Fjalimi i Dimovskit me rastin e Ditës së Fitores ndaj Fashizmit dhe Ditës së Evropës

Në kremtimin e sotëm të 80-vjetorit të Ditës së Fitores ndaj Fashizmit dhe Ditës së Evropës, Zëvendëskryeministri përgjegjës për sistem politik, Ljupço Dimovski, mbajti fjalim para të pranishmëve.

Të nderuar të pranishëm, shoqe dhe shokë luftëtarë, zonja dhe zotërinj,

Për mua është një nder i veçantë që kam mundësinë, pikërisht nga Varrezat e Partizanëve – vendi i përhershëm i prehjes të heronjve maqedonas të Luftës Nacionalçlirimtare Antifashiste – t’ju drejtohem dhe së bashku me ju, me krenari, të kremtojmë këtë ditë të madhe – Fitoren ndaj fashizmit.

Me dinjitet të madh, me mirënjohje të thellë dhe të sinqertë, u përulemi luftëtarëve dhe partizanëve maqedonas që dhanë jetën për të fituar lirinë që populli maqedonas dhe të gjitha kombësitë e këtyre trojeve e kishin dëshiruar për shekuj me radhë.
Ata janë themeli i shtetit tonë dhe i dinjitetit dhe ekzistencës sonë si popull, i vetëdijshëm për madhështinë e tij, sepse maqedonasit, me nderin, drejtësinë dhe dashurinë për lirinë, në periudhën më të errët të ekzistencës së tyre, qëndruan në anën e duhur – bashkë me aleatët dhe të gjithë popujt përparimtarë, duke iu kundërvënë okupatorit fashist.

9 Maji është kurora e idesë maqedonase për një shtet të vetin – dita kur u realizuan të gjitha shpresat që të jemi vetëvetja në tokën tonë, të lirë dhe të pavarur.
Kjo ditë fitoreje përmbyll vuajtjet dhe sakrificat e epopeve të Ilindenit dhe të gjitha luftërave që populli maqedonas i ka zhvilluar në historinë e tij.

Kjo ditë përfaqëson realizimin e idesë sonë për një Maqedoni të pavarur. Kjo është ideja që ishte motivi kryesor për të gjithë pjesëmarrësit maqedonas në stuhinë e luftës, ideja që i mbajti të fortë përmes të gjitha sfidave, sprovave dhe betejave.
Në fakt, të gjitha çetat partizane që u formuan, mbanin emrat e figurave të mëdha të Ilindenit, gjë që vetëm sa konfirmon lidhjen e fortë mes Ilindenit të parë të vitit 1903 dhe vitit 1941, si dhe me ASNOM-in, shtyllën e shtetit modern maqedonas.

Populli ynë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, dha një kontribut të pamasë të çmuar në luftën kundër së keqes më të madhe të shekullit XX. Këta luftëtarë, kujtimin e të cilëve e ruajmë, na obligojnë të jemi vigjilentë, të ruajmë paqen dhe të luftojmë për drejtësi dhe barazi, të kujdesemi për popullin tonë dhe për shtetin maqedonas.
Sot, kur Republika e Maqedonisë ecën në rrugën e prosperitetit dhe realizimit të qëllimeve strategjike, ne e vazhdojmë luftën e tyre, por tani përmes dialogut të arsyeshëm, reformave, respektimit të dallimeve dhe ndërtimit të një sistemi politik stabil dhe gjithëpërfshirës, një shoqërie të barabartë dhe përforcimit të vlerave demokratike si të gjitha shtetet evropiane të zhvilluara.

Më lejoni që me këtë rast, si pasardhës i pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë të çetave partizane, pikërisht nga ky vend ku historia në heshtjen e saj flet më me zë, me thirrjen e partizanëve maqedonas trima, luftëtarë dhe heronj: “Vdekje fashizmit – liri popullit!” të bëj thirrje për të gjithë ne: të qëndrojmë të bashkuar, të ruajmë vlerat dhe përfitimet për të cilat luftëtarët dhanë jetën, dhe të punojmë për të ardhmen që ata ëndërruan – një Maqedoni e lirë, e drejtë dhe evropiane.

Lavdi e përjetshme për luftëtarët kundër fashizmit!
Urime 9 Maji – Dita e Fitores!