Mickoski: Sfida me stabilitetin energjetik është nën kontroll me planifikim shumë të kujdesshëm, kriza ekonomike e cila ndjehet nga Gjermania do të tejkalohet me investime

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske se sa është i kënaqur me investimet në ekonominë, deklaroi se është shumë e rëndësishme që më në fund të fillohet me përdorimin e huasë, nga i cili pritet një valë prej së paku 300 milionë euro.

 “Shikoni tani, për ne është shumë e rëndësishme që ky takim që do të kemi të dielën të përfundojë me sukses dhe të fillojmë më në fund të përdorim huanë, ose e njohur për publikun si kredia hungareze. Presim që këtu të përshpejtohet një valë prej së paku 300 milionë euro, që është diku 1.6-1.7 për qind prej prodhimit tonë të përgjithshëm vendas. Plus kemi një valë investimesh në komunat që financohen nga pushteti qendror. Do t'ju rikujtoj 6 miliardë denarë në këtë cikël, 15 miliardë denarë projekte vitin e ardhshëm, 6 miliardë projekte përmes Ministrisë së Mjedisit Jetësor. E dini se kishim ngjarje me zëvendëskryeministrin Mexhiti në këtë temë, projekte të lëna pas dore nga qeveria e kaluar tani po realizohen në fushën e ndërtimit të ujësjellësit, kanalizimeve, sistemeve për trajtimin e ujërave të zeza dhe të ngjashme, kështu edhe këtu pres një valë të madhe prej përafërsisht 27-28 deri në 30 miliardë denarë”, theksoi ai.

Sipas Mickoskit, këto janë shumë para për ekonominë maqedonase dhe shtoi se këtë dimër do të kemi dy sfida.

 “E para do të jetë stabiliteti energjetik, e dyta do të jetë kriza e cila ndjehet nga Gjermania, veçanërisht në industrinë automobilistike. Dhe tani duhet t'i parashikoni para kohe dhe të ofroni zgjidhje dhe politika që do të nënkuptojnë zgjidhje për këto sfida.

Për të parën që e patë edhe dje, por edhe muajt dhe javët më parë, e kemi planifikuar me shumë kujdes dhe mendoj se situata është e qëndrueshme me nënshkrimin e Memorandumit për Mirëkuptimit mes ESM, ELEM-i i dikurshëm, dhe Sokar gjigantit azerbajxhanas. Dhe do të kemi furnizim të qëndrueshëm dhe të lirë me gaz natyror, i cili është shumë i rëndësishëm për ngrohjen e shkupjanëve, por edhe për prodhimin e energjisë elektrike. Furnizimi me qymyr dhe minierat tashmë funksionojnë normalisht, do të thosha më shumë se normalisht. Tashmë blloqet funksionojnë në momente edhe me nga 200 megavat, diçka që ishte e paimagjinueshme në shtatë vitet e fundit. Hidrologjia jonë është pak problematike, por pres që me reshjet e vjeshtës dhe me borën e dimrit të mund të përmirësojmë situatën edhe këtu. Kjo nuk varet nga ne, varet nga disa metafizika tjera, nënvizoi Mickoski.

Por, ai beson se problemi është nën kontroll dhe shprehu besimin se e gjitha do të realizohet me sukses dhe qytetarët nuk duhet të shqetësohen.

“Sa i përket kësaj pjese të dytë dhe uljes së mundshme të aktivitetit ekonomik të disa prej kompanive që janë pjesë e sektorit të automobilistikës, këtë mund ta tejkalojmë me investime. Dhe prandaj kjo valë që po flas, 300 milionë, plus 500 milionë euro, rreth 800 milionë euro, duke pasur parasysh që diku rreth 15.5-16 miliardë është BPV-ja jonë, flasim për një shifër midis 4 dhe 5 për qind dhe mendojmë se në këtë mënyrë nuk do të ndihet ajo krizë dhe nuk do të ndikohë negativisht në bruto produktin tonë të vendit. Këto janë dy problemet përgjithësisht thelbësore, përveç qindrave që i zgjidhim në përditshmëri, por kjo është puna jonë dhe është detyra jonë e natyrshme”, deklaroi kryeministri Mickoski.