Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur miq,
Të nderuar bashkëqytetarë,
Në politikë, ndonjëherë do të dëgjoni dikë të thotë se “numrat nuk kanë shumë rëndësi nëse nuk ndihen.”
Sot dua t’ju bind se numrat që i publikojmë nuk janë vetëm statistikë, ata janë pasqyrë e ndryshimit që tashmë ndihet.
Në përditshmëri.
Në çdo shtëpi.
Në çdo kompani.
Dhe te çdo njeri që besoi se Maqedonia mund dhe duhet të jetë më mirë.
Sot, me përgjegjësi publikojmë:
Sipas të dhënave preliminare të Entit Shtetëror për Statistikë, në tremujorin e parë të vitit 2025, rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto, që nga zgjedhja e kësaj Qeverie, për të tretin tremujor radhazi është 3 ose më shumë për qind, ndërsa rritja e përshtatur sipas të dhënave sezonale dhe kalendarike është 3.2% – kjo është shifra që e publikon "Eurostat".
Me këtë, praktikisht sipas parametrave që deri tani i ka publikuar “Eurostat”, ekonomia maqedonase renditet në vendin e katërt, menjëherë pas Irlandës, Danimarkës dhe Polonisë.
Kjo është shumë e rëndësishme dhe kjo nuk është rastësi.
Ky është rezultat i guximit, vizionit dhe shumë punë.
Kjo është dëshmi se kur shteti udhëhiqet në mënyrë të drejtë, por edhe me dije, me plan dhe me durim – rezultatet patjetër do të vijnë.
E dinim që nuk guxonim të humbnim kohë.
E mbyllëm kapitullin e stagnimit, pasigurisë dhe manipulimit.
Hapëm një kapitull të ri të rritjes ekonomike, vlerësimit të punës, mbështetjes së sektorit privat dhe konkurrencës së ndershme.
Të nderuar të pranishëm,
Kjo rritje është një sinjal shumë serioz se reformat po japin rezultate, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për tremujorin e parë të vitit, i cili gjithmonë është më i dobëti dhe më sfidues.
Megjithatë, nëse duam që deri në vitin 2030 të jemi edhe më lart në shkallën ekonomike evropiane, duhet:
Të ruajmë mesataren që do të jetë mbi 4%, natyrisht kjo nuk varet vetëm nga parametrat tanë të brendshëm, por varet shumë edhe nga faktorët e jashtëm, duke pasur parasysh se mesatarja në kuadër të BE-së është 1.4%, atëherë mund të themi se ne jemi dy herë e gjysmë mbi atë mesatare, ndërsa në eurozonë është 1.2%.
Ja disa të dhëna që mund të jenë interesante. Le të themi Belgjika është 1.1%, Gjermania 0%, Estonia 0.1%, Franca 0.6%, Italia 0.7%, Letonia -0.3%, Hungaria -0.4%, Austria -0.7%, Rumania 0.5%, Sllovenia -0.8%, Sllovakia 1%, Finlanda 0.8%, Serbia fqinje në tremujorin e parë është 2%, etj.
Qëllimi i kësaj Qeverie ishte t’i zgjidhim boshllëqet në produktivitet dhe punësim, por ajo që është e rëndësishme është se kemi treguar se shteti më në fund funksionon.
Dhe këtë e shohim sot.
Në investimet e huaja që po rriten.
Në prodhimin industrial që po stabilizohet dhe mund të them se për tremujori i dytë me radhë është pozitiv.
Në investimet e reja që po realizohen – nga Gjevgjelia në Kumanovë, nga Kërçova në Shtip, nga Dellçeva në Dibër.
Kjo rritje nuk është vetëm numër.
Këto janë fabrika të reja, makina të reja, kontrata të reja, paga të reja, shpresë e re.
Këto janë familje që kanë më shumë siguri.
Këta janë të rinj që shohin arsye për të qëndruar dhe për të luftuar këtu, në vendin e tyre.
E dimë se ekonomia nuk është asgjë pa njerëzit.
Prandaj, po ndërtojmë ekonominë me njerëzit.
Me punëtorë të përkushtuar.
Me të rinj kreativë.
Me inxhinierë profesionistë.
Me bujq që luftojnë me kushtet e motit çdo ditë dhe nuk dorëzohen.
Me gra sipërmarrëse, me inovatore të TI-së, me përfaqësuese të ndershme të sektorit privat.
Ky numër është për to.
Por ky është vetëm hapi i parë i rëndësishëm. Këtë mund të themi se në vitin e parë ekonomia më në fund është stabilizuar brenda 3 plus përqind, diçka që më parë ishte një mision i pamundur për më shumë se 7 vjet.
Por nuk do ndalemi këtu, do të vijojë edhe më shumë.
Të jemi realistë, para nesh ka ende shumë sfida.
Kemi një sistem që është minuar për vite me radhë.
Kemi institucione që duhet t'u kthehen qytetarëve.
Kemi breza të rinjsh që presin një shans.
Por rritja e sotme është një sinjal i qartë: po ecim përpara.
Me përkushtim.
Me guxim.
Me një vizion të qartë.
Do të vazhdojmë ta rikthejmë dinjitetin në çdo profesion.
Ne do të vazhdojmë të rikthejmë besimin në ekonominë vendase.
Do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturë, në zona të reja industriale, në energjetikë dhe inovacione.
Premtuam: Do ta bëjmë Maqedoninë një vend të mundësive.
Dhe ky rezultat tregon se kemi filluar ta përmbushim premtimin tonë.
E gjithë kjo na ndihmon të jemi më të mirë.
Kjo Qeveri nuk do të ndalet së punuari.
Kjo Qeveri nuk do t'i nënshtrohet presionit.
Ky është një sukses për shtetin.
Ky është vetëm fillimi!
Faleminderit.