“Të nderuar përfaqësues të mediave, të pranishëm të respektuar, me të vërtetë sot është një ditë e veçantë për mua, sepse këtu, në këtë vendbanim, në SHFK “Aco Shopov”, po fillon një projekt, një ndërtim shtesë që në shumë mënyra do ta lehtësojë jetën e banorëve të Radishanit dhe të Butelit. Në të njëjtën kohë, kjo do të mundësojë kushte të denja për shoqërim, për arsimim dhe për rritjen e fëmijëve që do ta përfundojnë arsimin e tyre këtu, në këtë shkollë fillore të lagjes Radishan, respektivisht “Aco Shopov”.
Mund të them se çdo projekt i ri që realizojmë për Maqedoninë, çdo iniciativë e re që krijojmë nga fillimi, është një gëzim dhe kënaqësi e veçantë, sepse kjo është ajo që qytetarët presin prej nesh.
E shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, kryetarin e komunës, këshilltarët dhe administratën që punon pa u lodhur në komunën e Butelit. Vërtet po bëhen hapa jashtëzakonisht të shpejta dhe cilësore në drejtim të përmirësimit të kushteve të jetesës për qytetarët tanë, kur bëhet fjalë për arsimin dhe shkencën, për edukimin dhe shoqërimin e të vegjëlve tanë, fëmijëve. Jam i bindur se në periudhën e ardhshme do të kemi edhe shumë projekte të tilla në të gjithë Maqedoninë.
Këtu, në komunën e Butelit, kryetari i komunës përmendi projektet aktuale, të financuara nga buxheti i komunës, por edhe nga buxheti i Qeverisë. Ministrja e Financave gjithashtu dha një përmbledhje të shkurtër për gjithçka që po realizohet në të gjithë territorin e shtetit dhe për atë që do të realizohet në të ardhmen.
Kështu që, është vërtet frymëzuese të dëgjohen të gjitha këto punë që do të ndodhin. Dhe qytetarët e njohin dhe e miratojnë këtë. Ne, si Qeveri, do të vazhdojmë të punojmë dhe të krijojmë, sepse kjo është ajo për të cilën qytetarët na kanë dhënë besimin para gjashtë muajsh.
Nuk do të merremi me spekulime apo me politikë ditore, por me krijimin e gjërave të reja, projekteve të reja. Prandaj, edhe një herë uroj që shumë fëmijë të përfundojnë arsimin e tyre këtu.”