Zëvendëskryetari Fetai mori pjesë në Konferencën e Platformës WeBER

Zëvendësi i Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut i ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai, së bashku me panelistët e tjerë, si ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut SH.T. Mihalis Rokas, zëvendësministri i Administratës Publike Llaze Jakimovski dhe Milena Mihajloviq udhëheqëse e ekipit WeBER në Qendrën për Politika Evropiane nga Serbia, morën pjesë në Konferencën e Platformës WeBER të organizuar nga Instituti i Politikave Evropiane (EPI).

Në këtë panel u diskutua për reformën e administratës publike si një çelës për zhbllokimin e zgjerimit të BE-së. Fetai theksoi se si Qeveri e re kemi trashëguar një situatë të vështirë në këtë fushë, me një administratë të mbingarkuar, të politizuar dhe joefektive në më shumë segmente.

Për Qeverinë tonë, reforma në administratën publike është një prioritet kryesor dhe një nga angazhimet themelore në kuadër të agjendës së reformave të rënë dakord me Bashkimin Evropian.

Zëvendëskryeministri theksoi se po punohet në më shumë drejtime për profesionalizimin, depolitizimin, racionalizimin dhe digjitalizimin e administratës, duke përfshirë ligjet e reja për reformën e administratës publike. Kjo do të ndikojë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, duke kontribuar në uljen e korrupsionit të vogël dhe në përmirësimin e shërbimeve që ofrohen ndaj qytetarëve.

Nënkryetari Fetai tha se është i bindur se me vullnetin tonë politik dhe mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë do të arrijmë një reformë të suksesshme të administratës publike.