dhe promovimin e qeverisjes së mirë. Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë organizon konsultime dhe debate të rregullta publike, përmes të cilave krijohen mundësi që qytetarët të kontribuojnë në proceset e krijimit të politikave publike.

“Qeveria punon në mbajtjen e një dialogu transparent dhe gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesuara, i cili mundëson llogaridhënie dhe kreativitet më të madh në zgjidhjen e sfidave komplekse”, deklaroi ministri.

Kjo pjesëmarrje e ministrit Minçev në takimin rajonal të PQH-së konfirmoi në mënyrë plotësuese përkushtimin e Republikës së Maqedonisë për zhvillimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse, përmes bashkëpunimit të thellë me shoqërinë civile dhe përfshirjes aktive të qytetarëve në politikat publike.