Nuk duhet t’i fajësojmë amvisëritë, sepse ato nuk kanë alternativë, për fat të keq, askush deri tani nuk u ka siguruar një alternativë, e po të kishin, trajtimi i kësaj çështjeje do të ishte ndryshe dhe punojmë në atë që të sigurojmë alternativë për amvisëritë, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski sot në debatin mbikëqyrës në Kuvend për ndotjen e ajrit.
Kryeministri Mickoski shtoi se zakonisht ajo alternativë është ngrohja qendrore, ndërsa për momentin vetëm një pjesë e Shkupit ka një mënyrë të tillë ngrohjeje përmes ngrohjes qendrore dhe ka përpjekje individuale në komuna ku po instalohen kaldaja me gaz për ngrohjen e objekteve publike.
Por nuk ka ngrohje qendrore të kontrolluar nga larg për amvisëritë dhe ndoshta kjo është arsyeja pse njerëzit më së shpeshti përdorin lëndë djegëse fosile, por jo rrallë përdorin praktikisht gjithçka. Nga vaj i djegur, goma të përdorura, mobilie të vjetra dhe pajisje shtëpiake për të ngrohur shtëpitë e tyre. Kjo mund të tejkalohet vetëm në një mënyrë – nëse realizohen këto projekte dhe nëse punohet në vetëdijesimin e të gjithë faktorëve në shoqëri. Në vitet që vijojnë, një pjesë e këtyre projekteve për disa komuna do të realizohen dhe do të sigurojnë një ambient jetësor më të pastër dhe më të shëndetshëm, theksoi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski shtoi gjithashtu se në këtë drejtim janë edhe subvencionet për instalimin e kaldajave efikase me gaz në objekte publike, si dhe për pompat termike dhe gjeotermale.
Si qeveri jemi angazhuar dhe jemi në fazë të avancuar për zhbllokimin e një kredie nga Banka Botërore që të jemi një qeveri mike ndaj ambientit jetësor përmes rikonstruktimit të objekteve publike. Shumë gjëra po ndodhin dhe do të vazhdojnë të ndodhin, deklaroi kryeministri Mickoski.