Të nderuar qytetarë,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Ju faleminderit për praninë tuaj sot në këtë konferencë për shtyp, e cila i referohet dy masave thelbësore nga Plani Operativ të cilin e shpallëm dje si Qeveri.
Ndonjëherë, investimi më i madh nuk është në shifra, por në drejtimin që si shtet vendosim të ndjekim. E kur ai drejtim janë njerëzit – atëherë nuk është vetëm plan, por vizion.
Plani Operativ për punësim për vitin 2025 nuk është vetëm një dokument tjetër – ai është përgjigje ndaj një pyetje thelbësore:
Si ta shndërrojmë stabilitetin ekonomik në stabilitet jetësor?
Me një rekord prej 40 milionë eurosh, ky është plani më ambicioz deri më tani, që do të arrijë te mbi 16.000 qytetarë përmes nëntë masave strategjike dhe të mirëkoordinuara.
Por pas shifrave qëndron diçka më e madhe – vendimi për të ndjekur një politikë ekonomike që fillon dhe përfundon me qytetarët.
Në një kohë kur besimi në institucione ndërtohet me vështirësi, shteti është i gatshëm të tregojë kujdes – në mënyrë konkrete dhe të matshme.
Fokusi i konferencës së sotme, siç edhe paralajmërova, janë dy masa thelbësore nga Plani Operativ. Fillimisht do të flas për Mbështetjen për vetëpunësim, e cila përfshin tre kategori:
1. Për personat e papunë deri në moshën 29 vjeç – sipas projeksioneve, do të përfshihen 720 persona, me një shumë financiare prej 615.000 denarësh si mjete të pakthyeshme.
2. Kategoria e dytë janë personat e papunë mbi moshën 29 vjeç e cila përfshin 610 persona, me një shumë prej 430.000 denarë si mjete të pakthyeshme.
3. Më tej, kalojmë te Mbështetja për punësim përmes bashkimit në shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, me të cilën parashikohet të përfshihen 400 persona. Tani këtu do të mund të vërehet një dallim në lidhje me kornizën financiare, sepse shuma më e ulët prej 861.000 denarësh do të aplikohet për dy ortakë mbi moshën 29 vjeç, ndërsa shuma më e lartë prej 1.230.000 denarësh do të aplikohet për dy ortakë nën moshën 29 vjeç.
Më tej, masa e dytë për të cilën do të flas është Mbështetja për krijimin e vendeve të reja të punës dhe kjo masë përfshin vende të reja pune në ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, si edhe në organizatat qytetare. Kjo masë parashikohet të përfshijë 1.570 persona.
Kategoria e dytë këtu, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme për t’u përmendur, është Mbështetja për punësimin e personave me aftësi të kufizuara dhe kjo masë përfshin punësimin e 150 personave të papunë.
Të nderuar qytetarë,
Këto dy masa nuk janë vetëm kategori teknike – ato janë një vendim politik për të ndryshuar logjikën e mbështetjes shtetërore: nga kontrolli pasiv i papunësisë drejt mobilizimit aktiv të talentit që kemi, por që për shumë kohë ka qenë i harruar.
Vetëpunësimi nuk është vetëm ndihmë për individin – është një sinjal për të gjithë shoqërinë se nuk presim vetëm investitorët të shpëtojnë ekonominë. Ne i inkurajojmë njerëzit të bëhen vetë investitorë në të ardhmen e tyre.
Krijimi i vendeve të reja të punës nuk është vetëm mbështetje për kompanitë – por kthim i besimit se puna është një vlerë që vërtet shpërblehet. Që ka kuptim të qëndrosh këtu, të fillosh një kapitull të ri, të ndërtosh diçka tënden.
Kjo qeveri nuk do të lejojë më asnjë njeri që ka vullnet për të punuar, për të krijuar, të mbetet këtu – të jetë i injoruar, siç ka ndodhur në të kaluarën.
Ky plan është vetëm prova e parë për këtë dhe ju sigurojmë se nuk do të jetë i fundit.